Venecia, 23 shtator 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua dje me përfaqësues të shoqatave të diasporës sonë në Venecia të Italisë.
Në bashkëbisedimin e tyre, u diskutua mbi të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, progresin që ka njohur vendi në tri vitet e fundit dhe perspektiva për avancim të mëtejmë të zhvillimit ekonomik dhe investimeve por edhe të mirëqenies sociale. U bashkëbisedua gjithashtu për mërgatën tonë si urë ekonomike dhe kulturore ndërmjet shtetit të Kosovës e kombit shqiptar me Italinë dhe popullin italian.
Kryeministri radhiti indikatorët pozitivë dhe premtues ekonomik, ku përmendi ndër të tjera rritjen mesatare ekonomike 6.2%, dyfishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, krijimin dhe shtimin e vendeve të reja të punës veçanërisht me fokus në punësimin e të rinjve dhe grave, rritjen e qarkullimit të bizneseve.
Ai shtoi se si Qeveri jemi përkujdesur që zhvillimi ekonomik të shpërndahet te të gjithë qytetarët pa dallim, përmes masave të ndryshme ekonomike të ndërmarra, për të ndihmuar nënat, studentët e familjet, por edhe tejkalimin e krizave globale me të cilat jemi përballur.
Duke shprehur vëmendjen e Qeverisë ndaj diasporës dhe kontributin ekonomik madhor të saj për vendin përmes investimeve në Kosovë dhe punës në programe të ndryshme, kryeministri theksoi dhe iniciativat e ndërmarra nga Qeveria për diasporën, si Shkolla për Diplomaci të Diasporës, platforma KosovaDiplo365, projekti Dritare për Investime të Diasporës e shumë të tjera.
Kryeministri i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për takimin dhe bashkëbisedimin e ngrohtë. Në këtë takim, Kryeministri Kurti shoqërohej nga Ambasadorja e Kosovës në Itali, znj. Nita Shala dhe Konsulli i Përgjithshëm në Milano, z. Diamant Kastrati.
Last modified: 23 Shtator, 2024