Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në organizimin për shënimin e Ditës së Pavarësisë së Malit të Zi

27 Maj, 2024

 

Prishtinë, 27 maj 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Asociacioni i Malit të Zi me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Malit të Zi.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti e uroi shtetin malazez në 18 vjetorin e pavarësisë, duke e cilësuar atë si ditë të qëndrueshmërisë, unitetit dhe vendosmërisë së kombit malazez. Ai theksoi dhe vizionin e përbashkët për demokraci të fortë, orientim veri atlantik dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian. 

Duke nënvizuar se marrëdhënia ndërmjet dy vendeve tona është e bazuar në vlera të përbashkëta dhe në respekt të ndërsjelltë, kryeministri shtoi se miqësia me Malin e Zi ka histori të pasur dhe përfshin lidhje politike, ekonomike e kulturore, si dhe po punojmë bashkërisht për realizimin e projekteve infrastrukturore që na sjellin më pranë njëri tjetrit, në ndërlidhjen e Pejës me Rozhajën, e Deçanit me Plavën. 

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për kontributin e Malit të Zi e cila njëzet e pesë vite më parë u bë strehë shpëtimi për më shumë se njëqind mijë qytetarë të Kosovës.

“Kosova do të jetë përherë mirënjohëse, nuk do të harrojë humanitetin e treguar nga Mali i Zi si shtet dhe nga qytetarët e saj.

Andaj, edhe një herë dua të shpreh vlerësimin tonë për mbështetjen dhe miqësinë tuaj.” përfundoi kryeministri.

Pjesëmarrës në këtë pritje ishin edhe Zëvendëskryeministrja e tretë për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe zëvendëministri, Lazar Raduloviq, si dhe përfaqësues të tjerë institucional.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Hvala vam gospodina, zamenika ministra gospodin Raduloviq,

Gospođa zamenica premijera Emiljia Rexhepi,

Gospodin Erduan Demiq,

Gospođa Fedisa Daciq,

I nderuari kryetar i komunës së Pejës,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve,

Zonja dhe zotërinj,

Dita e Pavarësisë së Malit të Zi është ditë e qëndrueshmërisë, e unitetit dhe e vendosmërisë së kombit tuaj. Në këtë ditë të rëndësishme, ne bashkohemi me ju në festimin e arritjeve e të përparimeve që Mali i Zi i ka bërë ndër vite. E rikonfirmojmë vizionin tonë të përbashkët për një demokraci të fortë, orientim veri atlantik dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Marrëdhënia ndërmjet dy vendeve tona është e bazuar në vlera të përbashkëta dhe në respekt të ndërsjelltë. Miqësia ynë me Malin e Zi ka histori të pasur dhe përfshin lidhje politike, ekonomike e kulturore.

Mbrëmë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë u dha shfaqja “Bloody Moon” nga Teatri Kombëtar i Malit të Zi, ndërkaq sot në Galerinë tonë Kombëtare vizitova ekspozitën e artistit tonë të çmueshëm, Gjelosh Gjokaj. 

Si dy shtete demokratike, kemi bashkëpunuar ngushtë për të promovuar paqen në rajonin tonë. Jemi krenar që Malin e Zi e konsiderojmë vend mik e aleat. Këtë lidhje e bën më të afërt komuniteti shqiptar dhe malazez, të cilët jetojnë dhe kontribuojnë aktivisht në zhvillimin e dy vendeve tona.

Së bashku, po punojmë për të nxitur tregtinë dhe investimet, si dhe për realizimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore, që lidhin Pejën me Rozhajë, Deçanin me Plavë, e të cilat do të afrojnë edhe më tej qytetarët tanë, si dhe do të rrisin zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal. Kemi folur njëzëri në forume ndërkombëtare për të mbrojtur vlerat e përbashkëta euro-atlantike.

Kosova është vend i cili dëshmohet me multietnicitetin dhe multikulturalizmin edhe në shoqëri edhe në institucione, edhe këtu siç mund ta shihni nga Qeveria e Republikës së Kosovës, jemi katër veta kryeministri shqiptar, zëvendësja boshnjake, ministri Nenad Rashiq, serb, dhe zëvendësministri Raduloviq, malazez.

E kemi thënë shumë herë, por asnjëherë nuk është e tepërt që ta përsërisim, që jemi thellësisht falënderues për Malin e Zi, që këtu e njëzet e pesë vite më parë u bë strehë shpëtimi për më shumë se njëqind mijë qytetarë të Kosovës, në ditët më të rënda të historisë sonë më të re. Kosova do të jetë përherë mirënjohëse, nuk do të harrojë humanitetin e treguar nga Mali i Zi si shtet dhe nga qytetarët e saj. 

Andaj, edhe një herë dua të shpreh vlerësimin tonë për mbështetjen dhe miqësinë tuaj.

Gëzuar 18-vjetorin e Pavarësisë së Malit të Zi!

Čestitam vam Dan nezavisnosti!

Last modified: 27 Maj, 2024

Comments are closed.