Kotor, 16 maj 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në Samitin e tretë të radhës të liderëve të Ballkanit Perëndimor Gjashtë për Planin e Rritjes me Bashkimit Evropian dhe prezencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe organizatat partnere të rajonit.
Në deklaratën e tij fillestare para se t’i bashkohej panelit për të diskutuar rreth planit të rritjes, kryeministri tha se ky takim, është një mundësi e shkëlqyer për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që të bashkohen dhe të diskutojnë se si mund të integrohen më tej duke bërë reforma në vend, por në të njëjtën kohë për të parë se si mund të bëjmë më shumë dhe më mirë me Bashkimin Evropian në kuptimin e përfitimit të programeve mbështetëse nga Plani i Rritjes së BE-së.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Mirëmëngjesi!
Jam shumë i lumtur që jam këtu në Kotorr, në Mal të Zi. 41 vjet më parë axha ishte i burgosur politik për tre muaj në Kotorr. Ai vjen nga një fshat Sukobinë i Komunës së Ulqinit, në kufi me Shqipërinë. 25 vjet më parë unë isha i burgosur politik dhe më vonë edhe i burgosur i luftës. Ishte koha kur regjimi i Millosheviqit po ushtronte gjenocid ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe te Mal të Zi kishim një mik. Refugjatët shqiptarë që po iknin nga projekti serb “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve gjetën strehë në Malin e Zi fqinj, që u soll me një mikpritje të pakushtëzuar, për të cilën jemi përjetësisht mirënjohës.
Pas disa vitesh në konferenca të ndryshme, tani jam kthyer në Kotorr, për herë të parë si Kryeministër i Kosovës dhe në të njëjtën kohë jam shumë i lumtur për axha i im është i lirë dhe me shëndet në Sukobinë, e që po i mbush të shtatëdhjetat këtë vit.
Takimi i tretë i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian është një mundësi e shkëlqyer për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që të bashkohen dhe të diskutojnë se si mund të integrohen më tej duke bërë reforma në vendet e tyre, por në të njëjtën kohë për të parë se si mund të punojnë më shumë dhe më mirë me Bashkimin Evropian në kuptimin e përfitimit të programeve mbështetëse nga Plani i Rritjes së BE-së, i cili në të njëjtën kohë do të na ofrojë qasje në tregun e vetëm të Bashkimit Evropian.
Këtë vit do të shënojnë 10-vjetorin e Procesit të Berlinit dhe mezi presim që të kemi bashkëpunim më të mirë që nënkupton njohje reciproke de fakto dhe de jure të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Me këtë rast, më lejoni të shpreh pakënaqësinë tonë me faktin që Bosnja dhe Hercegovina ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime për të cilën kemi rënë dakord 18 muaj më parë.
Në fund, më lejoni të falënderoj Kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq për mikpritjen dhe për këtë atmosferë të ngrohtë të këtij takimi të tretë për Planin e Rritjes së BE-së.
Faleminderit shumë dhe ju uroj të gjithë të mirat!
Përshëndetje të gjithë atyre të cilët kuptojnë shqip, posaçërisht kushërinjve të mi prej Sukobinës deri në Ulqin.
Last modified: 16 Maj, 2024