Mynih, 12 tetor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka zhvilluar një takim me bashkatdhetarët që jetojnë në Mynih të Gjermanisë.
Në këtë takim ku është biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë, rolin e mërgatës, i cili vlerësohet lart nga qeveria dhe populli ynë, kryeministri Kurti theksoi se jemi krenar për lidhjet e forta që ekzistojnë me diasporën tonë.
Ai shtoi se jemi gjithashtu krenar me rolin e Gjermanisë dhe përjetësisht falënderues, duke theksuar rolin e rëndësishëm që Gjermania e ka luajtur në çlirimin e Kosovës.
Duke folur për mërgatën dhe rolin e saj, kryeministri tha se ajo është një faktor i cili jo vetëm ka ndihmuar Kosovën sidomos gjatë viteve të 90-ta, në luftë, para luftës e pas luftës, por pa të cilën çlirimi dhe zhvillimi i mëtejmë nuk do të ishte i mundur.
Duke vërë në pah se çdo përparim në Kosovë në çdo element e ka edhe meritën e diasporës, kryeministri Kurti tha se nëse para tri dekadave ju kemi ftuar që të kontribuoni duke sakrifikuar, tash ju ftojmë që të fitoni duke investuar.
“Brezi i të rinjve e të rejave që po edukohet këtu duhet ta shohë se ka dy mundësi për të jetuar e krijuar. Ky brez mund të jetë ai që fiton dijen gjermane në atdheun e vet dhe e fton dijen gjermane në atdheun e vet. Ne, me institucionet, ju kthejmë disi juve borxhin, dhe ju i tregoni shoqërisë e shtetit gjerman një vend të ri prodhimi, që prodhon edhe të mira edhe dije. Ne jemi për një Republikë të fuqishme dhe për një shoqëri të hapur. Si të tillë ne mund ta rrisim e ngrisim vendin tonë dhe shkojmë të qetë në çdo dialog të jashtëm nga i cili veçse fitojmë e përfitojmë për popullin tonë”, u shpreh kryeministri Kurti.
Në këtë takim, kryeministri Kurti i ka njoftuar bashkatdhetarët në Gjermani me të arriturat në këto tri vitet e fundit, duke potencuar se papunësia e përgjithshme në Kosovë në tri vitet e fundit ka rënë nga 25.8% në 10.7%, vendet e punës janë shtuar nga 350 mijë në pranverën e vitit 2021 në 425 mijë në vjeshtën e vitit 2024.
E arritur tjetër është ekonomia e vendit, për çka kryeministri tha se krahasuar me kohën kur erdhëm në qeverisje Bruto Produkti Vendor është rritur për 33 për qind, ndërkaq buxheti i shtetit për 35 për qind. Po ashtu, ai përmendi punën e qeverisë në luftimin e krimit dhe korrupsionit, përmirësimin në sistemin shëndetësor, e shumë fusha të tjera që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve tanë.
E në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti theksoi se është lehtësuar procesi i votimit të diasporës, duke i ftuar secilën e secilin të mund ta shfrytëzojnë të drejtën e votës për Kosovën.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar bashkatdhetar,
Të dashur përfaqësues të diasporës shqiptare këtu në Gjermani,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Sot është një ditë e veçantë për mua që jam në Mynih, në takim me bashkatdhetarët pas një kohe të gjatë që më bën posaçërisht të lumtur e të gëzuar.
Unë ju falënderoj nga zemra që e keni ndarë kohën edhe keni ardhur sot në këtë tubim na keni bërë bashkë, dikush nga ju e ka ndarë kohën e pushimit e dikush edhe të punës dhe në këtë mënyrë jemi mbledhur për një bisedë të hapur dhe të lirë mbi vendin tonë, Kosovën, mbi zhvillimet aktuale atje dhe rolin tuaj, i cili vlerësohet lart nga qeveria dhe populli ynë.
