Strugë, 16 qershor 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin e Prespës në Strugë të Maqedonisë së Veriut, ka qenë i ftuar po ashtu edhe në një panel diskutimi për situatën politike në vend e rajon në Prespa Forum Dialogue, me titull “Rruga drejt progresit: Bisedë me Kryeministrin Albin Kurti”.
Fjalën e tij hyrëse në panel ai e filloi dukë thënë se për të politika është gjithmonë ‘’betejë dhe shërbim’’, por që ai do të dëshironte më shumë shërbim për qytetarët e sa më pak betejë me kundërshtarët e tij.
Ai tha se Kosova, në këto dy vitet e fundit ka pasur një qeveri socialdemokrate, që kombinoi zhvillimin ekonomik me zhvillimin demokratik.
Teksa përmendi të arriturat e Kosovës, ai shtoi se ne jemi një vend i vogël, por ekonomia dhe demokracia shkojnë ‘’krah për krah’’.
Kryeministri foli edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe për situatën aktuale në katër komunat në veri të vendit dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai nënvizoi ngjarjet e ditës së mërkurë, kur tre policë të Kosovës u rrëmbyen nga forcat serbe thellë në brendësi të territorit të Republikës së Kosovës, kërkesën për lirim të menjëhershëm dhe pa kushte dhe nevojën për dënimin e qartë nga faktorët ndërkombëtarë të këtij veprimi agresor të Serbisë ndaj Kosovës.
Kryeministri ndër tjera foli edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë në kuptim të zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj.
Last modified: 17 Qershor, 2023