Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Strategjia e re e E-Qeverisjes 2023-2027, e vendosë vizionin tonë për një administratë publike të digjitalizuar që ndikon në mirëqenien e qytetarëve

6 Prill, 2023


Prishtinë, 6 prill 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte njëri nga folësit kryesorë në Konferencën për Strategjinë e E-Qeverisjes, që ka në funksion përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike, të organizuar sot nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Në adresimin e tij, ai tha Strategjia e re e E-Qeverisjes 2023-2027 që po e prezantojmë sot, vendosë vizionin tonë për një administratë publike të digjitalizuar që ndikon në mirëqenien e qytetarëve; maksimizon efektivitetin, transparencën dhe llogaridhënien e qeverisjes; dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit.

Më tej, tha se Strategjia parasheh reforma përmbajtjesore, që bazohen në parimet kyçe të Komisionit Evropian për digjitalizim të shërbimeve, e që synojnë siç tha ai të transformojnë mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me administratën publike. Sado që

Sipas Indeksit të Maturitetit të Teknologjisë të Bankës Botërore, jemi ngritur nga grupi C në grupin B, për fokusin në qeverisje digjitale dhe platforma eKosova ka mbi 770 mijë përdorues, tashmë i kemi mbi 130 shërbime elektronike.

Duke folur për parimet e kësaj strategjie, kryeministri Kurti potencoi faktin se një nga shtyllat janë sistemet dhe infrastruktura digjitale e vendit. Strategjia parasheh ndërtimin e arkitekturës gjithëpërfshirëse të organizatave, infrastrukturës, sistemeve, të dhënave dhe ndërveprimit, që do të mundësojë zhvillim të qëndrueshëm të digjitalizimit në qeveri, dhe teksa tashmë kemi mbuluar 100% të zonave të banuara me internet brezgjerë. Si rezultat, Kosova është në top 7 shtetet në Evropë dhe krahasohet me Zvicrën e Luksemburgun, veçoi kryeministri,

Ai theksoi se në Strategji po ashtu parashihet edhe pilotimi i qendrave të integruara të shërbimeve, që do të ofrojnë konceptin e one-stop-shop, për marrjen e shumë shërbimeve në një lokacion të vetëm.

E derisa jemi duke lëvizur drejt një të ardhmeje gjithnjë e më digjitale, kryeministri Kurti po ashtu nënvizoi edhe rrezikun nga kërcënimet dhe sulmet kibernetike. Për këtë ai tha se rritja e sigurisë dhe qëndrueshmërisë kibernetike të sistemeve dhe infrastrukturës digjitale qeveritare, është një edhe një shtyllë tjetër e rëndësishme e strategjisë.

Natyrisht, pjesa më sfiduese e çdo strategjie është zbatimi i saj, u shpreh ai, andaj edhe u shpreh i lumtur që disa nga partnerët tanë zhvillimorë tashmë kanë treguar gatishmërinë për ta përkrahur zbatimin e kësaj strategjie dhe të planit të veprimit. Ndërkohë, ftoi edhe partnerët e tjerë zhvillimorë për bashkëpunim dhe përkrahje në zbatimin e kësaj strategjie, e cila krahas ofrimit dhe përmirësimi të shërbimeve për qytetarë dhe biznese, mund të ndihmojë edhe në nxitjen e rritjes dhe zhvillimit ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të reja.

Në fund, kryeministri Kurti ka falënderuar Akademinë Estoneze për e-Qeverisje (eGA) për bashkëpunimin e tyre në hartimin e kësaj strategjie, dhe GIZ-in për përkrahjen e tyre në realizimin e këtij bashkëpunimi.

