Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në shënimin dhe festimin e Ditës Kombëtare të Turqve të Kosovës

23 Prill, 2025

 

Prizren, 23 prill 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren në detyrë Emilija Rexhepi dhe ministrin në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, mbrëmjen e sotme mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e shënimit të festës së Ditës Kombëtare të Turqve të Kosovës.

“Komuniteti turk në Kosovë është pjesë përbërëse e mozaikut tonë shoqëror dhe përbën një thesar të gjallë të trashëgimisë sonë të përbashkët historike e kulturore”, u shpreh kryeministri.

Teksa shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të qytetarëve turq, dhënë për Republikën e Kosovës, kryeministri Kurti tha se përfaqësuesit politikë të komunitetit turk, me punë dhe angazhim, përgjegjësi dhe integritet, kontribuojnë çdo ditë në forcimin e institucioneve tona demokratike. “Roli i tyre është dëshmi e përkushtimit të komunitetit turk ndaj shtetësisë, zhvillimit dhe bashkëjetesës ndërmjet të gjitha komuniteteve në vendin tonë”, shtoi ai.

Si një aleate e fuqishme dhe mbështetëse e palëkundur e Republikës së Kosovës, kryeministri theksoi se Turqia qëndron pranë jo vetëm komunitetit turk në Kosovë, por edhe pranë të gjitha komuniteteve dhe vetë shtetit të Kosovës, duke kontribuar në miqësinë, zhvillimin dhe bashkëpunimin afatgjatë ndërmjet dy vendeve tona.

Në fjalën e tij ai përmendi figurat e shquara që kanë kontribuar në ruajtjen dhe pasurimin e identitetit turk në vendin tonë, duke filluar nga Sylejman Brina – intelektual dhe një nga themeluesit e Shoqatës Kulturo-Artistike “Doğru Yol”, te këngëtari Alush Nush, që përmes këngëve të tij në turqishten prizrenase i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë zë dhe emocion kujtesës kolektive të brezave, më pas përmendi veprimtarinë e turkologut të njohur me përmasa ndërkombëtare Prof. Dr. Nimetullah Hafëz. Ai gjithashtu veçoi edhe artistët, shkrimtarët e publicistët si Sevim Baki, Arif Bozaxhi, Zejnel Beksaç, Osman Bajmak, Ethem Bajmak, Hasan Merxhan, e shumë të tjerë që për breza të tërë kanë pasuruar jetën kulturore dhe kanë qenë përkrahës të bashkëjetesës dhe të bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve, turqve dhe komuniteteve të tjera së bashku në Kosovë.

“Trashëgimia që ka ndërtuar komuniteti turk ndër shekuj në Kosovë, bashkë me atë që ka ndërtuar komuniteti shqiptar në Turqi, përbëjnë një pasuri të përbashkët kulturore dhe një themel të fortë për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme në të dy vendet tona – ku marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë jo vetëm që do të ruhen, por do të thellohen edhe më tej në frymën e miqësisë e respektit si dhe zgjerohen edhe më tej përmes bashkëpunimit strategjik”, përfundoi kryeministri.

Teksa i uroi komunitetin turk për këtë festë të rëndësishme për ta, ai kujtoi se kjo ditë, 23 Prilli, është gjithashtu një datë me rëndësi të veçantë për Republikën e Turqisë – sepse është Dita e Themelimit të Kuvendit Kombëtar të Republikës së Turqisë në vitin 1920, që shënohet si Ditë e Sovranitetit Kombëtar dhe Ditë e Fëmijëve.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës, znj. Emilija Rexhepi,
I nderuari ministër i Zhvillimit Rajonal dhe kryetar i KDTP-së, z.Fikrim Damka,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, z. Enis Kervan, znj. Fidan Jilta, z. Albert Kinolli, z. Rasim Demiri, z. Artan Asllani,
I nderuari ambasador i Republikës se Turqisë në Kosovë, z. Sabri Tunc Angili,
I nderuari konsull i Përgjithshëm i Republikës se Turqisë, z Celal Doğan
I nderuari Yağmur Güldere, Drejtor i Përgjithshëm i Departamentit për Ballkan në Turqi, dhe mysafirë të tjerë nga Republika e Turqisë që na jeni bashkëngjitur sot në Prizren,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve, të nderuar përfaqësues të komunitetit turk në Kosovë,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,

Komuniteti turk në Kosovë është një pjesë përbërëse e mozaikut tonë shoqëror dhe përbën një thesar të gjallë të trashëgimisë sonë të përbashkët historike e kulturore.

Me identitetin e tij të pasur, me personalitetet e shquara dhe me veprimtaritë kulturore që jehojnë përtej kufijve të Kosovës – në Turqi dhe më gjerë – ky komunitet mbetet një vlerë e çmuar dhe e pazëvendësueshme për shtetin dhe shoqërinë tonë.

Sot, më 23 Prill, jemi mbledhur për të përkujtuar dhe nderuar Ditën Kombëtare të Turqve të Kosovës – një ditë që shënon dhe vlerëson kontributin e jashtëzakonshëm të një komuniteti që ka dhënë shumë për zhvillimin demokratik, kulturor dhe institucional të Republikës së Kosovës.