Është një kënaqësi të jem pra sot këtu, veçanërisht me zëvendëskryeministren dhe ministren Donika Gërvalla-Schwarz, e cila ka jetuar për një kohë të gjatë këtu në Gjermani para se të kthehej në Kosovë dhe Donika, është dëshmia që atë lloj brenge që nuk jemi as atje as këtu, mund ta kthejmë në shpresë edhe atje edhe këtu.
Me 120,000 shqiptarë që punoni dhe jetoni në Bavari, ne jemi krenarë për lidhjet e forta që ekzistojnë midis diasporës tonë dhe vendlindjes suaj. Jemi gjithashtu krenarë me rolin e Gjermanisë dhe përjetësisht falënderues, dëshiroj të theksoj rolin e rëndësishëm që Gjermania e ka luajtur në çlirimin e Kosovës dhe kjo ndihmë nuk ka qenë vetëm diplomatike dhe ekonomike, por edhe ushtarake.
Një prej momenteve historike që mbetet në kujtesën tonë është ai kur gjenerali gjerman Helmut Harff, gjatë një vizite në Prizren, iu dha ultimatum ushtarëve serb që ta lëshonin Kosovën. Kjo ndodhi në një moment kritik, ku vendimet e marra kishin një rëndësi historike, jetike për sigurinë e vendit tonë e të popullit tonë. Roli i gjeneralit Harff dhe i trupave gjermane, ushtarëve e oficerëve ishte ekzistencial në periudhën më të rëndë dhe ne e kujtojmë me nderim mbështetjen që kemi marrë nga Gjermania dhe partnerët tanë evropianë dhe sigurisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë një periudhe të vështirë për popullin tonë, kur dolëm fitimtarë për shekullin 20-të e për shekullin 21.
Por teksa jemi mirënjohës për mbështetjen ndërkombëtare e veçanërisht gjermane, çlirimi i Kosovës pa ju, të dashur bashkëkombës, nuk do të ishte i mundur.
Fjala “shac” e kam mësuar prej juve – që do të thotë “thesar” – ndonjëherë përdoret në Kosovë për t’iu përshkruar juve, mërgimtarë të Gjermanisë. Unë do të doja të theksoj se mërgimtarët tanë i konsideroj me të vërtetë ‘thesar’ të njohurive profesionale, mbështetjes politike dhe ndihmës financiare për vendin tonë, për atdheun tuaj. Edhe ne atje në Kosovë, që nuk e dimë gjermanishten, por po e mësojmë nga pak, kemi filluar t’i themi njëri tjetrit “shac”, por “shac” i themi vetëm atyre që e duan atdheun fort edhe kontribuojnë jashtëzakonshëm për vendlindje. Andaj, “shac”, kjo fjalë gjermane është bërë edhe titull në Kosovë. Pra, në Kosovë “shac” është një titull që duhet ta meritosh.
Të dashur bashkatdhetarë,
Mërgata jonë mbarë është një faktor i cili jo vetëm e ka ndihmuar Kosovën, sidomos gjatë viteve ’90, në luftë, para luftës e pas luftës, por pa të cilën çlirimi dhe zhvillimi i pasluftës nuk do të ishte i mundur.
Diaspora ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme me mbështetje financiare, me armatim, e me ushtarë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Dhe ne posaçërisht e vlerësojmë shqiptarin i cili nga Gjermania ku e kishte komoditetin, vjen në Shqipëri, merr uniformën, mbathë çizmet, shtrëngon pushkën edhe hyn në Kosovë për çlirim. Kontributi i mërgatës sonë kanë qenë jetik për çlirimin e Kosovës, duke ndihmuar në organizimin dhe fuqizimin e UÇK-së në një kohë kur vendi ynë përballej jo vetëm me sfida të papara, por edhe të paimagjinueshme. Gjatë atyre viteve të vështira, kur dinjiteti dhe liria e popullit tonë ishin në rrezik, Ushtria Çlirimtare e Kosovës përfaqësonte qëndresën dhe përpjekjen e shqiptarëve të Kosovës të cilët rezistencën paqësore e bënë kryengritje të armatosur. Mbështetja financiare nga mërgata ka ndihmuar jo vetëm në sigurimin e burimeve për armët edhe logjistikën e nevojshme, por gjithashtu edhe në krijimin e një ndjenje uniteti dhe vetëdije solidariteti midis shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit.
