Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të Qendrës Rezidenciale për të moshuarit në Komunën e Podujevës

26 Janar, 2024

Podujevë, 26 janar 2024

Në vazhdën e aktiviteteve që realizoi gjatë ditës së sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të projektit të Qendrës Rezidenciale për të moshuarit. Aty ai ishte i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, bashkë me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe humanistin, Halil Kastrati.

Me një sipërfaqe prej rreth 2700 metra katrorë, kjo Qendër Rezidenciale për të moshuarit do ta ketë bujtinën, parkun, fizioterapinë, por gjithashtu do ta ketë edhe kujdesin primar shëndetësor që u nevojitet atyre.

Kryeministri Kurti tha se kjo qendër do t’i ndihmojë të moshuarit që të kenë hapësira të përshtatshme për qëndrimin e tyre, dhe se kjo qendër do të jetë moderne në çdo aspekt, me kushte tejet të mira për ata të moshuar të cilët do ta gëzojnë pleqërinë e tyre këtu.

Ndërkaq, Kryetari i Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, u shpreh se ky projekt vjen pas një bashkëpunimi të mirëfilltë mes “Jetimëve të Ballkanit” dhe Komunës së Podujevës, duke falënderuar kryeministrin Kurti, kryetarin Bulliqi dhe të gjithë pjesëmarrësit.

Në anën tjetër, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se me këtë projekt erdhi koha të mendojmë për kategorinë e të moshuarve, të cilët përmes kësaj qendre, rreth 100 prej tyre në ditë, do të kenë mundësi që të marrin shërbime, derisa u zotua se do jemi afër të gjithë atyre projekteve të cilat i vlerësojmë të rëndësishme për qytetarët tanë.

Të pranishëm në këtë ngjarje krahas kryeministrit Kurti ishin edhe Kryetari i Komunës së Therandës, Bali Muharremi, deputetë, personalitete të tjera të rëndësishme.

Për jetësimin e kësaj qendre janë ndarë rreth prej 530 mijë euro nga komuna si dhe dy milionë euro janë ndarë nga Shoqata “Jetimat e Ballkanit”.

Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Jemi këtu bashkë me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe me veprimtarin e shquar social Halil Kastratin, që të vëmë gurthemelin e Qendrës Rezidenciale për të moshuar e cila do ta ketë sipërfaqen prej rreth 2700 metra katrorë, me ç’rast 530 mijë euro investim nga shteti, nga komuna, ndërkaq investim i Organizatës “Jetimat e Ballkanit” janë 2 milionë euro.

Kjo Qendër Rezidenciale për të moshuar do ta ketë bujtinën, do ta ketë parkun, do ta ketë fizioterapinë, por gjithashtu do ta ketë edhe kujdesin primar shëndetësor, do ta ketë edhe bujtinën, andaj do të jetë moderne në çdo aspekt me kushte tejet të mira për ata të moshuar të cilët do ta gëzojnë pleqërinë e tyre këtu.

Me këtë rast e falënderoj z.Halil Kastratin, e falënderoj Komunën e Podujevës dhe falënderoj gjithë këta veprimtarë e personalitete që janë këtu me neve në këtë përurim.

Sot është edhe kryetari i Komunës së Therandës, Bali Muharremi, është edhe baca Kadri, Kadri Balaj, e kemi komandant Remin, Rrustem Mustafën dhe i kemi deputetët Floretë Zejnullahu e Vendenis Lahu, të gjithë i falënderoj që u bënë pjesë bashkë me punëtorët e këtij inaugurimi, të këtij përurimi për këtë Qendër Rezidenciale për të moshuar.

Duhet të kujdesemi për të gjitha shtresat e popullsisë, duhet të kujdesemi për të gjitha moshat në vendin tonë e unë do të thosha që ashtu si kujdesemi për fëmijët duhet të kujdesemi edhe për pleqtë sepse ata kanë kontribuar shumë për vendin tonë dhe meritojnë pleqëri të dinjitetshme.

Faleminderit Halil,

Faleminderit Shpejtim.

 

Last modified: 26 Janar, 2024

Comments are closed.

×