Prishtinë, 7 qershor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në ceremoninë komemorative në nderim dhe përkujtim të profesorit, piktorit si dhe akademikut të shquar, Rexhep Ferrit, që u mbajt në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“I biri i Shaban Ferrit, mësues i dalluar, i cili hapi shkollat e para shqipe në Tropojë, Pukë e Kukës, do të kujtohet përherë si artisti modernist me stilin më të veçantë. Nuk mund ta shohësh një vepër të Rexhepit dhe të mos e njohësh artistin. Ai pikturoi rreth shtatë dekada, tani piktura e tij do të flet panumër dekada për të. Studentët e tij tregojnë se ai kishte një dhunti e pasion për punën e tij si pedagog dhe edukator ku nxirrte në pah potencialet e fshehura e vullnetet e shtypura të të gjithë atyre.”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.
Vepra e tij është shumë e madhe e arti i tij është pasqyrim i përjetshëm i qenies sonë kombëtare, u shpreh kryeministri Kurti, i cili më tej shtoi se ajo do të na përcjellë të gjithë neve që patëm fatin e madh ta njohim nga afër.
“Na la aq shumë vepra e veprimtari sa ngushëllimi i gjithë popullit të Kosovës do të jetë përjetësisht i mbushur me pikturat dhe punimet e tij…. “Shpirti në telajo” nuk është vetëm një prej titujve të pikturave të Rexhepit. Ai përnjëmend la shpirtin në telajo. Do ta kujtoj me mall sepse tashmë më mungon, por edhe do ta përmendi me gëzim sepse kam shumë kujtime. Ai me miq të tij të shëtitjes së mëngjesit, unë me vajzën time të vogël në Parkun e Qytetit. Figurë që me ta shikuar hidhte rrethinën e tij në prapavijën tonë. Njeri që porsa të shikonte të përfshinte në rrethinën e tij të dashur. Ma ngrohin zemrën e m’i japin ngjyrë mendjes kujtimet nga ai, mendimet për të”, u shpreh kryeministri gjatë ceremonisë komemorative.
Kurse, përfaqësuesi i familjes Ferri, Naser Ferri në fjalën e tij, tha se sot për familjen Ferri por edhe për mbarë shqiptarinë është një ditë e rëndë, e dhimbshme. Ai tha se Rexhep Ferri ishte një krijues i madh në fusha të ndryshme të artit, një njeri me shpirt të bardhë, koleg i respektuar dhe bashkëshort i devotshëm.
Në nderim të jetës dhe veprës së profesorit dhe piktorit Rexhep Ferri, nga një fjalë rasti mbajtën edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja si dhe akademiku Eqrem Basha.
Të pranishëm në këtë ceremoni komemorative, përkrah kryeministrit Kurti, ishin edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. Bashkë me kryeministrin Kurti, bënë homazhe te arkivoli i të ndjerit Rexhep Ferri në hollin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës
Në Librin e Zisë, kryeministri shkroi:
Shumë dashuri e bukuri na ka dhënë piktori akademik, Rexhep Ferri. Nuk do ta shohim më figurën e tij fizike, por ne dhe çdo brez pas nesh, do t’i shoh veprat e tij që na bëjnë ta kuptojmë veten dhe të ecim krenarë e të ditur.
Me respekt të thellë, admirim të lartë dhe mall të rëndë,
Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari z. Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
I nderuari z. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
I nderuari z. Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës,
Të nderuar anëtarë të Akademisë,
E nderuara znj. Naime Ferri,
Të nderuara Tringa, Toska dhe Jakup Ferri,
Të nderuar familjarë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Piktori i brezit të parë në radhët e formimit të Fakultetit të Arteve të Prishtinës, artisti me imagjinatën det’, kreshniku patriot, Rexhep Ferri, nuk na lë dot. Vepra e tij është shumë e madhe. Ajo do të na përcjellë të gjithë neve që patëm fatin e madh ta njohim nga afër, por ajo do t’i përcjellë edhe brezat e rinj, të cilët kanë shumë për të mësuar nga ai.
“Për të gjetur një kuptim, ndoshta vetëm misticizmit të çmendurisë i rritet fama”, këto janë fjalë të Rexhep Ferrit. Sot, nuk jemi mbledhur këtu për ta kujtuar vetëm një artist, por jemi këtu sepse një intelektual i shquar do të vazhdojë të na e ndriçojë rrugën e mendimit.
I biri i Shaban Ferrit, mësues i dalluar, i cili hapi shkollat e para shqipe në Tropojë, Pukë e Kukës, do të kujtohet përherë si artisti modernist me stilin më të veçantë. Nuk mund ta shohësh një vepër të Rexhepit dhe të mos e njohësh artistin. Ai pikturoi rreth shtatë dekada, tani piktura e tij do të flet panumër dekada për të. Studentët e tij tregojnë se ai kishte një dhunti e pasion për punën e tij si pedagog dhe edukator ku nxirrte në pah potencialet e fshehura e vullnetet e shtypura të të gjithë atyre.
Arti i tij është pasqyrim i përjetshëm i qenies sonë kombëtare. Rexhep Ferri e dashuronte dhe vajtonte shqiptarin historik. Qëndresa e popullit tonë ka trajtën e siluetave të Rexhep Ferrit. Na la aq shumë vepra e veprimtari sa ngushëllimi i gjithë popullit të Kosovës do të jetë përjetësisht i mbushur me pikturat dhe punimet e tij.
“Shpirti në telajo” nuk është vetëm një prej titujve të pikturave të Rexhepit. Ai përnjëmend la shpirtin në telajo. Do ta kujtoj me mall sepse tashmë më mungon, por edhe do ta përmendi me gëzim sepse kam shumë kujtime. Ai me miq të tij të shëtitjes së mëngjesit, unë me vajzën time të vogël në Parkun e Qytetit. Figurë që me ta shikuar hidhte rrethinën e tij në prapavijën tonë. Njeri që porsa të shikonte të përfshinte në rrethinën e tij të dashur. Ma ngrohin zemrën e m’i japin ngjyrë mendjes kujtimet nga ai, mendimet për të.
Jepi ngjyrë qiellit, profesor! Dhe, prehu në paqe. E meriton ky trup vigani të pushoj dhe të krenohet me jetën që kaloi.
Ju falemnderit.
Last modified: 7 Qershor, 2024