Prishtinë, 30 maj 2024
Mbrëmjen e sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada kroate me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Republikës së Kroacisë.
Kryeministri Kurti e cilësoi këtë ditë si një moment kyç jo vetëm për shtetin kroat, por edhe për rajonin të cilit iu shtua një republikë demokratike, e përkushtuar ndaj vlerave të lirisë, barazisë dhe me orientim perëndimor drejt prosperitetit dhe sigurisë.
Ai përmendi dhe faktin se vendet tona ndajnë një aleancë historike dhe se Kroacia ka qenë më shumë se një partnere e Kosovës. Teksa shtoi se shteti kroat ofron mbështetje vetëmohuese dhe solidaritet të domosdoshëm në kërkimin tonë të përbashkët për paqe, demokraci dhe mirëqenie sociale të shoqëruar me marrëdhënie të mira fqinjësore në rajonin tonë.
“Kroacia dhe populli i saj gjithmonë i kanë ofruar mbështetje të madhe Kosovës, veçanërisht në 16 vitet e fundit që nga pavarësia. Dua të theksoj se Republika e Kosovës e vlerëson lart këtë mbështetje dhe e vlerëson atë si shenjë të miqësisë së ngushtë mes dy popujve tanë” u shpreh kryeministri.
Gjatë kësaj ngjarjeje të rëndësishme, kryeministri potencoi se rruga e Kroacisë drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO në vitin 2009, krah për krah me Shqipërinë, si dhe anëtarësimi i saj në Bashkimin Evropian në vitin 2013, qëndron si model për Republikën e Kosovës, një frymëzim për përpjekjet tona dhe përkushtimin tonë për në rrugën drejt integrimit euro – atlantik.
Më tej, ai falënderoi shtetin kroat dhe miqtë nga Kuvendi i Kroacisë, të cilët në vazhdimësi kanë përkrahur marrjen e statusit të anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Shkëlqesia juaj Fatmir Sejdiu, ish-president i Republikës së Kosovës,
Shkëlqesia Juaj, Atifete Jahjaga, ish-presidente e Republikës së Kosovës
Shkëlqesia juaj, Znj. Danijela Barišić, ambasadore e Republikës së Kroacisë,
Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,
Deputetë të Kuvendit,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,
Dita Kombëtare e Republikës së Kroacisë është një moment kyç, jo vetëm për shtetin kroat, por edhe për rajonin të cilit iu shtua një republikë demokratike, e përkushtuar ndaj vlerave të lirisë dhe barazisë, dhe e udhëhequr nga një orientim perëndimor drejt prosperitetit dhe sigurisë.
Rruga e Kroacisë drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO në vitin 2009, krah për krah me Shqipërinë, si dhe anëtarësimi i saj në Bashkimin Evropian në vitin 2013, qëndron si model për Republikën e Kosovës, një frymëzim për përpjekjet tona dhe përkushtimin tonë për integrimin euroatlantik.
Vendet tona ndajnë një aleancë historike dhe Kroacia ka qenë më shumë se një partnere e Kosovës. Vendi juaj ofron mbështetje vetëmohuese dhe solidaritet të domosdoshëm në kërkimin tonë të përbashkët për paqe, demokraci dhe mirëqenie sociale të shoqëruar me marrëdhënie të mira fqinjësore në rajonin tonë.
Kroacia dhe populli i saj gjithmonë i kanë ofruar mbështetje të madhe Kosovës, veçanërisht në 16 vitet e fundit që nga pavarësia. Dua të theksoj se Republika e Kosovës e vlerëson lartë këtë mbështetje dhe e vlerëson si shenjë të miqësisë së ngushtë mes dy popujve tanë. Ne përballemi me shumë sfida të përbashkëta. Prandaj, ne duhet të vazhdojmë të ruajmë vlerat universale demokratike me pluralizmin politik dhe kulturor të shoqërive tona.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, falënderoj miqtë tanë nga Kuvendi i Kroacisë, të cilët në vazhdimësi na kanë përkrahur në marrjen e statusit të anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Kjo arritje vjen pas disa vitesh bashkëpunim të shkëlqyer mes Kuvendit të Republikës së Kroacisë dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Dje pati një koncert ku prezantoheshin muzikantët tanë. Them muzikantët tanë sepse bashkëpunimi mes Kosovës dhe Kroacisë në sferën kulturore është i fortë siç shihet nga kuarteti kroat i kitarës me Petrit Çekun, Zoran Dukiqin, Maroje Brçiqin dhe Tvrtko Saricin.
Koncerti ishte shembulli më i mirë i marrëdhënies sonë të gjatë si shtete, e cila vazhdon të lulëzojë gjithmonë e çdo vit. Dy vendet tona kanë përfituar nga bashkëpunimi ynë profesional që nga themelimi i shkollës sonë të parë të muzikës në Prizren në vitet ’40. Jam i sigurt se ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe do të rritet edhe në të ardhmen.
Të dashur miq, unë personalisht i kam dashur shkrimtarët kroatë, nga Tin Ujeviq te Miroslav Krlezha e deri te Slavenka Drakulić; këngëtarët kroatë nga Tereza Kesovija te Oliver Dragojeviq te Dino Dvornik; grupet muzikore nga Parni Valjak në Prljavo Kazalište te Psihomodo Pop; basketbollistët e famshëm kroatë, nga Kreshimir Ćosić tek Dražen Petrović tek Toni Kukoč; futbollistët e njohur, para Luka Modriqit që ishin Zvonimir Boban dhe Davor Šuker, e para tyre ishin Ivan Gudelj dhe Blaž Slišković. Velimir Zajec, shumë i vjetër për mua që ta kujtoj duke luajtur, por ju mos i thoni.
Tani që po i them të gjithë këta emra për ndonjë arsye më kujtohet se kam harruar Dubravka Ugreshiq, Arsen Dediç, Robert Prosinečki, për të përmendur vetëm disa.
Ndjenja e respektit dhe vlerësimit të thellë për Republikën e Kroacisë na bën natyrshëm të ndajmë me popullin kroat krenarinë dhe gëzimin që duhet të ndjeni kur shënoni data të mëdha nga historia juaj si sot. 30 maji 1990 është një nga ato ditë të paharrueshme të shënuara në historinë moderne kroate, si themeli mbi të cilin ndërtuat demokracinë tuaj të lulëzuar dhe rrugëtimin tuaj drejt pavarësisë.
Gëzuar Ditën Kombëtare vendit të bukur kroat dhe popullit të tij paqedashës!
I uroj të gjithë kroatët për Ditën e Shtetësisë së Republikës së Kroacisë. Neka živi vječno, i u miru božjem! Hvala vam.
Last modified: 3 Qershor, 2024