Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti shënoi Ditën e Pavarësisë së Ukrainës bashkë me qytetarët ukrainas që jetojnë në Kosovë

24 Gusht, 2023

Prishtinë, 24 gusht 2023

Në ambientet e Ballkonit të Hapur të Qeverisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, mirëpritën sot qytetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në mesin e tyre edhe gazetarët ukrainas në kuadër të programit Gazetarët në Rezidencë (Journalists in Residence) të mbështetur nga Qeveria e Kosovës, për të shënuar bashkërisht Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

Të mbledhur për të përkujtuar këtë moment historik, kryeministri Kurti bashkë me të ftuarit vlerësuan qëndrueshmërinë, vendosshmërinë por edhe unitetin e popullit ukrainas, të cilët ndonëse kanë kaluar 32 vite pas shpalljës së pavarësisë, sot e gjejnë veten përsëri në pozicionin që duhet ta mbrojnë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit të tyre kundër pushtimit rus.

Në adresimin e tij, kryeministri tha se Republika e Kosovës qëndron plotësisht prapa Ukrainës në këtë mision të shenjtë, duke përmendur së fundmi edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Deklaratën e Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën.

“Vetëm këtë javë, ne iu bashkuam Deklaratës së Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën. Duke vepruar kështu, ne shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar gjithçka që mundemi për mbrojtjen e Ukrainës, në këtë kohë nevoje”, tha kryeministri Kurti. Ai veçoi edhe takimin që pati të hënën në Athinë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, teksa u shpreh me shpresë që në takimet e ardhshme të mund të diskutojnë se si Kosova dhe Ukraina mund të punojnë bashkë në promovimin e vlerave që ndajmë dhe intersave të përbashkëta që kemi.

Bashkë me urimin për Ditën e Pavarësisë, kryeministri Kurti uroi gjithashtu herën tjetër e së shpejti të mund të takohemi përsëri, por kësaj radhe për të festuar triumfin e Ukrainës kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit rus, ndërkohë që tha se jemi krenar që ju kemi mirëpritur në vendin tonë dhe të lumtur që Kosova është shtëpia juaj e dytë.

Gazetarët ukrainas në këtë takim u shoqëruan edhe nga Kryetari i Associacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe përfaqësuesës së Qendrës Evropiane të Lirisë dhe Shtypit të Medias, Drejtori Menaxhues, Lutz Kinkel dhe
Flutura Kusari.

Fjala e kryeministrit Kurti:

E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla-Schwarz,
Të nderuar qytetarë ukrainas në Kosovë,
I nderuari përfaqësues i Asociacionit të Gazetarëve në Kosovë z.Rexha,
E nderuara përfaqësuese e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, znj. Kusari,
Mirëmengjesi për të gjithe ju,
Dobryy ranok,

Është kënaqësi që ju kemi sot këtu në Ballkonin tonë të bukur e të Hapur, në mëngjesin e bukur të verës, në një rast të tillë.

Jemi mbledhur këtu për të festuar Ditën e Pavarësisë së Ukrainës. Kjo ditë përkujton Shpalljen e Pavarësisë së Ukrainës të vitit 1991, një moment historik që shënoi përfundimin e pushtimit sovjetik dhe fillimin e një epoke të re për Ukrainën. Në këtë ditë, na kujtohet qëndrueshmëria dhe vendosmëria, por edhe uniteti i popullit ukrainas, për t’u bashkuar për të rivendosur shtetësinë e tij ndërsa hyri në epokën pas Luftës së Ftohtë.

Bashkimi Sovjetik nuk ekziston më, por Federata Ruse po. Dhe kështu, 32 vjet pasi Ukraina shpalli pavarësinë, ajo e gjen veten në pozicionin që duhet të mbrojë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit kundër një pushtimi ilegal dhe të paprovokuar. Republika e Kosovës qëndron plotësisht prapa Ukrainës në këtë mision të shenjtë. Vetëm këtë javë, ne iu bashkuam Deklaratës së Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën. Duke vepruar kështu, shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar gjithçka që mundemi për mbrojtjen e Ukrainës, në këtë orë nevoje.

Unë vazhdimisht e kam bërë të qartë këtë vullnet, si në publik ashtu edhe në takime me dyer të mbyllura, duke përfshirë mbledhjen e liderëve të kësaj jave në Athinë. Gjatë atij takimi, ishte nderi im që takoja personalisht Presidentin Zelenskyy. Shpresoj që në takimet e ardhshme të diskutojmë se si Kosova dhe Ukraina mund të punojnë së bashku për të promovuar më mirë vlerat dhe interesat tona të përbashkëta.

Një pjesë e angazhimit tonë ndaj popullit ukrainas që nga fillimi i luftës është të strehojmë deri në 5000 ukrainas të zhvendosur nga konflikti. Disa prej tyre janë sot këtu me ne, të cilëve u uroj një mirëseardhje të veçantë në këtë festë të Pavarësisë.
Fitimi i një lufte kërkon luftë në të gjitha frontet. Veçanërisht gazetarët ukrainas qëndrojnë në ballë të mbrojtjes së vendit. Në një epokë të shënuar nga lufta e informacionit, këta gazetarë – brenda dhe jashtë Ukrainës – kanë shërbyer vetë si ushtarë.

Pjesëmarrësit e programit tonë unik Gazetarët në Rezidencë janë vetë “Reporterët pa Kufij”. Edhe pse larg atdheut, ju vazhdoni të jepni kontribute jetike për vendin tuaj.

Në fakt, puna juaj sot sjell ndërmend rolin thelbësor që diaspora e Kosovës luajti gjatë luftës sonë për liri në vitet e 90-ës. Gjatë asaj periudhe të gjatë dhe të vështirë, shqiptarët e Kosovës që jetonin jashtë vendit e drejtuan vëmendjen e botës ndaj shtypjes dhe aparteidit, e më pas gjenocidit, që Serbia kreu ndaj popullit tonë. Në mënyrë të ngjashme, gazetarët ukrainas në Kosovë nuk po mbulojnë vetëm çështjet e brendshme të vendit të tyre, por gjithashtu po i formësojnë perspektivat ndërkombëtare për betejat dhe aspiratat e popullit të tyre. Kjo, me të vërtetë, është diçka për t’u festuar, dhe gjithashtu për t’u uruar.

Ne jemi krenarë që ju presim të gjithë në vendin tonë dhe jemi të kënaqur që jemi shtëpia juaj e dytë.

Gëzuar Ditën e Pavarësisë për të gjithë ju. Dhe le të mblidhemi së shpejti këtu përsëri për të festuar triumfin e ardhshëm të Ukrainës kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit.

Faleminderit.

Last modified: 25 Gusht, 2023

Comments are closed.