Prishtinë, 2 gusht 2024
Me rastin e diplomimit të gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 448 kadetëve të Policisë së Kosovës, prej tyre çdo e pesta grua, të cilët sot u betuan si pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Para të diplomuarve, Kryeministri tha se policia jonë po shton e forcon radhët e saj duke qenë kështu në nivelin më të lartë të detyrës, në zbatim të misionit të saj në mbrojtjen e qytetarëve, sundimin e rendit e të ligjit, dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial të Republikës sonë.
“Këtë vit Policia e Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimit të saj, sikurse vendi ynë që shënon 25-vjetorin e çlirimit. Një çerek shekulli liri, një çerek shekulli shërbim me përkushtim për të gjithë dhe pa dallim. Ajo ka promovuar vlerat e mira të shoqërisë sonë dhe i ka thyer barrierat e padrejta që përkojnë me detyrën dhe shërbimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Jam shumë i lumtur që edhe në këtë gjeneratë, nga 448 kadetët që diplomojnë sot, çdo e pesta është grua dhe nga sot e tutje ato do të marrin titullin e zyrtareve policore. Sikurse në çdo gjeneratë tjetër, edhe sot diplomojnë kadetë nga radhët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë, ndërsa është hapur konkursi i veçantë po ashtu për komunitete, që të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës”, u shpreh kryeministri.
E teksa javën që lamë pas, u shënua Dita Memoriale e Policëve të Rënë në Krye të Detyrës dhe 13-vjetori i rënies së zyrtarit policor, Heroit të Kosovës, Enver Zymeri, kryeministri u shpreh se 23 zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës janë dëshmia e shërbimit ndaj vendit dhe qytetarëve, përkushtimit në shërbim dhe e atdhedashurisë pa mbarim.
“Ata dhanë jetën në patrullime të rregullta, në ndërhyrje ndaj dhunës në familje, në operacione kundër bandave dhe krimit të organizuar, dhe në mbrojtjen e rendit publik e të sovranitetit shtetëror. Ata janë udhërrëfyesi më i qartë për t’u ndjekur nga ju sot që diplomoni, nga ata që janë në shërbim e ata që do të forcojnë radhët e Policisë në vijim”, deklaroi kryeministri.
Kryeministri Kurti theksoi se Qeveri e Republikës së Kosovë nuk do të ndalet së mbështeturi Policinë e Kosovës.
“Kur kemi marrë detyrën si Qeveri, buxheti për Policinë e Kosovës ka qenë 91 milionë euro. Sot është për gati 50% më i lartë (135 milionë euro). Si rezultat i kësaj, kushtet e punës së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë më të mira. Brenda periudhës tre vjeçare, kemi investuar afër 17 milionë euro në pajisje policore logjistike, 3 milionë në rregullimin dhe ndërtimin e objekteve policore, 7.8 milionë euro në blerjen e 320 automjeteve dhe autoblindave të reja. Përkushtimit profesional për të shërbyer, ia kemi dhënë mbështetjen institucionale që meriton”, shtoi ai.
Ai gjithashtu uroi edhe familjarët e policëve të rinj, dhe shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që ua kanë dhënë atyre në rrugën që ato e ata e kanë zgjedhur.
“Shtetndërtimi ynë do të bartë në historinë e tij kontributin tuaj dhe të fëmijëve tuaj dhe të motrave e të vëllezërve tuaj. Të jeni krenarë ashtu siç jemi të gjithë ne sot, që Policia shënon moment të rëndësishëm falë qëndresës dhe përpjekjes dhe përkrahjes së familjarëve tuaj” tha kryeministri duke iu drejtuar të pranishmëve.
Adresimin e tij e përfundoi duke thënë se misionin për vendin tonë e kemi të përbashkët, çdo sfidë e çdo sukses do ta kalojmë bashkë.
Ceremonia u mbajt në hapësirat e sallës “1 Tetori”, në Prishtinë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Të nderuar zëvendëskryeministra, Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla Schwarz,
I nderuari ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,
I nderuari drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha,
Të nderuar ministra, zëvendësministra, deputetë, drejtues e përfaqësues të institucioneve të Republikës,
Shkëlqesi ambasador dhe të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në vendin tonë,
I nderuari drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti,
Të dashur familjarë të kadetëve,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Jam mëse i lumtur që si Kryeministër i Republikës së Kosovës po marr pjesë në ceremoninë e 4-të të diplomimit të kadetëve të Policisë sonë. Sot, këtu mes jush, jemi bashkë në diplomimin e gjeneratës së 60-të me radhë të Policisë së Kosovës.