Ky angazhim i mërgatës nuk ka qenë thjesht ndihmë financiare, por ka simbolizuar përkrahjen e thellë për kauzën e drejtë të lirisë, e të demokracisë dhe ka forcuar besimin se shqiptarët mund të përballen me sfidat e tyre dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Mërgata jonë, falë historisë së vet komplekse, di shumë mirë një sekret. Le ta themi këtë sekret hapur sepse ka ardhur koha e shtetndërtimit. Kjo dashuri dhe ky përkushtim, që ekziston në një formë të këtillë vetëm këtu tek ju, ky përkushtim që ju e jetoni e ne e përjetojmë kudo që jeni ju, dhe që mua personalisht më mbush me krenari, është një dije e madhe.
Sekreti është i thjeshtë: shqiptari ka mësuar një herë e mirë se në të tashmen i shërbehet atdheut, kurse atdheu të shërben në të ardhmen. Atdheu është gjithnjë jeta jonë në të ardhmen. Kush e humb këtë rast, kush humb atdheun, nuk ka të ardhme. Ju e keni fituar këtë rast, ju e keni fituar atdheun, ju e keni nxjerrë atdheun fitimtar, e ardhmja është e juaja.
Të dashur bashkatdhetarë,
Çdo përparim që e shihni në Kosovë në çdo element e ka edhe meritën tuaj. Ju keni kontribuar në formësimin e të ardhmes së popullit tonë mbarë. Për çdo sukses që e vëreni, mund ta lavdëroni veten, sepse ju jeni pjesë thelbësore e atij suksesi.
Këto kontribute kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e vendit tonë pas luftës, duke ndihmuar në rindërtimin e infrastrukturës, në ngritjen e institucioneve, në demokratizimin e shoqërisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët tanë.
Sot, ne e pranojmë me mirënjohje këtë trashëgimi të fortë, duke e njohur se çdo markë gjermane dhe çdo euro evropiane dërguar në atë kohë ka ndihmuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Kosovën që e gëzojmë dhe e avancojmë sot.
E tash është koha që Kosova, në këtë rast Qeveria e Kosovës, e juaja dhe e jona, të bëjë diçka për mërgatën – t’ia kthejë atë borxh, edhe pse në të vërtetë nuk mund t’ia kthejë dot. Ndonëse veçse është duke u zbatuar, si qeveri, ne do të punojmë ngushtë me çdo Bundesland në Gjermani për të promovuar mësimin e gjuhës shqipe nëpër shkolla fillore dhe të mesme. Kush e di gjuhën shqipe mirë, e mëson më shpejtë dhe e flet më drejtë edhe gjermanishten. Si mërgatë, ju luani një rol vendimtar në forcimin e identitetit tonë. Dëshiroj të theksoj se sa e rëndësishme është që ju këtu të keni mundësinë për ta mësuar gjuhën e bukur shqipe. Dialogu ynë kombëtar do të ndodhë në gjuhën shqipe, e ardhmja jonë kombëtare do të flasë në shqip. Njohuritë gjuhësore janë çelësi i integrimit dhe mënyra më e mirë për t’i forcuar lidhjet tona, prandaj ne planifikojmë e ndajmë buxhet për mësimin e gjuhës. Mësimi i gjuhës shqipe është kushti dhe mundësia, është garancia që integrimi pa asimilim nuk është vetëm i dëshirueshëm, por edhe i mundshëm.
Brezi i të rinjve e të rejave që po edukohet këtu duhet ta shohë se ka dy mundësi për të jetuar e krijuar. Ky brez mund të jetë ai që fiton dijen gjermane në atdheun e vet dhe e fton dijen gjermane në atdheun e vet. Ne, me institucionet, ju kthejmë disi juve borxhin, dhe ju i tregoni shoqërisë e shtetit gjerman një vend të ri prodhimi, që prodhon edhe të mira edhe dije. Ne jemi për një Republikë të fuqishme dhe për një shoqëri të hapur. Si të tillë ne mund ta rrisim e ngrisim vendin tonë dhe shkojmë të qetë në çdo dialog të jashtëm nga i cili veçse fitojmë e përfitojmë për popullin tonë.
