Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada e Holandës në Kosovë, me rastin e festimit të Ditës së Mbretit

24 Prill, 2025

Prishtinë, 24 prill 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada e Holandës në Kosovë, me rastin e festimit të Ditës së Mbretit.

Duke uruar aleatin tonë dhe shtetin mik të Holandës, kryeministri Kurti tha se Holanda i ka qëndruar pranë Kosovës: nga ndërhyrja e NATO-s që ndaloi gjenocidin, deri te njohja e pavarësisë sonë, mbështetja e integrimit tonë në organizatat ndërkombëtare dhe zhvillimit përmes programit MANTRA.

Theksoi rëndësinë e Holandës dhe qytetit të Mastrihtit, aty ku reformat më të rëndësishme të traktateve themeluese të BE-së morën formë.

“Traktati i Mastrihtit hapi rrugën për euron – një monedhë që sot e ndan dhe përdor edhe Kosova. Traktati i Mastrihtit prezantoi gjithashtu Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, e cila vazhdon të udhëheqë veprimtarinë e BE-së, si jashtë ashtu edhe në raport me Republikën e Kosovës – përmes Zyrës/Përfaqësisë së BE-së në Kosovë, dialogut për normalizim, Përfaqësuesve të Posaçëm të BE-së, EULEX-it dhe shumë iniciativave dhe mekanizmave të tjerë.”

Gjersa veçoi rëndësinë e Holandës në fushën e agrikulturës dhe teknologjisë me prodhimin e materialeve gjysmëpërçuese, kryeministri Kurti tha se epoka e Artë e Holandës nuk kufizohet vetëm në udhëheqjen e saj të shekullit të 17-të, por ajo vazhdon të reflektohet në ndikimin e jashtëzakonshëm të vendit sot dhe në shoqërinë që ka lulëzuar nën mbretin Willem-Alexander.

Në vijim, ai tha se Holanda është një burim i madh frymëzimi edhe si anëtare themeluese e organizatave të rëndësishme të brezit tonë dhe jo vetëm, si NATO dhe BE-ja. Kryeministri e përfundoi fjalën e tij duke thënë se le të shërbejë kjo ditë për ta kujtuar Holandën edhe si një shembull të ndritshëm të udhëheqjes me inovacion dhe formësimit të një të ardhmeje që është edhe e guximshme dhe progresive.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

 

Shkëlqësia Juaj Karin Boven, ambasadore e Holandës në Republikën e Kosovës,

Shkëlqësia Juaj Ahtifete Jahjaga, ish-Presidente e Republikës së Kosovës,

Të nderuar ambasadorë, kryetarë misionesh, të ngarkuar me punë dhe përfaqësues të ambasadave,

Anëtarë të Qeverisë dhe Parlamentit të Republikës sonë,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Është një kënaqësi e madhe të qëndroj para jush sot për të festuar Ditën e Mbretit të aleatit dhe mikut tonë të mirë, Holandës. Holanda ka qëndruar pranë Kosovës që nga ndërhyrja e NATO-s që ndaloi gjenocidin, deri te njohja e pavarësisë sonë vetëm disa javë pas shpalljes së saj më 17 shkurt 2008, dhe mbështetja e integrimit tonë në organizatat ndërkombëtare dhe zhvillimit përmes programit MANTRA. Ne presim me padurim thellimin e bashkëpunimit politik, zgjerimin e tregtisë dhe vazhdimin e forcimit të lidhjeve tona dypalëshe.

