Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në përurimin e shërbimit të Kardiologjisë Intervente në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit: Do të ndihmojë të shpëtojë jetë dhe ta ulë listën e pritjes

14 Qershor, 2024

 

Prizren, 14 qershor 2024

Sot në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit u përurua shërbimi më i ri i Kardiologjisë Intervente, ngjarje në të cilën mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.

Shërbimi i cili fillon nga sot dhe që u cilësua jetik nga kryeministri Kurti, u funksionalizua falë bashkëpunimit të Qeverisë së Luksemburgut e cila ka ndarë 2 milionë euro, dhe Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht ShSKUK-së me investim që kap vlerën rreth 1 milion euro.

“Tash shërbimi i ri do të mbuloj të gjithë rajonin e Prizrenit, do të ndihmojë të shpëtojë jetë dhe ta ulë listën e pritjes. Fillimisht, shërbimi do të trajtojë pacientët nga lista e pritjes së rajonit të Prizrenit, ndërkaq rastet akute do të trajtohen menjëherë”, deklaroi kryeministri, i cili shtoi se ky investim përfshin të gjitha pajisjet e nevojshme mjekësore, inventarin dhe trajnimet profesionale për stafin brenda dhe jashtë Kosovës.

Krahas reduktimit të kohës së pritjes së pacientëve, pritshmëritë për rezultatet nga ky investim janë edhe shërbimet me cilësi të lartë e me kosto minimale për qytetarët, derisa pritet që shërbimi të ketë ndikim edhe në uljen e shkallës së vdekshmërisë në rajonin e Prizrenit.

Kryeministri Kurti vlerësoi se zgjerimi i këtij shërbimi është i domosdoshëm jo vetëm për shkak të rritjes së numrit të rasteve, por edhe meqenëse suksesi varet shumë nga koha e ndërhyrjes.

“Në vitin 2023 kemi pas performancë rekorde. Kemi pasur në shërbimin tonë të Kardiologjisë mbi 4,100 procedura të kryera, përfshirë këtu 2,500 vendosje stentesh. Ndërkaq, 4 vjet më parë, në vitin 2019, ishin 3,300 procedura dhe mbi 1,700 vendosje stentesh”, shpjegoi tutje ai.

Falënderime dhe mirënjohje kryeministri shprehu për Qeverinë e Luksemburgut dhe personelin shëndetësor, derisa i uroi të gjithë për inaugurimin e sotëm. 

Ngjashëm, Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, Narqize Arenliu Hoxhaj, duke falënderuar Qeverinë e Luksemburgut dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës tha se dita e sotme është një ngjarje me rëndësi të veçantë sepse ky shërbim ofron mundësi që të shpëtojmë jetë, pasi që reagimi adekuat dhe i shpejt është i rëndësishme në emergjencat kardiake.

Në anën tjetër, duke theksuar se kujdesi shëndetësor është e drejtë fundamentale e njeriut, Ambasadori i Luksemburgut, Eric Dietz, deklaroi se Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit është një dëshmi e përpjekjeve tona të përbashkëta dhe bashkëpunimit drejt qëllimit tonë për të krijuar spitale dhe infrastrukturë moderne.

“Luksemburgu ka mbështetur sektorin shëndetësor të Kosovës për pothuajse dy dekada dhe kontribuoi në ndryshime thelbësore në ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor”, shtoi ai duke u shprehur i lumtur që sot së bashku po shohim rezultatet e arritura si produkt i bashkëpunimit.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre në Qeverinë e Republikës së Kosovës,

I nderuar z. Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë,

Të nderuar zëvendësministra dhe deputetë,

Shkëlqesia Juaj, Ambasadori Eric Dietz, nga Luksemburgu këtu në Republikën tonë dhe ekip që ka ardhur nga Qeveria e Luksemburgut me rastin e këtij inaugurimi shumë të rëndësishëm, 

I nderuar z. Elvir Azizi, drejtor i ShsKuK-së,

E nderuar znj. Narqize Arenliu Hoxhaj, Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren,

Primarius Daut Mustafa,

Të nderuar të pranishëm,

Mjekë, mjeke, infermiere e infermierë, staf,

Zonja dhe zotërinj,

Unë jam shumë i nderuar dhe i gëzuar që ndodhem sot në mesin tuaj për të bërë këtë inaugurim të rëndësishëm të Shërbimit të Kardiologjisë Intervente këtu në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren.

Në vitin 2023 kemi pasus performancë rekorde. Kemi pasur në shërbimin tonë të Kardiologjisë mbi 4,100 procedura të kryera, përfshirë këtu 2,500 vendosje të stendave. Ndërkaq, 4 vjet më parë, në vitin 2019, ishin 3,300 procedura dhe mbi 1,700 vendosje të stendave. Zgjerimi i këtij shërbimi që po e bëjmë sot është i domosdoshëm jo vetëm për shkak të rritjes së numrit të rasteve, por edhe para kësaj, edhe më shumë se kaq, meqenëse suksesi varet shumë nga koha e ndërhyrjes.

Tash shërbimi i ri do të mbulojë të gjithë rajonin e Prizrenit, do të ndihmojë të shpëtojë jetë dhe ta ulë listën e pritjes. Fillimisht, shërbimi do të trajtojë pacientët nga lista e pritjes së rajonit të Prizrenit, ndërkaq rastet akute do të trajtohen menjëherë. Shërbimi do të fillojë sot në bashkëpunim me kardiologët nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Më lejoni që edhe në emrin e të gjithë juve të falënderoj Qeverinë e Luksemburgut, e cila i ka alokuar 2 milionë euro për funksionalizimin e Shërbimit të Kardiologjisë Intervente, si pjesë e Projektit që mbanë shifrën KSV/017 – Faza II. E ky investim përfshin të gjitha pajisjet e nevojshme mjekësore, inventarin dhe trajnimet profesionale për stafin brenda dhe jashtë Kosovës. Adaptimi i hapësirës është investim nga Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht nga ShSKUK-ja që kap vlerën rreth 1 milion euro.

Tash, plani arkitekturor për ndërtimin e objektit është përpiluar qysh në vitet 2018-2019, punimet kanë filluar në vitin 2020 dhe tash kemi përfundimin e tyre dhe inaugurimin e këtij shërbimi jetik për qytetarët e Prizrenit dhe të rajonit këtu.

ShSKUK-ja ka siguruar të gjitha materialet shpenzuese dhe medikamentet e nevojshme, ndërkaq mbështetje profesionale do të ofrohet po ashtu rregullisht nga ShSKUK-ja, përfshirë praninë, mbështetjen e kardiologjive intervent dhe stafit infermieror gjatë procedurave.

Ajo çfarë presim të jenë rezultatet është reduktimi i kohës së pritjes për pacientet në rajonin e Prizrenit, e koha e pritjes në këto raste është ekzistenciale, është jetike për pacientët. Mandej, qytetarët do të kenë qasje në shërbime me cilësi të lartë e me kosto minimale dhe shërbimi ta ulë shkallën e vdekshmërisë në rajonin e Prizrenit.

Ju faleminderit të gjithëve dhe gëzuar të gjithëve.

 

Last modified: 14 Qershor, 2024

Comments are closed.