Kaçanik, 9 prill 2024
25 vite pas rënies heroike, Kryeministri i Republikës se Kosovës, Albin Kurti, në Kaçanik i përkujtoi 28 dëshmorët e kombit dhe 32 martirët të cilët u vranë nga forcat e armatosura të Serbisë gjatë betejave në Lagjen e Re dhe në Rakoc.
Gjatë homazheve, kryeministri Kurti vendosi kurora lulesh në vendin e rënies, pranë lapidarit të ngritur në Lagjen e Re, në Rakoc si dhe në Kompleksin Memorial “Varrezat e Dëshmorëve”, në Kaçanik. Nga atje rikujtoi se synimi gjenocidal i forcave serbe nuk kursente asnjë shtresë të shoqërisë sonë.
“Kur shkuam te lapidari në Rakoc, në mesin e emrave të shumtë që i pamë aty, ishte edhe emri i plakut 105 vjeçar, Nebih Livoreka, i lindur në vitin 1894. Pra, forcat e Serbisë okupatore, terorriste në ndërsymjen e tyre gjenocidale që synonte shfarosjen e shqiptarëve, nuk e kursyen edhe plakun 105 vjeçar, Nebih Livorekën”, u shpreh ai.
Duke nderuar të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit në betejat e Kaçanikut, kryeministri përmendi në veçanti katër gratë dëshmore të cilat duke mbrojtur popullsinë civile, ranë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me armikun.
“Është Mukadeze Lika Muhaxheri, janë Jehona dhe Lumnije Raka, dhe Emsale Frangu. Pra katër ushtare të UÇK-së, katër dëshmore të kombit sot që para 25 viteve ranë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike të Serbisë”, tha kryeministri duke kujtuar se Mukadeze Lika Muhaxheri në maj të vitit 1998, pra një vit para se të vrahej si ushtare e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, ka qëndruar stoikisht në ballë të protestave kundër dhunës së Serbisë, të organizuara në Kaçanik.
Të pranishëm në këto homazhe ishin edhe Getoar Mjeku, zëvendësministër i Ekonomisë, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues të nivelit qendror e lokal dhe qytetarë të shumtë.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Para se të shkojmë në Koshare ku shënohet 25-vjetori i betejës së famshme e cila e theu kufirin që i ndante shqiptarët dhe i dha hov të jashtëzakonshëm çlirimit të Kosovës, erdhëm këtu në Kaçanik për të nderuar dhe përkujtuar 28 dëshmorë të kombit dhe 32 martirë të cilët u vranë, të cilët ranë heroikisht para 25 viteve në betejen te Lagjja e Re dhe në Rakoc.
Kur shkuam te lapidari në Rakoc, në mesin e emrave të shumtë që i pamë aty, ishte edhe emri i plakut 105 vjeçar, Nebih Livoreka, i lindur në vitin 1894. Pra, forcat e Serbisë okupatore, terorriste në ndërsymjen e tyre gjenocidale që synonte shfarosjen e shqiptarëve, nuk e kursyen edhe plakun 105 vjeçar, Nebih Livorekën.
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptarë këtu në Kaçanik dhe kudo që ranë në beteja anë e mbanë Kosovës, e në veçanti lavdi katër grave dëshmore këtu në Kaçanik të cilat ranë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me armikun duke e mbrojtur popullsinë civile. Është Mukadeze Lika Muhaxheri, janë Jehona dhe Lumnije Raka, dhe Emsale Frangu. Pra katër ushtare të UÇK-së, katër dëshmore të kombit sot që para 25 viteve ranë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike të Serbisë. Mukadeze Lika Muhaxheri në maj të vitit 1998 ka qenë në ballë të protestave këtu në Kaçanik kundër dhunës së Serbisë dhe më pak se një vit më vonë ajo bie heroikisht në ballafaqim si ushtare e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.
Ju falemnderit.
Last modified: 9 Prill, 2024