Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në samitin “VET Summit 2023 – Samiti i Arsimit dhe Aftësimit Profesional”

14 Qershor, 2023

Prishtinë, 14 qershor 2023

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në ditën e dytë të VET Summit 2023 – Samiti i Arsimit dhe Aftësimit Profesional, organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës si dhe organizata të tjera joqeveritare.

Duke vë në theks lidhshmërinë mes arsimit dhe ekonomisë, kryeministri Kurti filloi fjalën e tij duke e konsideruar këtë samit si tejet i rëndësishëm për rininë, për qeverisjen demokratike dhe  zhvillimin ekonomik të vendit.

Pasi që nevoja për ndërlidhjen e nevojave të tregut me aftësimin profesional në shkollat tona mbetet e lartë, kryeministri tregoi se Arsimi dhe Aftësimi Profesional është prioritet i padiskutueshëm në programin qeveritar. Kësisoj, krahas të rinjve të talentuar dhe mërgatës sonë, në zhvillimin e AAP-së do të ndikojë angazhimi i Qeverisë dhe vullneti i sektorit privat.

“Një shembull i mirë për bashkëpunimin mes Qeverisë sonë dhe sektorit privat është identifikimi i profileve që është bërë bazuar në kërkesat e përfaqësuesve të sektorëve, për shembull kërkesa për profilin e floktarëve ka ardhur nga një grup i floktarëve të shkolluar jashtë Kosovës, për profilet e hotelerisë nga  Oda e  Turizmit dhe Hotelerisë, kurse për profilin e muratorit nga disa ndërmarrje të ndërtimit në Skenderaj”, tha kryeministri Kurti.

Tutje, në kuadër të angazhimeve për AAP-në ai përmendi edhe pilotimin e arsimit dual në tri komuna, në katër shkolla profesionale me katër profile që nga shtatori i vitit 2021/2022, i cili është dizajnuar në mënyrë që nxënësit gjatë tri viteve të shkollimit t’i kalojnë mbi 50% të kohës në ndërmarrje pra, në punë reale.

Përveç sektorit privat, bizneseve të vogla, të mesme e mëdha dhe shoqatave si faktor transformues të APP-së, kryeministri tregoi se një ndër hapat përmirësuese që janë ndërmarrë nga Qeveria dhe MAShTI është edhe Themelimi i Komisionit Ekzekutiv për avancimin e AAP-së, të cilin e udhëheq vet kryeministri.

Rrjedhimisht, Qeveria e ka prioritet përmirësimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, ngase sipas kryeministrit Kurti, kualifikimet e duhura dhe rezultatet e mira janë përparimtare për vendin, për qytetarët dhe për brezat që do të vijnë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

 

Të nderuar, Përfaqësues të bizneseve vendore të institucioneve të Kosovës, të nivelit qendror e lokal,

Të nderuar drejtorë e drejtore të shkollave për Aftësim Profesional, 

Të nderuar bashkatdhetarë,

Të nderuar pjesëmarrës të VET Samit-it 2023,

 

Së pari, ju kërkoj ndjesë për mospjesëmarrjen time dje siç ishte e planifikuar, meqenëse u zgjat takimi shumë me ambasadorët e QUINT-it, edhe nuk arrita të ju bashkohem në hapjen e Edicionit, por padyshim siç e tha edhe Astriti, Arsimi dhe Aftësimi Profesional, për neve është prioritet i padiskutueshëm në programin qeveritar.

Mbase sa herë po diskutojmë për ekonominë, po përfundojmë duke diskutuar për arsimin, e sa herë po ja fillojmë të diskutojmë për arsimin,  po përfundojmë të diskutojmë për ekonominë. Në një farë mënyre mund të thuhet që, mbase e vetmja gjë që është më e rëndësishme edhe se arsimi,  edhe se ekonomia është lidhja mes këtyre dyjave. Prandaj, edhe ky Samit është tejet i rëndësishëm edhe për rininë por gjithashtu, edhe për qeverisjen demokratike dhe  zhvillimin ekonomik të vendit.

Arsimi dhe Aftësimi Profesional ishte temë e rëndësishme në shkolla, në biznese dhe në shtëpitë tona. Jam i bindur që jemi në drejtimin e duhur së bashku që ti japim edhe më shumë peshë në ngjarje të tilla, sikurse  kjo sot.

