Prishtinë, 25 prill 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti përcolli mesazhin e tij ngushëllues në librin elektronik të ngushëllimeve të Ambasadës së Italisë në Kosovë.
Në mesazhin e tij, kryeministri shkruan se Papa Françesku do të mbahet mend si një udhëheqës i përulur, i mbushur me dashuri, dhembshuri dhe humanizëm social, dhe se ai e udhëhoqi Kishën Katolike me një zemër të hapur, me fjalë paqeje dhe vepra drejtësie dhe përkujdesjeje për të varfrit dhe të margjinalizuarit.
“Në këtë kohë zie, ju shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta dhe bashkohem në lutje me të gjithë komunitetin katolik të Kosovës, i cili ka qenë gjithmonë një shembull i besimit të qëndrueshëm dhe përkushtimit shpirtëror. Zoti e bekoftë Papa Françeskun dhe kujtimi i tij qoftë një burim frymëzimi i përjetshëm për të gjithë ne”, shkroi më tej kryeministri Kurti.
Teksti i plotë i ngushëllimit nga kryeministri Kurti:
Me hidhërim të madh mësova për ndarjen nga jeta të Atit të Shenjtë Papa Françeskut vetëm një ditë pas të Dielës së Pashkëve – dita e ringjalljes dhe shpresës për të gjithë botën e krishterë.
Papa Françesku do të mbahet mend si një bari i përulur, i frymëzuar nga dashuria, dhembshuria dhe humanizmi social. Ai e udhëhoqi Kishën Katolike me një zemër të hapur, me fjalë paqeje dhe me akte drejtësie dhe përkujdesjeje për të varfrit dhe të margjinalizuarit.
Në këtë kohë zie, ju shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta dhe bashkohem në lutje me të gjithë komunitetin katolik të Kosovës, i cili ka qenë gjithmonë një shembull i besimit të qëndrueshëm dhe përkushtimit shpirtëror.
Zoti e bekoftë Papa Françeskun dhe kujtimi i tij qoftë një burim frymëzimi i përjetshëm për të gjithë ne.
Last modified: 28 Prill, 2025