Prishtinë, 15 prill 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurit, priti sot në takim zëvendëspresidenten e organizatës Vital Voices nga Washington D.C., Manira Alva.
Vital Voices është organizatë, e cila për më shumë 25 vite investon në gratë lidere, duke identifikuar ato me vizion dhe guxim për të ndryshuar dhe për ta bërë vizionin realitet.
Kryeministri Kurti foli për vizionin e Qeverisë dhe veprimet konkrete të ndërmarra nga Qeveria për fuqizimin e vajzave dhe grave drejt barazisë, duke filluar nga përfaqësimi në kabinetin qeveritar e deri te politikat e punësimit për gra, mbështetjen për gratë ndërmarrëse, bursat studimore për vajzat dhe gratë në fushat STEM, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e pjesëmarrjes në 50% të vajzave dhe grave në këto fusha të studimit, shtesat për nënat lehona dhe fëmijë, e kështu me radhë. Theksoi se fitorja elektorale 3 vjet më parë, në zgjedhjet shkurtit 2021, ka qenë rezultat i angazhimit dhe pjesëmarrjes së lartë të grave, rinisë dhe diasporës. Andaj, edhe angazhimi politik i grave është i domosdoshëm për reforma të suksesshme, për drejtësi, paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm, u tha në takim.
Më tej, u përmenden edhe sfidat aktuale globale të sigurisë dhe paqes në botë, me të cilat shumë gra e fëmijë ballafaqohen. Në këtë kontekst, u nënvizua rëndësia e mekanizmave të mbështetjes për gratë, për qëndrueshmërinë e pjesëmarrjes në jetën politike dhe krijimin e rrjeteve mbështetëse dhe mbrojtëse, që gratë dhe vajzat të mos të jenë të parat që pësojnë ose largohen nga pozitat në momente të krizave dhe vështirësive.
Znj. Alva shprehu gatishmërinë për të mbështetur agjendën progresive për barazi të Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti përmes programeve të Vital Voices në të drejtat e njeriut, mundësitë ekonomike dhe udhëheqjen e politikave publike për gratë dhe vajzat. Ajo theksoi se sulmet online ndaj grave dhe vajzave kanë shënuar në rritje në tërë botën, në platformat, të cilat kryesisht janë në pronësi dhe menaxhohen nga burrat, andaj masat e Kosovës, të cilat synojnë të angazhojnë vajzat në STEM, do të kenë ndikim të drejtëpërdrejtë në përmirësimin e përmbajtjes së platformave online.
Shprehu gjithashtu mirënjohje për angazhimin e Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti për barazi, teksa theksoi se agjenda e barazisë nuk mund të ketë sukses pa angazhimin e plotë të burrave në shoqëri në përgjithësi e të burrave në pozita drejtuese në veçanti. Ajo shtoi se modeli që Qeveria e Kosovës prezanton, është modeli që duhet të zgjerohet dhe aplikohet nga të tjerët në rajon dhe më gjerë.
Në këtë takim e pranishme ishte edhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDSOJE!, Mimoza Kusari Lila.
Last modified: 15 Prill, 2024