Kam pasur privilegjin të vizitoj Holandën për herë të parë në vitin 1998, si një nga udhëheqësit studentorë të Kosovës, duke shkuar në qytetin e Maastrichtit dhe Universitetin atje. Kjo vizitë mbart një kuptim të madh simbolik, sepse pikërisht këtu morën formë reformat më të rëndësishme të traktateve themeluese të BE-së. Traktati i Maastrichtit hapi rrugën për Euron – një monedhë që sot Kosova e ndan dhe e përdor si të vetën. Traktati i Maastrichtit prezantoi gjithashtu Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, e cila vazhdon të udhëheqë veprimet e BE-së, si jashtë vendit ashtu edhe në lidhje me Republikën e Kosovës – përmes Zyrës/Përfaqësimit të BE-së në Kosovë, dialogut të normalizimit, Përfaqësuesit Special të BE-së, EULEX-it dhe shumë iniciativave dhe mekanizmave të tjerë.

Epoka e Artë Holandeze nuk kufizohet vetëm në udhëheqjen e saj të shekullit të XVII; ajo vazhdon të reflektohet në ndikimin e jashtëzakonshëm të vendit sot – dhe në shoqërinë e gjallë që ka lulëzuar nën Madhërinë e Tij Mbretin Willem-Alexander, ditëlindjen e të cilit festojmë sot.

Por admirimi im për Holandën shkon shumë përtej politikës. Është e vështirë të mendosh për këtë vend pa përmendur emrat që na hapën shqisat dhe në veçanti Vermeerin, Rembrandtin dhe Van Gogh, shtyllat e kulturës dhe artit. Dhe për ata ndër ne që kemi pasur moshën për të shijuar futbollin që nga shekulli i kaluar, e dimë se përpara se Beckham të bënte bujë në Manchester, ishte Bergkamp në Ajax.

Që nga adoleshenca jonë e hershme, ne këtu në Kosovë mund të mos e kujtojmë markën e stereos sonë të parë, por sigurisht nuk mund ta harrojmë të dytën që morëm – dhe e shfrytëzuam aq shumë, në dëm të fqinjëve tanë — e cila, sigurisht, ishte nga Philips.

Merrni parasysh bujqësinë holandeze. Me një popullsi prej 18 milionë banorësh, Holanda është eksportuesi i tretë më i madh në botë i produkteve bujqësore, duke lënë pas vetëm Shtetet e Bashkuara dhe, vitin e kaluar, edhe Brazilin. Në fakt, ajo renditet përpara ekonomive të mëdha si Kina, India, Gjermania, Kanadaja dhe Japonia. Kjo është vërtet e jashtëzakonshme.

Së fundmi, duhet të përmend edhe udhëheqjen e Holandës në fushën e gjysmëpërçuesve. Ndërsa Holanda mund të mos jetë prodhuesi më i madh i gjysmëpërçuesve, ajo prodhon teknologjinë më të përparuar për krijimin e tyre, gjë që e bën vendin një zë të rëndësishëm në peizazhin aktual të teknologjisë.

Holanda, një anëtare themeluese e NATO-s dhe BE-së, organizatave më të rëndësishme jo vetëm të gjeneratës sonë, është një burim i madh frymëzimi, madje edhe aty ku nuk do ta prisnit. Për shembull, pas zgjedhjeve të përgjithshme, partive politike holandeze iu deshën gati gjashtë muaj për të formuar një qeveri. Ndoshta frymëzimi këtu është vërtet i thellë dhe i gjerë. Megjithatë, ne po punojmë shumë këto ditë dhe orë për të bërë më mirë, për të bërë shumë më mirë. Dhe siç e keni vënë re, dita në Kosovë nuk është 24 orë, është 48 orë.

Zonja dhe zotërinj, ndërsa festojmë Ditën e Mbretit, le ta kujtojmë Holandën si një shembull të shkëlqyer të asaj që do të thotë të frymëzosh të tjerët, të udhëheqësh me inovacion dhe të formësosh një të ardhme që është njëkohësisht e guximshme dhe me vizion. Dhe sigurisht për më shumë ura, lule, dhe mullinj me erë që na duhen njësoj në jetë dhe në politikë.

Faleminderit dhe Gëzuar Ditën e Mbretit!

Last modified: 25 Prill, 2025

Comments are closed.