Prishtinë, 18 korrik 2024
Menjëherë pas përfundimit të luftës në vitin 1999, z. Rand Engel erdhi në Kosovë dhe themeloi organizatën ‘’Balkan Sunflowers Kosova’’ që për qëllim kishte ngritjen e qendrave të mësimit por edhe zhvillimin e projekteve infrastrukturore dhe programeve të trajnimit.
Në një takim evokues Kryeministri kujtoi punën, angazhimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të z. Engel në Kosovë.
Ata kujtua takimin e parë para më shumë se dy dekadave në kohën kur Kryeministri sapo kishte dalur nga burgu dhe ishte në fillet e aktivizmit të tij politik. Kryeministri i shprehu mirënjohjen në veçanti për ngritjen e qendrave të mësimit që kanë ndihmuar fëmijët dhe grupet e margjinalizuara. “Kur filluam pagesat për shtesat e nënave dhe fëmijëve të porsalindur, qendrat mësimore luajtën një rol vendimtar. Ato ofruan mbështetje për gratë të cilat nuk kishin qasje në internet duke ndihmuar ato të regjistroheshin për përfitimet e ofruara. Në mënyrë të ngjashme, kur shpallëm financimin e familjeve për blerjen e teksteve dhe mjeteve shkollore në fillim të vitit akademik 2023-2024, ishin qendrat e mësimit që ndihmuan familjet në nevojë për të iu qasur financimit”, tha Kryeministri.
Kryeministri i shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për punën dhe kontributin e çmueshëm të z.Engel dhe Balkan Sunflower në nxënien e dijes te fëmijët dhe të të rinjtë dhe rritjen e aktivizmit në mesin e tyre.
Last modified: 22 Korrik, 2024