Policia jonë po shton e forcon radhët e saj duke qenë kështu në nivelin më të lartë të detyrës, në zbatim të misionit të saj në mbrojtjen e qytetarëve, sundimin e rendit e të ligjit, dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial të Republikës sonë.
Këtë vit Policia e Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimit të saj, sikurse vendi ynë që shënon 25-vjetorin e çlirimit. Një çerek shekulli liri, një çerek shekulli shërbim me përkushtim për të gjithë dhe pa dallim. Ajo ka promovuar vlerat e mira të shoqërisë sonë dhe i ka thyer barrierat e padrejta që përkojnë me detyrën dhe shërbimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Jam shumë i lumtur që edhe në këtë gjeneratë, nga 448 kadetët që diplomojnë sot, çdo e pesta është grua dhe nga sot e tutje ato do të marrin titullin e zyrtareve policore. Sikurse në çdo gjeneratë tjetër, edhe sot diplomojnë kadetë nga radhët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë, ndërsa është hapur konkursi i veçantë po ashtu për komunitete, që të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës.
Historia 25 vjeçare e Policisë së Kosovës e ka dëshmuar që dyert e saj janë të hapura për të gjithë dhe si rezultat i kësaj, sot kur ne jemi mbledhur këtu, mijëra vajza e djem të të gjitha etnive janë në shërbim në çdo pjesë të vendit tonë.
Javën që lamë pas, e kemi shënuar Ditën Memoriale të Policëve të Rënë në Krye të Detyrës dhe 13-vjetorin e rënies së zyrtarit policor, Heroit të Kosovës, Enver Zymeri. 23 zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës janë dëshmia e shërbimit ndaj vendit dhe qytetarëve, përkushtimit në shërbim dhe e atdhedashurisë pa mbarim. Ata dhanë jetën në patrullime të rregullta, në ndërhyrje ndaj dhunës në familje, në operacione kundër bandave dhe krimit të organizuar, dhe në mbrojtjen e rendit publik e të sovranitetit shtetëror. Ata janë udhërrëfyesi më i qartë për t’u ndjekur nga ju sot që diplomoni, nga ata që janë në shërbim e ata që do të forcojnë radhët e Policisë në vijim.
Kur kemi marrë detyrën si Qeveri, buxheti për Policinë e Kosovës ka qenë 91 milionë euro. Sot është për gati 50% më i lartë (135 milionë euro). Si rezultat i kësaj, kushtet e punës së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë më të mira. Brenda periudhës tre vjeçare, kemi investuar afër 17 milionë euro në pajisje policore logjistike, 3 milionë në rregullimin dhe ndërtimin e objekteve policore, 7.8 milionë euro në blerjen e 320 automjeteve dhe autoblindave të reja. Përkushtimit profesional për të shërbyer, ia kemi dhënë mbështetjen institucionale që meriton.
Të dashur kadetë policor,
Nga sot ju jeni vlerë e shtuar e Policisë sonë por edhe garancë e sigurisë për qytetarët dhe shtetin, republikën e pavarur, sovrane e demokratike të Kosovës. Ju e keni zgjedhur një mision fisnik i cili kërkon angazhim në çdo ditë, në çdo orë, në çdo kohë e në çdo rrethanë. Betimin që do e thoni njëzëri pas pak, ta keni në mendje për ditë gjatë shërbimit tuaj. Profesionalizmi, përkushtimi, integriteti e shërbimi me nder le të jenë virtytet që ju karakterizojnë si pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Këto vlera do t’ju ngrisin jo vetëm juve, por edhe Policinë e Republikën tonë.
Të dashur familjarë edhe nga këtu e shohim ngazëllimin në fytyrat tuaja dhe krenarinë që ndjeni për bijat dhe bijtë tuaj.
Unë u jam mirënjohës për mbështetjen që ju keni dhënë atyre në rrugën që ato e ata e kanë zgjedhur. Shtetndërtimi ynë do të bartë në historinë e tij kontributin e juaj dhe të fëmijëve tuaj dhe të motrave e të vëllezërve tuaj. Të jeni krenarë ashtu siç jemi të gjithë ne sot, që Policia shënon moment të rëndësishëm falë qëndresës dhe përpjekjes dhe përkrahjes së familjarëve tuaj.
Si Qeveri e Republikës së Kosovës nuk do të ndalemi së mbështeturi Policinë e Kosovës e policet e policët tanë. Misionin për vendin tonë e kemi të përbashkët, çdo sfidë e çdo sukses do ta kalojmë bashkë.
Ju falemnderit.
Last modified: 2 Gusht, 2024