E tash shqiptarët që në atë kohë kanë punuar si “Gasterbeiter” në Gjermani, në BMW e MAN, sot së bashku me fëmijët e tyre, po kthehen në Kosovë dhe neve atje po na mësojnë konceptet si “Ausbildung” për të kontribuar në zhvillimin e arsimit dhe aftësive në vendin tonë. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për t’i forcuar lidhjet tona dhe për të investuar në të ardhmen e Kosovës. Këtu e pashë gjithashtu mes jush edhe udhëheqësin e Fondacionit BESA, i cili, përmes rrjetit të tij, ndihmon në implementimin e “Ausbildung” në Kosovë.
“Ausbildung” unë si kryeministër nuk e kam mësuar as nga përvoja ime e as nga librat që kam lexuar, por e kam mësuar prej juve. Dhe sot që po flasim në 14 komuna, 23 shkolla, 12 profile me rreth 1600 nxënësa e mësojnë dhe e praktikojnë “Ausbildung”.
Është thelbësore që t’ia mundësojmë mërgatës që të kthehet në Kosovë dhe për këtë të krijojmë kushte të favorshme për punë e zhvillim atje.
Prandaj, gjatë mandatit tonë, ne kemi arritur që t’i dyfishojmë edhe eksportet edhe investimet e huaja bashkë. Te investimet e huaja një pjesë e madhe janë pikërisht të mërgatës tonë. Andaj, nëse para tri dekadave ju kemi ftuar që të kontribuoni duke sakrifikuar, tash ju ftojmë që të fitoni duke investuar.
Fushat kyçe ku e kemi rritur investimin e shpenzimin janë mbrojtja e siguria, shëndetësia e arsimi dhe bujqësia e teknologjia. Qeveria ka paraparë projekte preliminare të investimeve në vijim, mbi 50 projekte infrastrukturore në këtë dekadë me një vlerë prej mbi 5 miliardë euro, ku bëjnë pjesë transporti me 2.5 miliardë, energjia me 1.5 miliardë dhe mjedisi me 1 miliardë. Këtë mund ta bëjmë dhe do ta bëjmë sepse duhet ta bëjmë bashkë edhe veçse bashku.
Papunësia e përgjithshme në Kosovë në tri vitet e fundit ka rënë nga 25.8% në 10.7%. Vendet e punës janë shtuar nga 350 mijë në pranverën e vitit 2021 në 425 mijë në vjeshtën e vitit 2024. Pra 75 mijë vende të punës më shumë, apo mbi 21 për qind rritje e punësimit. Tash është e vërtetë që jo vetëm që janë krijuar vende pune, por edhe janë formalizuar vende ekzistuese të punës, gjë që nuk është vetëm mirë për punëtorët që tash kanë kontrata të rregullta, por edhe për neve si shtet sepse na ndihmon të gjenerojmë më shumë të hyra për buxhetin, mund ta stimulojmë ekonominë vendore, si dhe të planifikojmë më mirë sistemin e pensioneve dhe sigurimet shëndetësore. E teksa punësimi është rritur për 21 për qind, mbrëmë raporti më i ri i Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka konstatuar që para katër vjetëve, po ta krahasojmë, paga mesatare në përgjithësi është rritur për 22 për qind, e posaçërisht në sektorin privat ku është rritur për 34 për qind.
Ekonomia e vendit, krahasuar me kohën kur erdhëm në qeverisje Bruto Produkti Vendor është rritur për 33 për qind, ndërkaq buxheti i shtetit për 35 për qind. Me këtë rast nuk e kemi rritur buxhetin me borxh, përkundrazi, borxhi publik i Kosovës ka rënë në 15 për qind.
