Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Programi për Diplomaci Qytetare është një nismë e jashtëzakonshme që bashkon profesionistë të rinj nga mërgata

15 Gusht, 2024

Prishtinë, 15 gusht 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e përmbylljes së programit për bursistët e gjeneratës së dytë në kuadër të Programit për Diplomaci Qytetare dhe mirëpritjen për bursistët e gjeneratës së tretë.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se Programi për Diplomaci Qytetare është një nismë e jashtëzakonshme që bashkon profesionistë të rinj nga mërgata, duke ju dhënë mundësi dhe duke i frymëzuar ata të kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin tonë politik, ekonomik, shoqëror, kulturor, përderisa në të njëjtën kohë, forcon lidhjen e thellë të tyre me rrënjët kulturore me vendlindje dhe Kosovën tonë të dashur.

“Qeveria jonë prej kohësh ka luajtur një rol jetik në mbështetjen, por paraprakisht mirënjohjen e rolit jetik të mërgatës dhe atë si një segment kyç i strategjisë sonë kombëtare. Diaspora jo vetëm që kontribuon ndjeshëm në rritjen tonë ekonomike, por gjithashtu sjell njohuri të vyera, ekspertizë profesionale dhe perspektiva globale. Për më tepër, diaspora shërben si një urë lidhëse mes Kosovës dhe botës, duke promovuar më të mirat e vendit tonë në arenën ndërkombëtare.” u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se nga gjenerata e parë, 80% e pjesëmarrësve kanë vazhduar punën në Kosovë, e ky trend tregon se po rritet. Nga 30% te gjenerata e parë, më shumë se 50% e pjesëmarrësve të gjeneratës së dytë kanë aspirata për të vazhduar angazhimin e qëndrimin këtu, disa prej të cilëve tashmë kanë nënshkruar kontrata për angazhim nga 1 shtatori.

“Gjatë këtij programi, kam pasur privilegjin që të takoj shumë nga këta individë të talentuar në raste të ndryshme. Përmes këtyre takimeve, kam fituar njohuri të drejtpërdrejta mbi të arriturat e tyre profesionale, sukseset dhe sfidat me të cilat ata përballen në angazhimin e tyre në Kosovë. Përkushtimi dhe vendosmëria e tyre janë vërtetë frymëzuese, dhe jam i sigurt se kontributet e tyre do të lënë një ndikim të përhershëm në vendin tonë.” tha kryeministri.

Më poshtë, fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Liza Gashi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
Të nderuar ministra e zëvendësministra të Qeverisë dhe të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore,
I nderuari z. Atdhe Hetemi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë,
Të dashur studentë e bursistë të programit, në veçanti të nderuar ju të reja e të rinj të diasporës sonë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Sot, shënojmë një moment të rëndësishëm ndërsa festojmë përfundimin e gjeneratës së dytë dhe mirëpritjen e gjeneratës së tretë të Programit për Diplomaci Qytetare, një program që, ndonëse i ri, tashmë ka filluar të krijojë një traditë solide dhe krenare.

Programi për Diplomaci Qytetare është një nismë e jashtëzakonshme që bashkon profesionistë të rinj nga mërgata, duke ju dhënë mundësi dhe duke i frymëzuar ata të kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin tonë politik, ekonomik, shoqëror, kulturor, përderisa në të njëjtën kohë, forcon lidhjen e thellë të tyre me rrënjët kulturore me vendlindje dhe Kosovën tonë të dashur. Me iniciativën dhe financimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, bursistët kanë një mundësi unike për t’u angazhuar drejtpërdrejt në institucione të ndryshme publike të Republikës së Kosovës. Me ç’rast kjo përvojë do të bëhet rruga nëpërmjet së cilës ata do të gjejnë mënyra të rëndësishme për të aplikuar përvojën, pasionin dhe aftësitë, e për të ndryshuar drejtimin e vendit gjithnjë për të mbarë.

Qeveria jonë prej kohësh ka luajtur një rol jetik në mbështetjen, por paraprakisht mirënjohjen e rolit jetik të mërgatës dhe atë si një segment kyç i strategjisë sonë kombëtare. Diaspora jo vetëm që kontribuon ndjeshëm në rritjen tonë ekonomike, por gjithashtu sjell njohuri të vyera, ekspertizë profesionale dhe perspektiva globale. Për më tepër, diaspora shërben si një urë lidhëse mes Kosovës dhe botës, duke promovuar më të mirat e vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Kontributi për atdheun është e drejtë e të gjithëve, e pothuajse të gjithë e konsiderojmë edhe detyrë të secilit. E detyra jonë si qeveri është ta kthejmë këtë të drejtë a detyrë, a të dyja këto në një mundësi konkrete, që ofron përputhjen më të mirë midis talenteve e përvojës së një personi dhe nevojave të vendit tonë të përbashkët.

Sot, jam shumë i lumtur të shoh më shumë se 50 të rinj dhe të reja nga diaspora, që i përfaqësojnë tri gjeneratat e programit CDF, të cilët kanë zgjedhur të kontribuojnë profesionalisht në Kosovë. Jam veçanërisht i kënaqur që disa prej tyre tashmë edhe kanë vazhduar që jetën, banimin, punën ta kenë edhe më tej në Kosovë.

Nga gjenerata e parë 80% e pjesëmarrësve kanë vazhduar punën në Kosovë, e ky trend tregon se po rritet. Nga 30% te gjenerata e parë, më shumë se 50% e pjesëmarrësve të gjeneratës së dytë kanë aspirata për të vazhduar angazhimin e qëndrimin këtu, disa prej të cilëve tashmë kanë nënshkruar kontrata për angazhim nga 1 shtatori.

E gjatë këtij programi, kam pasur privilegjin që të takoj shumë nga këta individë të talentuar në raste të ndryshme. Përmes këtyre takimeve, kam fituar njohuri të drejtpërdrejta mbi të arriturat e tyre profesionale, sukseset dhe sfidat me të cilat ata përballen në angazhimin e tyre në Kosovë. Përkushtimi dhe vendosmëria e tyre janë vërtetë frymëzuese, dhe jam i sigurt se kontributet e tyre do të lënë një ndikim të përhershëm në vendin tonë.

Me rritjen e programit, roli juaj do të zgjerohet për të përfshirë atë të mentorit, duke e rritur ndikimin jo vetëm në formësimin e të tashmes, por edhe në përcaktimin e të ardhmes për brezat në vijim.

Gjeneratës së dytë, ju uroj suksesin, gjeneratës së tretë, ju uroj mirëseardhje. Të gjithëve, ju falënderoj. Pres, po me padurim, që arritjet tuaja të ndritshme të ndriçojnë të ardhmen e vendit tonë.

Ju faleminderit!

Last modified: 15 Gusht, 2024

Comments are closed.