Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në konferencën rajonale me temë “Të bashkuar kundër dhunës- MJAFT!”: Secila vajzë e grua, secila, duhet të ndjehet e lirë, e sigurt dhe e pacenuar për të jetuar

5 Dhjetor, 2023

Prishtinë, 5 dhjetor 2023

Me një minutë heshtje për vrasjen e Liridona Ademaj, e nisi fjalën e tij Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën rajonale, bashkë organizim i Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës së Presidencës, me temë “Të bashkuar kundër dhunës – MJAFT!”.

Në fjalën e tij, ai tha se zbardhja e plotë e rastit të Liridonës është drejtësi, e i drejtë presim të jetë dënimi, pra maksimal, teksa shprehu nga aty edhe një herë ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe uroi shëndet për fëmijët e saj.

Theksoi se po punojmë në krijimin e një mjedisi ligjor të fuqishëm kundër dhunës me bazë gjinore, duke plotësuar dhe ndryshuar kodin e procedurës penale, duke ashpërsuar masat për kryesit e veprave penale të dhunimit, dhunimit seksual dhe të dhunës në familje. Në të njëjtën kohë është përmirësuar qasja në shërbime sociale duke i ngritur mbështetjen për këto shërbime dhe duke siguruar qëndrueshmëri financiare për strehimoret e të mbijetuarave të dhunës në familje, përmes rritjes së buxhetit dhe linjës së veçantë buxhetore për to.

Megjithëkëtë, kryeministri shtoi se kemi nevojë që i tërë sistemi i drejtësisë t’i bëjë prioritet trajtimin e rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave, dhe të jap dënime meritore për dhunuesit, për kriminelët.

“Nuk kemi si ta themi më prerazi që na duhet dënim meritor. Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit. Vënia e drejtësisë është kusht i domosdoshëm për një shoqëri të lirë dhe demokratike, çfarë ne duam të jemi dhe do të aspirojmë të mbetemi përherë”, u shpreh ai.

Si institucione por edhe si shoqëri kemi për detyrë që të angazhohemi në betejën për barazi në të drejta, tha ndër të tjerash kryeministri.

“Askush, as gruaja e as burri, as vajza e as djali, nuk janë pronë e askujt. Të gjithë njerëzit janë të lirë, me të drejta të barabarta. Ne besojmë në të drejtat e njeriut, dhe të drejtat e njeriut e bëjnë bashkë universalitetin dhe barazinë”, deklaroi kryeministri.

Më tej, nënvizoi se është koha e fundit, që të vetëdijesohemi e të veprojmë së bashku, ne që mendojmë e diskutojmë së bashku, derisa bëri thirrje që shkollat tona publike e private, mediat tona publike e private, artistët e sportistët, personat që kanë ndikim të shtuar në shoqëri, të gjithë t’i evitojnë mesazhet, porositë publike, private që mund të shihen si nxitëse apo justifikuese të dhunës, dhe duhet të bashkohen në fushatën tonë kundër dhunës me bazë gjinore.

“Cinizmi e sarkazmi ju ndihmojnë kriminelëve, janë mbështetje për dhunuesit. Po të veprojmë së bashku, me solidaritet të pakushtëzuar, të pakursyer, e të parezervë, në këtë betejën tonë, jam i sigurt që do ta mposhtim dhunën, diskriminimin dhe pabarazitë”, tha ai, ashtu që secila vajzë e grua, secila, duhet të ndjehet e lirë, e sigurt dhe e pacenuar për të jetuar.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të nderuara zëvendëskryeministre të Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj.Donika Gërvalla Schwarz dhe znj.Emilija Rexhepi,
E nderuara znj.Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë në Republikën e Kosovës,
I nderuari z.Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë,
I nderuari, z.Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut,
E nderuara, znj.Vedrana Shimunxha-Nikoliq, zëvendësministre në Ministrinë e Drejtësisë në Republikën e Kroacisë,
E nderuara znj.Iris Luarasi, ish-kryetare e GREVIO, Group of Experts on Action against Violence against Women and Domestic Violence,
Shkëlqesi ambasadorë,
Të nderuar ministra të Qeverisë, deputetë të Kuvendit, përfaqësues e drejtues të institucioneve të shtetit,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Po ndodhë çdo vit sepse rastet janë të shpeshta. Por shpesh është edhe një. Edhe vetëm një rast është shpesh. Meqenëse nuk duhet asnjë. Liridona Ademaj u rivarros dje. Rivarrimi i saj është një akt i drejtë. Andaj në kujtim të saj ju lus të ngriheni në këmbë për një minutë heshtje. U prehtë në paqe.

Zbardhja e plotë e rastit të Liridonës është drejtësi, e i drejtë presim të jetë dënimi, pra maksimal. I shpreh edhe nga këtu ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe uroj shëndet për fëmijët e saj.

Rastet e rënda si këto nuk mund të na lejojnë t’i mbyllim sytë para dhunës së përhapur gjinore.

Po punojmë në krijimin e një mjedisi ligjor të fuqishëm kundër dhunës me bazë gjinore, duke plotësuar dhe ndryshuar kodin e procedurës penale, duke ashpërsuar masat për kryesit e veprave penale të dhunimit, dhunimit seksual dhe të dhunës në familje.

Kemi përmirësuar qasjen në shërbime sociale duke i ngritur mbështetjen për këto shërbime dhe duke siguruar qëndrueshmëri financiare për strehimoret e të mbijetuarave të dhunës në familje, përmes rritjes së buxhetit dhe linjës së veçantë buxhetore për to.

