Prishtinë, 10 qershor 2024
Në kuadër të aktiviteteve në shënim të 25-vjetorit të çlirimit të shtetit tonë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën shkencore për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe Çlirimit të Kosovës: ‘’Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje- qasje multidisiplinare”, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Më vjen mirë që javën gjatë të cilës do ta shënojmë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, po e nisim pikërisht me një konferencë shkencore dhe pikërisht këtu në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Sepse historia dhe trashëgimia e luftës në Kosovë, kanë aq shumë nevojë për t’u studiuar, hulumtuar dhe për t’u shkencëruar. Ngase ne si shoqëri dhe si shtet, kemi nevojë për diskurse të mirëfillta shkencore dhe për narracione sa më të plota dhe të vërteta historike për luftën tonë”, e filloi kryeministri Kurti fjalën e tij hyrës para të pranishmëve në këtë konferencë.
Ai rikujtoi se si 25 vjet më parë, në mes të muajit qershor të vitit 1999, populli i Kosovës po i përjetonte ditët e fundit të luftës dhe ditët e para të çlirimit.
“Më 10 qershor 1999, NATO i dha fund fushatës së bombardimeve mbi Jugosllavi pas 78 ditësh bombardime. Në New York, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e miratoi Rezolutën 1244 me të cilën e autorizonte vendosjen e një force ushtarake dhe civile në Kosovë. Po atë ditë, UNHCR-ja njoftonte se gjatë gjithë luftës në Kosovë, 862,979 refugjatë ishin dëbuar jashtë Kosovës dhe se sfida e radhës ishte organizimi i kthimit të tyre”, u shpreh kryeministri. derisa theksoi se po nga kjo organizatë atëkohë, më 3 gusht, u njoftuam se 90 % të refugjatëve ishin kthyer në Kosovë, në mënyrë spontane dhe të vetëorganizuar.
Me kthimin e refugjatëve në Kosovë, bashkë me 120 mijë shtëpi të shkatërruara dhe të djegura që i gjetën ata, siç tha kryeministri, u shuan edhe shpresat e politikës së shtetit të Serbisë, që plani i tyre i gjenocidit përmes Operacionit Patkoi, të kishte të paktën pjesërisht sukses për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët vendas.
“Më 11 qershor, trupat ushtarake të NATO-s nisën të hynë në territorin e Kosovës nga toka dhe nga ajri, duke e vendosur kontrollin e tyre në tërë vendin tonë”, u shpreh tutje kryeministri Kurti, derisa përmendi mbi 10,000 viktimat civile që kanë humbur jetën në luftën e fundit në Kosovë, mes tyre 1133 fëmijë dhe mbi 3000 burra dhe gra, të cilët ranë dëshmorë të lirisë. Ai shtoi se në më pak se dy vite luftë, disa mijëra gra dhe burra u dhunuan dhe torturuan, ndërkaq mbi gjysmë milioni njerëz u zhvendosën si refugjatë brenda Kosovës.
Duke uruar punime të mbara gjatë kësaj konferencë, kryeministri Kurti tha se tashmë kemi nevojë për shumë studime shkencore dhe botime akademike për gjithë çfarë ka ndodhur gjatë gjithë luftës në vendin tonë, në mënyrë që diskutimet dhe debatet tona, hulumtimet dhe studimet, shkrimet dhe botimet, të bëhen më akademike, shkencore, konceptuale dhe më teorizuese.
Kjo konferencë shkencore u organizua nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku të pranishëm ishin Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe akademikë të tjerë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari z. Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
I nderuar z. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,
I nderuari president Fatmir Sejdiu dhe i nderuari president Alfred Moisiu,
Të nderuar anëtarë të dy akademive tona të Kosovës dhe të Shqipërisë,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues, akademikë të pranishëm,
Zonja dhe Zotërinj,
25 vjet më parë, në mes të muajit qershor të vitit 1999, populli i Kosovës po i përjetonte ditët e fundit të luftës dhe ditët e para të çlirimit. Sikur sot, një çerek shekulli më parë, më 10 qershor 1999, NATO i dha fund fushatës së bombardimeve mbi Jugosllavi pas 78 ditësh bombardime. Në New York, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e miratoi Rezolutën 1244 me të cilën e autorizonte vendosjen e një force ushtarake dhe civile në Kosovë. Po atë ditë, UNHCR-ja njoftonte se gjatë gjithë luftës në Kosovë, 862,979 refugjatë ishin dëbuar jashtë Kosovës dhe se sfida e radhës ishte organizimi i kthimit të tyre. Ditët në vijim treguan që kjo sfidë nuk ishte siç e kishin menduar zyrtarët e UNHCR-së, sepse më 3 gusht, kjo organizatë njoftonte që 90 % të refugjatëve ishin kthyer në Kosovë, në mënyrë spontane dhe të vetëorganizuar pa çka se ata i gjetën 120 mijë shtëpi të tyre të shkatërruara apo të djegura. Me këtë u shuan edhe shpresat e politikës së shtetit të Serbisë, që plani i tyre i gjenocidit përmes Operacionit Patkoi, të kishte të paktën pjesërisht sukses për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët vendas.
