Prishtinë, 13 nëntor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e shënimit të 10-vjetorit të grupit Respect our Rights (ROR), në kuadër të së cilës bashkëbisedoi me anëtarë nga grupi.
Ai përgëzoi ROR-in për rolin aktiv që luajnë për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve në Kosovë pa dallim si dhe organizatat Save the Children dhe Syri i Vizionit për mbështetjen e vazhdueshme për themelimin dhe funksionimin e ROR-it, por edhe për punën e palodhur në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe rinisë.
Më tej, kryeministri theksoi hapat e ndërmarra nga qeveria përgjatë këtij mandati, me qëllim përmirësimin e kushteve dhe jetesës për fëmijët dhe të rinjtë. Veçoi shtesat për fëmijët nën moshën 16 vjeçare, ku deri më tani kemi mbi 400 mijë fëmijë dhe mbi 60 mijë nëna lehona të cilat përfitojnë mbështetje muaj pas muaji dhe dyfishimin e punësimit të numrit të të rinjve. Vetëm përmes platformës së punësimit, SuperPuna, për më pak se dy vite Qeveria punësoi mbi 14 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç, në 9,500 biznese vendore, ku 51% prej tyre janë gra, ndërsa përmes programit Kosovo Generation Unlimited janë ofruar mundësi praktike për 3 mijë të rinj.
Në vijim, tha se studentët në universitete i kemi mbështetur me bursa në vlerë të mbi 10 milionë eurove, prej tyre studentët që studiojnë në fushat STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, ata elitarë, studentët me aftësi të kufizuara dhe studentët që studiojnë jashtë vendit.
Kryeministri shtoi edhe se sot vendi ynë ka më shumë qendra të kulturës e palestra të sportit, monumente të mbrojtura e hapësira për të rinjtë dhe fëmijët, gjersa kemi 250 investime në infrastrukturën e sportit, artit, rinisë e trashëgimisë të përfunduara dhe në realizim.
Për mbështetjen e rinisë dhe përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve në vendimmarrje kemi Ligjin e ri për Rininë. Tre muaj prej kur Ligji hyri në fuqi, pakoja e akteve nënligjore është hartuar, për themelimin e Agjencisë për Zhvillimin e Rinisë, njohjen e punës rinore, ristrukturimin e Këshillave Rinor, funksionimin e qendrave rinore dhe promovimin e vullnetarizmit rinor.
Kryeministri i ftoi të rinjtë që përmes platformës së konsultimeve publike, deri më 19 nëntor kur edhe është afati, të dorëzojnë komentet e tyre të cilat më pas do të adresohen, para miratimit dhe zbatimit.
Last modified: 13 Nëntor, 2024