Dublin, 1 mars 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një takim tête-à-tête dhe pastaj drekë pune me Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.
Temat qendrore në këtë takimin e dytë bilateral, pas atij në Prishtinë, në janar të këtij viti, ishin marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, tregtisë e teknologjisë, dhe zhvillimet rajonale. Bashkë diskutuan për mundësitë e thellimit të tyre në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Duke u shprehur falënderues për mikpritjen që ka pranuar në Dublin dhe për mbështetjen e zëshme dhe të vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës, Kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin irlandez Varadkar me zhvillimet e fundit në vend, progresin e shënuar deri më tani dhe ofertën që Kosova paraqet për investime të kompanive irlandeze, me theks në sektorin e teknologjisë.
Ai e falënderoi kryeministrin Varadkar për përkrahjen aktive ndaj Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe në anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.
Republika e Kosovës dhe Irlanda gëzojnë raporte të afërta partneriteti të ndërtuara mbi vlera dhe orientime të përbashkëta.
Last modified: 1 Mars, 2024