Përmes angazhimit të vazhdueshëm në fusha si arsimi, kultura, sporti dhe jeta publike, komuniteti turk ka kontribuar në mënyrë të rëndësishme në ndërtimin e një Kosove demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Mbi të gjitha, bashkëjetesa ndërmjet shqiptarëve dhe turqve është shembull frymëzues i miqësisë së qëndrueshme, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe respektit të thellë që i ka rezistuar kohës.

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, dua të shpreh falënderimin tim të sinqertë për përfaqësuesit politikë të komunitetit turk, të cilët me punë dhe angazhim, me përgjegjësi dhe integritet kontribuojnë çdo ditë në forcimin e institucioneve tona demokratike. Roli i tyre është dëshmi e përkushtimit të komunitetit turk ndaj shtetësisë, zhvillimit dhe bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve në vendin tonë.

Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për Republikën e Turqisë, një aleate e fuqishme dhe mbështetëse e palëkundur e Republikës së Kosovës. Përmes Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Institutit “Junus Emre”, Fondacionit dhe Shkollave Maarif, si dhe nëpërmjet angazhimit të përhershëm të ambasadës dhe konsullatës së saj, Turqia qëndron pranë jo vetëm komunitetit turk në Kosovë, por edhe pranë të gjitha komuniteteve dhe vetë shtetit të Kosovës, duke kontribuar në miqësinë, zhvillimin dhe bashkëpunimin afatgjatë ndërmjet dy vendeve tona.

Kjo ditë, 23 Prilli, është gjithashtu një datë me rëndësi të veçantë për Republikën e Turqisë – është Dita e Themelimit të Kuvendit Kombëtar të Republikës së Turqisë në vitin 1920, që shënohet si Ditë e Sovranitetit Kombëtar dhe Dita e Fëmijëve. Prandaj e shfrytëzoj rastin që të uroj këtë festë madhështore.

Duke qenë se jemi duke shënuar një ditë të rëndësishme për komunitetin turk në Kosovë, pa harruar asnjë nga figurat e shquara që kanë kontribuar për ruajtjen dhe pasurimin e identitetit turk në vendin tonë, dua që – duke qenë sot këtu në Prizren, qytetin simbol të harmonisë ndërkulturore dhe të bashkëjetesës historike – të përmend disa personalitete të rëndësishme të këtij komuniteti.

Ndër ata që nuk janë më në mesin tonë prej një kohe të gjatë, si Sylejman Brina – intelektual dhe një nga themeluesit e Shoqatës Kulturo-Artistike “Doğru Yol”, te këngëtari Alush Nush, që përmes këngëve të tij në turqishten prizrenase i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë zë dhe emocion kujtesës kolektive të brezave, e deri te veprimtaria mbresëlënëse e turkologut të njohur me përmasa ndërkombëtare Prof. Dr. Nimetullah Hafëz.

Po ashtu, një zë i dashur për publikun dhe ambasadore e denjë e kulturës dhe këngës turke në Kosovë është Sevim Baki, e cila përmes interpretimit artistik ka krijuar ura të fuqishme ndëretnike dhe kulturore në vendin tonë, e mua ajo më kujtohet nga fëmijëria e hershme.

Një vend të veçantë në këtë mozaik kulturor zë edhe teatri turk në Kosovë, i cili, sipas të dhënave zyrtare, ka nisur aktivitetin që në vitet 1930. Kjo traditë vazhdon të mbahet gjallë falë artistëve si Nafiz Gjurgjiali, Aziz Buş dhe Teatrit Turk të Prizrenit.

Natyrisht, këtu bëjnë pjesë edhe shumë shkrimtarë, publicistë e artistë si Arif Bozaxhi, Zejnel Beksaç, Osman Bajmak, Ethem Bajmak, Hasan Merxhan, e shumë të tjerë që për breza të tërë kanë pasuruar jetën kulturore dhe kanë qenë përkrahës të bashkëjetesës dhe të bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve, turqve dhe komuniteteve të tjera së bashku në Kosovë.

Trashëgimia që ka ndërtuar komuniteti turk ndër shekuj në Kosovë, bashkë me atë që ka ndërtuar komuniteti shqiptar në Turqi, përbëjnë një pasuri të përbashkët kulturore dhe një themel të fortë për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme të dy vendeve tona – ku marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë jo vetëm që do të ruhen, por do të thellohen edhe më tej në frymën e miqësisë e të respektit si dhe të zgjerohen edhe më tej përmes bashkëpunimit strategjik.

Këto janë vlerat që lidhin shqiptarët dhe turqit e të tjerët në Kosovë – por edhe në Turqi – një marrëdhënie e ndërtuar mbi sinqeritet e mirëbesim me njëri-tjetrin.

Gëzuar Ditën Kombëtare të Turqve të Kosovës! Kosova Türkleri Milli Bayramı Kutlu Olsun!

 

Last modified: 23 Prill, 2025

Comments are closed.