Një ditë më herët, më 9 qershor 1999, në Kumanovë, Komandanti i KFOR-it, gjenerali britanik Michael Jakson dhe dy gjeneralë serbë, Svetozar Marjanoviq dhe Obrad Stefanoviq, i kishin vendosur firmat e tyre mbi dokumentin e Marrëveshjes Ushtarako Teknike duke i dhënë fund ushtarakisht dhe juridikisht luftës së Kosovës. Të gjitha forcat e armatosura serbe dhe jugosllave i kishin 11 ditë afat kohor për t’u tërhequr nga Kosova, deri më 20 qershor. Tutje, ato duhej të vazhdonin thellë në territorin serb, pasi Marrëveshja e Kumanovës parashihte një Zonë Tokësore të Sigurisë prej 5 kilometrash dhe një Zonë Ajrore të Sigurisë prej 25 kilometrash.
Në anën tjetër në terren, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përgatiteshin të hynin në të gjitha qytetet e Kosovës. Ditët e mesit të qershorit 1999, ishin nga ato ditët e pakta dhe rastet e rralla kur të gjithë e dijnë se po jetojnë një kohë me peshë historike. Më 11 qershor, trupat ushtarake të NATO-s nisën të hynë në territorin e Kosovës nga toka dhe nga ajri, duke e vendosur kontrollin e tyre në tërë vendin tonë.
Mbi 10,000 viktima civile e kishin humbur jetën nga mbi 13,500 sa do të rezultonte shifra totale e njerëzve të vrarë gjatë gjithë luftës në Kosovë. Mes tyre, 1133 ishin fëmijë, kurse diku mbi 3000 burra dhe gra ishin vrarë me armë në duar, duke rënë dëshmorë të lirisë. Kosova ishte mbushur me varre të të vrarëve nga masakrat dhe ekzekutimet në masë, ndërsa kufomat e shumë shqiptarëve të vrarë, ishin transportuar dhe fshehur nëpër varreza masive në Serbi. 950 shqiptarë gjithsej zbulohen në ato varreza, 744 vetëm nga varreza masive në Batajnicë në periferi të Beogradit, që edhe sot e kësaj dite shërben si polygon për ushtrinë dhe policinë pa asnjë pllakë të vetme përkujtimore se aty dikur kishte një varrezë masive. Disa mijëra gra dhe disa burra gjithashtu, ishin dhunuar dhe torturuar, ndërkaq mbi gjysmë milioni njerëz ishin zhvendosur si refugjatë brenda Kosovës. Të gjitha këto kishin ndodhur në më pak se dy vite luftë. Ndërkaq, vite të tëra do ta prisnin Kosovën përpara kah e ardhmja, si vite të kthimit dhe të rindërtimit, dhe më pas si vite të pavarësimit e të shtetndërtimit.
Gjatë këtyre 25 vjetëve të pasluftës, janë organizuar panumër akademi përkujtimore dhe konferenca shkencore për luftën e Kosovës, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për dëshmorët e rënë për liri; për të vrarët në masakra dhe për viktimat e çdo kategorie; për bombardimet mbi Jugosllavi dhe për hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë; për refugjatët e shpërndarë gjithandej globit dhe për kthimin e tyre në Kosovë.
Të dominuar nga kujtimet dhe përjetimet e luftës, të rënduar nga vuajtjet dhe nga traumat, akademitë përkujtimore dhe konferencat tona shkencore, deri tani kanë qenë më shumë përkujtimore se sa akademi, më shumë faktografike dhe më pak shkencore. Tani që po bëhen 25 vjet nga lufta e Kosovës, kur një brez i tërë i lindur pas luftës është rritur dhe maturuar, është koha e duhur që diskutimet dhe debatet tona, hulumtimet dhe studimet tona, shkrimet dhe botimet tona, të shkojnë secilën herë e më shumë duke u bërë më akademike dhe më shkencore, më konceptuale dhe më teorizuese.
Andaj më vjen mirë që javën gjatë të cilës do ta shënojmë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, po e nisim pikërisht me një konferencë shkencore dhe pikërisht këtu në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Sepse historia dhe trashëgimia e luftës në Kosovë, kanë aq shumë nevojë për t’u studiuar, hulumtuar dhe për t’u shkencëruar. Ngase ne si shoqëri dhe si shtet, kemi nevojë për diskurse të mirëfillta shkencore dhe për narracione sa më të plota dhe të vërteta historike për luftën tonë. Kemi nevojë për shumë studime shkencore dhe gjithashtu për botime akademike për gjithë çfarë ka ndodhur gjatë gjithë luftës në vendin tonë: për viktimat e luftës, për luftëtarët e lirisë, për dëmet e luftës, për kujtesën kolektive të luftës, për gjykimet për krime të luftës, për masakrat dhe për gjenocidin, pastaj për hyrjen e papritur të ushtarëve rusë me 11 qershor 1999 në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës dhe largimin e tyre në vitin 2003, intervenimet ushtarake humanitare dhe për mësimet prej tyre, si në histori, ashtu edhe në ushtri dhe diplomaci.
Duke ju uruar mbarësi në punimet e kësaj konference shkencore, urime të gjithëve për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. E paçim Kosovën gjithmonë të lirë dhe të pavarur!
Ju faleminderit!
Last modified: 10 Qershor, 2024