Gjendja ekonomike në Kosovë gjatë dy viteve të fundit është përmirësuar: qarkullimi i deklaruar për çerekun e parë të këtij viti është rritur për 8.5%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Po në të njëjtën periudhë numri i punëtorëve të deklaruar është mesatarisht për 4% më i lartë. Të hyrat e mbledhura gjatë kësaj periudhe janë 9.38% më shumë se vitin e kaluar. Ndërkaq  vlera e mallrave në eksport për këtë periudhë është 300.4 milionë euro, ndërkaq  ndikimi nga lirimet për prodhues ka arritur shumën e taksave prej  48.20 milionë euro. Gjithçka po tregon që viti 2023 është viti i parë në të cilin eksportet do të tejkalojnë shifrën prej një miliardë euro.

Nevoja për ndërlidhjen e nevojave të tregut me aftësimin profesional në shkollat tona, sigurisht që mbetet e lartë. Arsimi dhe Aftësimi Profesional dhe rritja ekonomike janë të lidhura me njëra-tjetrën, njëra pa tjetrën nuk mund të arrijë potencialin e plotë.

“Arsimi dhe Aftësimi Profesional e mbanë çelësin e një mori gjërave,  progresit teknologjik, industrializimit të shpejtë, shtimit të vendeve të punës, krijimit të pasurisë, uljes së varfërisë dhe zbutjes së pabarazisë.”

Avantazhet tona si vend janë të mëdha, për të pasur suksese në zhvillimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, krahas mërgatës tonë të dashur dhe rinisë sonë të talentuar tani kemi edhe angazhimin e Qeverisë sonë, për zbatimin e reformave në sistemin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, dhe ku vullnetin e shtuar të sektorit privat për të bërë këtë ndryshim së bashku, natyrisht që e kemi pa kursim e pa rezerva.

Një shembull i mirë për bashkëpunimin mes Qeverisë sonë dhe sektorit privat është identifikimi i profileve që është bërë bazuar në kërkesat e përfaqësuesve të sektorëve, për shembull kërkesa për profilin e floktarëve ka ardhur nga një grup i floktarëve të shkolluar jashtë Kosovës, për profilet e hotelerisë nga  Oda e  Turizmit dhe Hotelerisë, kurse për profilin e muratorit nga disa ndërmarrje të ndërtimit në Skenderaj.

Bazuar në këto kërkesa,  kemi filluar me pilotim e arsimit dual në tri komuna, në katër shkolla profesionale me katër profile që nga shtatori i vitit 2021/2022. Zbatimi i arsimit dual është dizajnuar ashtu që nxënësit gjatë tri viteve të shkollimit t’i kalojnë mbi 50% të kohës në ndërmarrje pra, në punë reale.

Në rastin e Kosovës faktor mbështetës në transformimin e AAP-së do të jetë përfshirja e sektorit privat.

Samiti i sotëm është  një mundësi e mirë për të bashkuar të gjithë sektorët e rëndësishëm, të sektorit privat por, në veçanti e nesërmja pas samitit është edhe më e rëndësishme sesa vetë Samiti, sepse nesër duhet të zbatojmë AAP-në në Kosovë. Dhe për këtë na duhet sektori privat, bizneset e vogla, të mesme e mëdha dhe shoqatat. Si rezultat i  bashkëpunimit me shoqatat, janë identifikuar edhe tetë profile potenciale për zgjerimin e zbatimit të arsimit dual:

 

  1. Zdrukthëtar;
  2. Rrobaqepës;
  3. Automekanik;
  4. Metal përpunues;
  5. Tregtar me shumicë dhe pakicë;
  6. Instalues i ngrohjes, klimatizimit e ujësjellësit;
  7. Instalues elektrik; dhe
  8. me kërkesë të estetëve të shkolluar jashtë, hapja e profilit shtesë Estet/iste.

Për ta përmirësuar sistemin e AAP-së, nga Qeveria dhe MAShTI janë ndërmarrë dhe po ndërmerren një serë hapash lidhur me të, si për shembull:

  • Themelimi i Komisionit Ekzekutiv për avancimin e AAP-së, në nivel të Kryeministrisë; i cili do të mundësojë një bashkërenditje më të mirë ndërinstitucionale;

Pra unë si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, e udhëheqi këtë komision ekzekutiv për të treguar së është prioritet i qeverisjes sonë.

  • Rishikimi i rolit dhe përgjegjësive të institucioneve përgjegjëse për AAP, për funksionalizimin e saj , bazuar në analizën e gjendjes, pra duke parë se si e kemi situatën në terren .
  • Standardizimi i modelit të qendrave për këshillim në karrierë dhe institucionalizimi i shërbimeve, me qëllim që të mbulohet me shërbime niveli i shkollave profesionale. Por, edhe për ofrimin e shërbimeve të orientimit në karrierë te niveli i shkollave të mesme të ulëta;

Ky lloj edukimi, ky lloj arsimimi duhet të nisë sa më herët në mënyrë që për çdo diplomë që nxjerrë sistemi ynë arsimor të ketë një vend pune në ekonominë e Kosovës.