E tash buxheti i ulët publik i shtetit tonë na ka kontribuar që të kemi pozicion të fuqishëm negociator me institucionet financiare ndërkombëtare dhe kemi marrë borxh, kemi marrë kredi të ndryshme me kamata edhe shumë më të ulta se shtetet e zhvilluara të Evropës perëndimore, pikërisht sepse e kemi bërë në kohën e duhur e në mënyrë të mençur e pikërisht për shkak se kemi pasur pozicion të fortë negociator nëpërmjet borxhit të ulët publik të shtetit tonë.
Ne do ta forcojmë edhe më tej ushtrinë tonë. E kemi dyfishuar buxhetin për mbrojtje, e kemi trefishuar buxhetin për armatim dhe e kemi katërfishuar trajnimet jashtë vendi për ushtarët e për oficerët tanë. Asnjë ministër, asnjë zëvendëskryeministër, as unë si kryeministër, kur udhëtojmë jashtë vendit nuk udhëtojmë me numër dyshifror të njerëzve. Udhëtojmë me 2, 3, 4 veta, përfshirë edhe dy të mbrojtjes së afërt. Shpenzimet më të mëdhaja për udhëtim nuk i kanë më në Kosovë politikanët dhe zyrtarët publikë, por i kanë ushtarët edhe oficerët. Ushtarët edhe oficerët udhëtojnë më së shumti jashtë vendit për trajnime, për ngritje të kapaciteteve edhe të aftësive krah për krah me ushtarët dhe oficerët e vendeve të NATO-s ku ne aspirojmë të anëtarësohemi sa më parë.
Lufta kundër krimit edhe korrupsionit kërkon një vullnet të fuqishëm politik, andaj edhe jemi të përkushtuar ndaj kësaj çështjeje. Nuk mund të jesh edhe patriot shqiptar edhe dëmtues i interesit publik apo i buxhetit të shtetit. Sot patriotizëm është të kontribuosh për shtetin dhe ta ruash buxhetin e shtetit. Përveçse me shembullin tonë kemi dëshmuar që edhe duam edhe është e mundur të qeveriset pa korrupsion. Gjithashtu kemi nisur edhe një proces vetingut dhe këtë duhet ta bëjmë për sistemin e drejtësisë në Kosovë, për gjyqësorin edhe Prokurorinë. Ajo çka ngelet prapa në Kosovë është fakti që reitingu, besueshmëria e gjyqësorit edhe prokurorisë nuk është as sa gjysma e reitingut edhe besueshmërisë së qeverisë. Ne kemi nevojë për gjyqtarë e për prokurorë aktiv e të mençur, me integritet profesional dhe personal. Prandaj na nevojitet vetingu dhe prandaj insistojmë në vetingun.
Pengesat që kemi pasur në vazhdimësi është fakti që edhe për procesin e vetingut në gjyqësor dhe prokurori duhet të kalosh nëpër gjyqësor dhe me muaj e vite të tëra shumë lëndë tejet të rëndësishme kanë ngelur të bllokuara dhe në fund të cunguara nga Gjykata Kushtetuese. Pra hendikepi që kemi pasur si Qeveri e Republikës së Kosovës është që reformat që ne i duam përfshirë edhe ato të gjyqësorit duhet fatkeqësisht të kalojnë edhe nëpër gjyqësor. Kemi shprehur durimin tonë, mirëpo në të njëjtën kohë kemi punuar me krejt çfarë kemi mundur e ditur që ta ndalim korrupsionin kudo që e hasim dhe ta pamundësojmë atë kudo që ai mund të rishfaqet.
