Prishtinë, 13 qershor 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e 32-vjetorit të shënimit të Pavarësisë së Republikës së Sllovenisë.
Kryeministri Kurti, u shpreh se është një nder i veçantë dhe një kënaqësi e madhe të jenë së bashku sot në 32- vjetorin e Republikës së Sllovenisë. Ai theksoi se të dy vendet tona kanë ndarë mësime të ngjashme nga historia dhe njerëzit tanë kanë mbajtur afërsi për të siguruar që ne të marrim mësimet më të mira si nga sprovat, ashtu edhe nga fitoret tona.
“Sllovenia ka qenë një model frymëzues për t’u ndjekur në shumë aspekte. 25 qershori 1991 dhe shpallja e Sllovenisë si Republikë e pavarur na ka shërbyer si udhërrëfyes për atë se si duket rezistenca ndaj hegjemonisë dhe ndjekja e demokracisë”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Kurti, tha se është mirënjohës ndaj Qeverisë së Sllovenisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të zëshme, me qëllimin kryesor që Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor të bëhen sa më shpejtë pjesë e BE-së. Ai në shprehu mirënjohje dhe falënderim për Kryeministrin e Sllovenisë, Golob, për mbështetjen e tij e cila si e tillë përfshinë avancimin e marrëdhënieve në sektorin e sigurisë përmes akreditimit të atasheut tonë të mbrojtjes në Lubjanë, si dhe mundësive ekonomike për sipërmarrësit dhe bizneset nga të dy vendet.
Vlen të theksohet se këtë vit, lidhjet mes dy vendeve, pra Kosovës dhe Sllovenisë, janë thelluar me rivendosjen e linjës direkte Prishtinë-Ljubljanë.
Ndër të tjera kryeministri Kurti, potencoi se presim me padurim këtë lehtësi në udhëtime, e cila do të lehtësojë avancimin e mëtejshëm të mjedisit të biznesit ku një rol të rëndësishëm luajnë kompanitë sllovene nga sektori i telekomunikacionit, ai banker dhe i sigurimeve.
Kryeministri Kurti, gjithashtu falënderoi edhe diasporën tonë në Slloveni, të cilët janë një pjesë shumë e rëndësishme e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Fjalën e tij, ai e përmbylli duke i’u uruar festën kombëtare të Republikës së Sllovenisë dhe duke besuar në thellimin dhe përkushtimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore si dhe lidhjeve miqësore, ndërmjet dy popujve tanë.
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
Shkëlqesia juaj, Minca Benedejčič, ambasadore e Republikës së Sllovenisë,
Të nderuar ministra, zëvendësministra,
I nderuari zëvendëskryeministër Rexhepi
Shkëlqesi, ambasadorë, përfaqësues të Misioneve Diplomatike në Kosovë,
Udhëheqësit fetarë,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,
Është një nder i veçantë dhe një kënaqësi e madhe të jemi bashkë sot në 32 vjetorin e Republikës së Sllovenisë. Dy vendet tona kanë ndarë mësime të ngjashme nga historia dhe njerëzit tanë kanë mbajtur afërsi për të siguruar që ne të marrim mësimet më të mira si nga sprovat, ashtu edhe nga fitoret tona.
Sllovenia ka qenë një model frymëzues për t’u ndjekur në shumë aspekte. 25 qershori 1991 dhe shpallja e Sllovenisë si Republikë e pavarur na ka shërbyer si udhërrëfyes për atë se si duket rezistenca ndaj hegjemonisë dhe ndjekja e demokracisë. Tre muaj më vonë ne në Kosovë organizuam referendumin për republikën e pavarur në fund të shtatorit 1991. Nderimi i përvjetorit të vendit është pra edhe një kujtesë se nderimi i rrugës drejt lirisë është rruga e fundit që duhet ndjekur. Ngjitja e shpejtë e vendit për t’u bërë një shtyllë demokratike brenda Bashkimit Evropian ka shërbyer si një yll verior për vendet e Ballkanit Perëndimor që atëherë.
Vitet pas shpalljes së shtetësisë së pavarur të vendit janë shënuar nga një bashkëpunim i ngushtë mes nesh që ka tejkaluar politikën dhe për fat të mirë ka përfshirë shumë shtresa të jetës së shoqërive tona.
Mbështetja e vazhdueshme që kemi marrë nga shteti slloven, që nga protesta e famshme me Adem Demaçin dhe mijëra qytetarë sllovenë dhe shqiptarë në ‘Cankarjev trg’ në Lubjanë, përfshin por nuk kufizohet në: njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosova si shteti i parë ish-jugosllav që e ka bërë këtë, përkrahjen e vazhdueshme për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Mbështetja përfshin avancimin e marrëdhënieve në sektorin e sigurisë përmes akreditimit të atasheut tonë të mbrojtjes në Lubjanë, si dhe mundësive ekonomike për sipërmarrësit dhe bizneset nga të dy vendet. I jemi mirënjohës kryeministrit Golob dhe Qeverisë së Sllovenisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të zëshme, veçanërisht për avokimin e tyre brenda institucioneve evropiane, që Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor të bëhen sa më shpejt pjesë e BE-së.
Këtë vit, lidhjet mes dy vendeve tona janë thelluar më tej me rivendosjen e linjës direkte Prishtinë-Ljubljanë. Ne presim me padurim këtë lehtësi në udhëtime, e cila do të lehtësojë avancimin e mëtejshëm të mjedisit të biznesit ku një rol të rëndësishëm luajnë kompanitë sllovene nga sektori i telekomunikacionit (me Telekom Slloveni), në sektorin bankar (me NLB banka) dhe sektori i sigurimeve (me Iliria, përkatësisht Sava Osiguranje). Në të njëjtën kohë, jemi të lumtur që edhe bizneset nga Kosova i shfrytëzojnë mundësitë e ofruara në Slloveni dhe po shohim risi me investimet që po bëhen në hoteleri, ndërtim, IT si dhe fusha të tjera.
Sado të forta të jenë lidhjet tona të biznesit, marrëdhëniet tona dypalëshe futen në shumë sektorë dhe industri të tjera. Lidhjet tona të forta zgjerohen çdo ditë përmes bashkëpunimit mes artistëve tanë, stërvitjes së përbashkët të sportistëve tanë dhe bashkëpunimit që kanë universitetet tona.
Në këtë drejtim, ne u jemi mirënjohës edhe mërgimtarëve tanë në Slloveni, të cilët janë një pjesë shumë e rëndësishme e enigmës që lidh vendet tona.
E nderuara zonja Ambasadore, ju lutem më lejoni që edhe një herë në emër të qytetarëve dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës t’ju uroj festën kombëtare të Sllovenisë dhe të shpreh përkushtimin tonë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe lidhjeve miqësore ndërmjet dy popujt tanë, bazuar në vlerat tona të përbashkëta.
Urime dhe faleminderit për vëmendjen tuaj!
Gezuar Diten e pavaresise! Vesel dan neodvisnosti!
Last modified: 15 Qershor, 2023