  • Ridefinimi i kritereve për financimin e shkollave profesionale, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave;
  • Në finalizim e sipër është dokumenti i kornizës kurrikulare të AAP-së, pra të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, dokument i cili ka ngelur i papërfunduar që nga viti 2018. Ky dokument do të jetë udhërrëfyes për strukturimin e planprogrameve që do të ofrohen në shkolla profesionale;
  • Zhvillimi i programit kualifikues për përgatitjen e mësimdhënësve para shërbimit për angazhim në shkollat profesionale;

Sepse ne do ti kemi nxënësit e mirë, nëse i kemi mësimdhënësit e mirë dhe sa më të mirë mësimdhënësit, gjeneratë pas gjenerate aq më të mira do të jenë edhe gjeneratat e nxënësve të cilët dalin nga ato shkolla ku kemi progres të mësimdhënësit para se të kemi edhe tek nxënësit, dhe,

  • Rishikimi i procedurave të verifikimit të standardeve të profesionit, validimit të programeve kualifikuese, dhe akreditimin e institucioneve të arsimit dhe aftësimit profesional,

 

E shumë, e shumë nisma të tjera të cilat do të avancojnë më tej sistemin e AAP-së.

Secili prej nesh në mënyrën e formën e vet, kemi përgjegjësi për të kontribuar në komunitetin ku jetojmë, e ku veprojmë. Sistemi arsimor që i zhvillon shkathtësitë e dijen, dhe ndërlidhja me nevojat e tregut, sigurisht që i sjell kualifikime me të duhura e rezultate më të mira përparimtare, për vendin, për qytetarët, dhe për brezat që do të vijnë.

Gjithashtu besoj që pajtohet edhe Astriti me mua që kemi nevojë për sa më shumë afirmim pozitiv në mediat e Kosovës, të rezultateve të këtyre bashkëpunimeve ndërmjet sistemit arsimor dhe sektorit privat të bizneseve. E dini është një thënie hidhur që thotë se në gazetari, fatkeqësisht lajmi i mirë është lajmi i keq e lajmi i keq është lajm i mirë.

Po ne kemi nevojë që lajmi mirë me qenë lajm i mirë. Andaj duhet t’i bashkojmë forcat si institucione të shtetit, si sektorë privat dhe si sistem i arsimit që këta shembuj të suksesit, të arritshmërive gjithnjë e më të larta të bëhen sa më publike e të njohura për qytetarët e Republikës së Kosovës sepse në këtë mënyrë edhe shtohet vetëbesimi i tyre, po në të njëjtën kohë edhe inkurajohen, frymëzohen që të studiojnë profile të caktuara kur i shohin rastet e suksesshme.

Unë krejt në fund po i’ua marr veç një shembull timin se si nuk duhet ndodhte. Isha bashkë me ministren Arbërie Ngavci në shkollën “Shtjefen Gjeçovi”, pamë aty se si demonstrohet prerja e flokëve në kuadër të arsimit dhe aftësimit profesional për floktari. Ishin instruktorët, ishin nxënësit dhe gjithçka shkonte shumë mirë. Prej aty thamë po shkojmë në një vend tjetër, në një ndërmarrje, në një floktari në një lagje të Prishtinës në të cilën do t’i shohim një vajzë dhe një djalë që ishin midis moshës 16-18 vjeçare duke demonstruar praktikisht mësimin teorik që e kishin bërë në shkollë dhe kur shkuam atje, ishin gazetarët me neve. Hynëm brenda, biseduam me pronarët, me atë punëtoren seniore që ishte, me nxënësit e rinj që ishin aty dhe lajmi në mbrëmje ishte që kryeministri Kurti i pren flokët te American Beauty. Unë nuk i preva flokët te American Beauty, po a e kuptoni? Pra, ne shkuam tek shkolla që i mëson nxënësit të i prejnë flokët, shkuam te ndërmarrja ku ata nxënës punonin pas shkollës edhe në fund lajmi ishte ku i prej flokët unë.

Prandaj na duhet të punojmë pak më shumë që afirmimi të jetë sa më i drejtë edhe pozitiv, për shkak që duket se edhe nuk ekziston një lloj kulture dhe njohurie e mjaftueshme tek ne për ta kuptuar se sa e rëndësishme është çështja e arsimit dhe aftësimit profesional dhe sa shumë suksese e të arritura ka në jetën tonë shoqërore dhe ekonomike të cilat fatkeqësisht dihen pak.

Unë ju përgëzoj edhe njëherë për punën që po bëni e ju falënderoj për vëmendjen.

Last modified: 14 Qershor, 2023

Comments are closed.