 

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

 

I nderuari ministër i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla,

I nderuari ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z.Elbert Krasniqi,

Shkëlqesi Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde,

E nderuara shefe e UNDP-së, znj. Maria Suokko,

E nderuara ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Rozeta Hajdari,

I nderuari zëvendësministër i Brendshëm, Bardhyl Dobra,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarë të komunave të Republikës,

Të nderuar përfaqësues e partnerë zhvillimorë,

Të nderuar përfaqësues nga komuniteti akademik, i bizneseve, dhe shoqëria civile,

Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

Sot po e shënojmë një moment të rëndësishëm në rrugëtimin tonë të transformimit digjital. Strategjia e re e E-Qeverisjes 2023-2027 të cilën po e prezantojmë, e vendos vizionin tonë për një administratë publike të digjitalizuar e cila ndikon në mirëqenien e qytetarëve. Ajo po ashtu e maksimizon efektivitetin, transparencën dhe llogaridhënien e qeverisjes; si dhe ndikon pozitivisht në rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. Ky vizion përputhet me pritshmëritë e qytetarëve tanë për digjitalizim. Në studimin e bërë nga organizata GLPS, 73.9% e qytetarëve vlerësojnë se digjitalizimi i shërbimeve qeveritare do ta bënte më të lehtë qasjen dhe marrjen e shërbimeve që ofrohen nga institucionet publike, ndërkaq 74.4% e tyre mendojnë se digjitalizimi i shërbimeve çon në një qeverisje më efikase dhe më të efektshme.

Strategjia parasheh reforma përmbajtësore, që bazohen në parimet kyçe të Komisionit Evropian për digjitalizim të shërbimeve, e të cilat synojnë të transformojnë mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me administratën publike. Një nga këto parime është ai i vendosjes së qytetarit në qendër. Kjo nënkupton dizajnimin dhe ofrimin e shërbimeve që të tilla të jenë të bazuara në nevojat e qytetarit, të eliminojnë burokracinë, të mundësojnë qasje nga kudo dhe kurdo, dhe të kursejnë kohën e tij apo të saj. Një nga zbatimet e këtij parimi që e parasheh strategjia është ai përmes konceptit të shërbimeve të bazuara në ngjarje jetësore. Ofrimi i shërbimeve proaktive, të personalizuara dhe të automatizuara, të bazuara në ngjarje jetësore, paraqet një ndryshim të paradigmës në funksionimin e administratës publike në raport me qytetarin.

Një parim tjetër i rëndësishëm është ai i gjithëpërfshirjes. Më 21 mars, në Herticë shënuam lidhjen e fshatit të fundit në internet brezgjerë. Në rrugëtimin tonë shoqëror drejt digjitalizimit është me rëndësi që askush të mos mbetet prapa. Tashmë kemi mbuluar 100% të zonave të banuara me internet brezgjerë. Kosova është në top 7 vendet në Evropë dhe krahasohet me Zvicrën dhe Luksemburgun. Megjithëkëtë, duhet të sigurohemi që përfitimet nga digjitalizimi dhe ndërveprimi i sistemeve, t’i gëzojnë të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe ata që e shfrytëzojnë kanalin digjital të qasjes.

Prandaj strategjia parasheh edhe pilotimin e qendrave të integruara të shërbimeve, që do të ofrojnë konceptin e one-stop-shop, për marrjen e shumë shërbimeve në një lokacion të vetëm.

Jetësimi i vizionit dhe parimeve të strategjisë mbështetet në disa shtylla kyçe, që janë përcaktuar si objektiva strategjike të saj. Një nga këto shtylla gjithsesi janë sistemet dhe infrastruktura digjitale e vendit. Strategjia parasheh ndërtimin e arkitekturës gjithëpërfshirëse të organizatave, infrastrukturës, sistemeve, të dhënave dhe ndërveprimit, që do të mundësojë zhvillim të qëndrueshëm të digjitalizimit në qeveri. Avancimi dhe fuqizimi i sistemeve qendrore si platforma e ndërveprimit, dhe portali kryesor për ekspozim të shërbimeve – eKosova, janë disa nga intervenimet kyçe të parapara për mundësimin e digjitalizimit të shërbimeve. Në këtë platformë me mbi 770 mijë përdorues, tashmë i kemi mbi 130 shërbime elektronike.

Sipas Indeksit të Maturitetit të Teknologjisë të Bankës Botërore, jemi ngritur nga grupi C në grupin B, për fokusin në qeverisje digjitale. E derisa jemi duke lëvizur drejt një të ardhmeje gjithnjë e më digjitale, pashmangshëm rritet edhe rreziku nga kërcënimet dhe sulmet kibernetike. Prandaj edhe rritja e sigurisë dhe qëndrueshmërisë kibernetike të sistemeve dhe infrastrukturës digjitale qeveritare, është një shtyllë tjetër e rëndësishme e strategjisë.