Të nderuar të pranishëm,
Shumë nga bashkatdhetarët më kanë treguar se si po mendojnë të kthehen në Kosovë dhe se si ju ka dhimbtur kur kanë marrë vesh rezultatet e regjistrimit të popullsisë, ku Kosova ka dalë 1.6 milionë banorë. Tash fakti që kemi dal 1.6 milionë banorë tregon që jemi mbase mbi 1 milion në diasporë vetëm dy brezat e fundit, ai aktual dhe i prindërve të tyre. Mbi 1 milion banorë janë të Kosovës jashtë vendit, qytetarë të Republikës, por jo edhe në atdheun e tyre. Por, paralelisht me këtë informacion është rritur dëshira, është rritur gatishmëria e bashkatdhetarëve që ndoshta të kthehen një vit e ta provojnë në Kosovë, ta kalojnë pensionin atje, ta hapin një degë të biznesit apo edhe të kthehen përgjithmonë në vendlindjen e tyre, në atdheun e tyre.
Ajo çfarë unë kam has si vërejtjeje është gjendja e sistemit shëndetësor, sepse natyrisht që ne nuk mund të krahasohemi me Gjermaninë në këtë aspekt. Andaj, unë dua t’ju njoftoj se kemi bërë përmirësime të dukshme edhe në shëndetësi. Buxheti për shëndetësi, krahasuar me kohën kur erdhëm në qeverisje, është rritur për 50%, prej 233 milionë në mbi 345 milionë.
Kemi rritur fondin për listën e re të barnave esenciale, duke shtuar mbi 70 barna të reja për trajtimin e shumë sëmundjeve. Ndërkaq, buxheti për listën e barnave esenciale është rritur nga 24 milionë sa ka qenë, në 60 milionë apo 150% më shumë sa është tani. I kemi tri rezonanca të reja magnetike në spitalet e Pejës, Prizrenit dhe në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Për 20 vjet kanë qenë vetëm dy rezonanca. Tash për tri vjet janë edhe tri rezonanca të reja magnetike.
Klinika e re e Ortopedisë është përfunduar me kushtet më moderne, përfshirë 4 salla operative, ndërkaq Klinikat e Onkologjisë, Gjinekologjisë dhe Kardiokirurgjisë janë renovuar në tërësi. I kemi ndarë 6.5 milionë euro më shumë për barna për sëmundje të rralla, sepse është sofistikuar edhe diagnostikimi. Diagnostikimi i sëmundjeve të rralla në Kosovë ka çaluar shumë, e tash është zhvilluar, prandaj i kemi ndarë 6.5 milionë euro për barna për sëmundje të rralla, duke e sjellë një shtim prej 30% në fondin për trajtimin e tyre dhe duke e përmirësuar ndjeshëm kujdesin ndaj pacientëve. Pagat e specialistëve në shëndetësi janë rritur me 50%, duke arritur deri në 2 mijë euro me shtesa dhe kujdestari, duke u bërë pagat më të larta në rajon. Kurse e kemi miratuar njëkohësisht edhe Ligjin për Sigurimet Shëndetësore.
Unë e di që ka shumë fjalë se si po paguhen pak mjekët në Kosovë, mirëpo paga e specialistit në Kosovë, është më e lartë se paga ime.
Të dashur bashkatdhetarë,
Për fund, por jo për nga rëndësia siç thuhet, duhet të përmend atë që ne jemi zotuar edhe është e kohës, e ky është votimi i lehtësuar i mërgatës tonë. Tash votimit të mëhershëm përmes postës në KQZ ja kemi shtuar edhe dy mënyra të reja: të drejtën e secilit qytetar e bashkatdhetar për të votuar, votimi direkt në Ambasadë apo nëpër Konsullata si dhe dërgimi përmes postës nga qyteti a qyteza ku ju jetoni këtu në Gjermani drejt Ambasadës apo Konsullatës së Republikës sonë në Gjermani.
Por, siç e dini fillimisht duhet të regjistroheni dhe këtë nuk është mirë ta leni për në fund, por që tani, sepse ditët ikin shpejt e afatet afrohen. 26 dhjetori është dita e fundit për regjistrim, kështu që njoftoni familjarët e farefisin, miqtë, kolegët e bashkëpunëtorët, që ta bëjnë një gjë të tillë në mënyrë që të gjithë ju, secila e secili prej jush të mund ta shfrytëzoni të drejtën tuaj për Kosovën tuaj.
Faleminderit shumë!
Last modified: 12 Tetor, 2024