Kujdesi për funksionimin e të gjithë mekanizmave ndërveprues prej raportimit deri te trajtimi, hetimi, gjykimi, pra te drejtësia përfundimtare, është dhe do të jetë prioritet i lartë në qeverinë tonë.

Por ajo çfarë na duhet më së shumti tani, çfarë i duhet shoqërisë dhe drejtësisë, është një sistem prokurorial dhe gjyqësor shumë më aktiv e shumë më efektiv.

Pesha e padrejtësive nuk mund të vazhdojë të bie mbi supet e grave dhe të vajzave. As mbi supet e fëmijëve e të pleqve. As mbi supet e të varfërve e të shtypurve. As mbi supet e personave të sfiduar nga çfarëdo rrethane tjetër. Institucionet janë të obliguara të jenë gjithmonë përkrah atyre që u bëhet ndonjë padrejtësi, çfarëdo padrejtësie.

Si institucione por edhe si shoqëri kemi për detyrë që të angazhohemi në betejën për barazi në të drejta. Të punojmë për shenjtërinë e paprekshmërinë e secilit individ, pavarësisht zgjedhjeve që ajo ose ai i bën në jetë. Ne nuk mund të vendosim për jetën e askujt. Askush, as gruaja e as burri, as vajza e as djali, nuk janë pronë e askujt. Të gjithë njerëzit janë të lirë, me të drejta të barabarta. Ne besojmë në të drejtat e njeriut, dhe të drejtat e njeriut e bëjnë bashkë universalitetin dhe barazinë.

Të nderuar të pranishëm,

Disa prej rasteve më të rënda gjatë luftës në Kosovë, kanë qenë kur forcat serbe dhunuan vajza e gra, dhe në shumë raste, edhe në prani të familjarëve. Në qendër të kryeqytetit tonë, Prishtinës, e kemi memorialin “Heroinat”, kushtuar 20 mijë grave e vajzave, të dhunuara gjatë luftës. Ne që përkulemi tek ai memorial, kemi përgjegjësinë që të luftojmë bashkë këto raste të shndërruara në dukuri, kur gratë dhe vajzat e vendit tonë të lirë po dhunohen dhe vrahen, madje edhe në prezencën e fëmijëve të tyre. E gjithë kjo nga vet partnerët e tyre, burrat e kësaj shoqërie.

Është fakt, që dhuna ndaj grave është fenomen global, i lidhur edhe me valën në ngritje të ekstremit të djathtë, e megjithatë është një dozë edhe më e thellë e dhembshurisë kur femicidi shfaqet në një shoqëri edhe pas mbijetimit kolektiv të gjenocidit.

Në tentim për të kuptuar se çfarë po ndodhë, është me rëndësi të pyesim se në shoqërinë tonë ku është gruaja e ku është burri?

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Vitin e kaluar, në ditën e parë të fushatës 16 ditore kundër dhunës me bazë gjinore, Sadije Godeni u vra me sëpatë nga burri i saj, gjatë kohës sa ishte në gjumë.

Pak ditë më vonë Hamide Magashi, shtatzënë, u vra nga burri i saj në oborrin e Qendrës Klinike Universitare.

Dhunë dhe vrasje, dhunë dhe vrasje, që po merr jetë të grave tona.

Vrasjet e fundit. Vrasja e porositur e Liridona Ademajt nga burri i saj, dhe kidnapimi nga shkolla e më pas vrasja e 14 vjeçares Vanja Gjorçevska në Shkup, na ka rënduar mendjet dhe zemrat tona.

Porositësit dhe kryesit e rastit të Liridonës janë zënë dhe janë vënë prapa grilave. Policia syçelë si kurrënjëherë po vepron shpejtë e me efikasitet të lartë. Por nuk po mjafton vetëm arrestimi i kriminelëve, sepse tash ata po e dinë që ka raste të ngjashme, e jo të pakta kur kriminelët lirohen e veprat po përsëriten, e madje edhe më rëndë se herën e parë.

Kemi nevojë që i tërë sistemi i drejtësisë t’i bëjë prioritet trajtimin e rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave, dhe të jap dënime meritore për dhunuesit, për kriminelët. Nuk kemi si ta themi më prerazi që na duhet dënim meritor. Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit. Vënia e drejtësisë është kusht i domosdoshëm për një shoqëri të lirë dhe demokratike, çfarë ne duam të jemi dhe do të aspirojmë të mbetemi përherë.

Është koha e fundit, që të vetëdijesohemi e të veprojmë së bashku, ne që mendojmë e diskutojmë së bashku. Cinizmi e sarkazmi ju ndihmojnë kriminelëve, janë mbështetje për dhunuesit. Duhet që shkollat tona publike e private, mediat tona publike e private, artistët e sportistët, personat që kanë ndikim të shtuar në shoqëri, të gjithë t’i evitojnë mesazhet, porositë publike, private që mund të shihen si nxitëse apo justifikuese të dhunës, dhe duhet të bashkohen në fushatën tonë kundër dhunës me bazë gjinore. Po të veprojmë së bashku, me solidaritet të pakushtëzuar, të pakursyer, e të parezervë, në këtë betejën tonë, jam i sigurt që do ta mposhtim dhunën, diskriminimin dhe pabarazitë.

Secila vajzë e grua, secila, duhet të ndjehet e lirë, e sigurt dhe e pacenuar për të jetuar. Vetëm në këtë mënyrë ka kuptim secili funksion që mbartim në shoqëri dhe secila pozitë që kemi në institucione.

Ju falemnderit.

 

Last modified: 5 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×