Gjithsesi, faktori kryesor që e përcakton suksesin e kësaj strategjie, janë njerëzit. Sepse këtë e bëjnë njerëzit për njerëzit. Këtu përfshihen profesionistët e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të cilët do të mundësojnë zhvillimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale, por edhe të gjithë shërbyesit civil në administratën tonë që do ta përdorin teknologjinë digjitale në punën e tyre të përditshme. Qeveria është angazhuar në krijimin e parakushteve për këtë. 1500 të rinj janë trajnuar për shkathtësi digjitale. Kjo strategji i kushton një rëndësi të veçantë edhe krijimit të kornizave për zhvillim të vazhdueshëm të shkathtësive digjitale në sektorin publik.

Një nga elementet e transformimit digjital, është edhe ajo e koordinimit ndërinstitucional dhe e qasjes mbarë-qeveritare ndaj digjitalizimit.  Prandaj edhe një shtyllë tjetër kyçe e strategjisë është pikërisht krijimi dhe fuqizimi i mekanizmave qendrorë për koordinimin dhe mbikëqyrjen e digjitalizimit në qeveri. Aty parashihen masat për fuqizimin e AShI-së, si agjenci përgjegjëse për zbatimin e komponenteve qendrore të qeverisjes digjitale, por edhe krijimi i trupave mbikëqyrës dhe koordinues të transformimit digjital në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Ne tashmë kemi themeluar Komisionin për Transformim Digjital, të cilin e udhëheqi, e i cili ka rol të mbikëqyrjes dhe drejtimit strategjik të digjitalizimit.

Po ashtu kemi krijuar rolet dhe trupat koordinues, si: njësia për transformim digjital, si dhe kryekoordinatori dhe komiteti teknik për transformim digjital. Këto do të mundësojnë qasjen mbarë-qeveritare dhe të koordinuar ndaj digjitalizimit në të gjithë sektorët qeveritarë.

Për një zbatim të suksesshëm të transformimit digjital, duhet në vazhdimësi të përcillen trendet bashkëkohore të zhvillimit të teknologjisë së informacionit. Prandaj edhe inovacioni në e-Qeverisje është përcaktuar si një nga shtyllat e strategjisë sonë. Strategjia parasheh inicimin e projekteve dhe krijimin e celulave të inovacionit brenda sektorit publik për të testuar e pilotuar teknologjitë e reja si inteligjenca artificiale, big data, machine learning, e blockchain. Këto projekte dhe iniciativa do të ofrojnë mundësi shtesë për bashkëpunim me sektorin privat e akademinë, në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Kjo do të jetë një nga mënyrat që strategjia jonë e qeverisjes elektronike do të mund të ndihmojë edhe në nxitjen e rritjes dhe të zhvillimit ekonomik. Por ky nuk është i vetmi aspekt i ndikimit direkt të strategjisë në ekonomi. Ajo do të mundësojë qasjen e bizneseve në më shumë shërbime elektronike qeveritare, në lehtësimin e marrjes së lejeve dhe licencave, duke ulur kështu kohën dhe koston e të bërit biznes. Dhe të gjitha këto mund të ndihmojnë në tërheqjen e investimeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

Natyrisht, pjesa më sfiduese e çdo strategjie është zbatimi i saj. Jemi të lumtur që disa nga partnerët tanë zhvillimorë tashmë kanë shprehur gatishmërinë për ta përkrahur zbatimin e kësaj strategjie dhe të planit të veprimit. Shfrytëzoj rastin t’i ftoj edhe partnerët e tjerë zhvillimorë për bashkëpunim dhe përkrahje në zbatimin e kësaj strategjie të rëndësishme për vendin tonë.

Në fund, dua ta falënderoj Akademinë Estoneze për e-Qeverisje (eGA) për bashkëpunimin e tyre në hartimin e kësaj strategjie, si dhe GIZ-in për përkrahjen e tyre në realizimin e këtij bashkëpunimi.

Faleminderit!

Last modified: 6 Prill, 2023

Comments are closed.