Prishtinë, 15 korrik 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar për shënimin e 25- vjetorit të organizatës joqeveritare “Balkan Sunflowers”. Kjo organizatë, ka punuar një çerek shekulli në Kosovë me qëllim ndikimin pozitiv në jetën shoqërore në vend, duke u angazhuar në nisma për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe duke kontribuar në arsim, shëndetësi, kulturë, qytetari, punësim dhe respekt për diversitetin.
Në fjalën e tij, kryeministri vlerësoi përkushtimin e kësaj organizate teksa kujtoi dhe aktivitetet e saj ndër vite.
“Ja ku jemi sot këtu, për të festuar për këtë organizatë dhe angazhimin, suksesin dhe ndryshimin që ajo e ka sjellë. Siç ka thënë Aristoteli: “Ne jemi ajo që bëjmë në mënyrë të përsëritur. Prandaj, përsosmëria nuk është akt, por zakon.” Ky citim besoj që përmbledh përkushtimin e madh të këtij çerek shekulli të “Balkan Sunflowers”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka dëshmuar vazhdimisht që organizatat joqeveritare i trajton dhe konsideron si partnere, duke njohur dhe vlerësuar kontributin e tyre, e mbështetur ato përmes thirrjeve të hapura për projekte e aktivitete të ndryshme.
Në këtë drejtim, kryeministri theksoi se qendrat mësimore të “Balkan Sunflowers” të licencuara nga MAShTI janë përkrahur me fonde nga Ministria edhe për këtë vit në shumën prej 56 mijë eurove. “Kjo ndihmon edhe në prioritetet e Strategjive tona, në parandalimin e braktisjes së shkollës si dhe në parandalimin e martesave të hershme”, tha kryeministri
Teksa e falënderoi organizatën për punën, angazhimin, rolin dhe kontributin ndër vite, kryeministri përfundoi fjalën e tij duke theksuar se përmes bashkëpunimit, mund të arrijmë objektivat tona për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Ferdane Asllani, Drejtore e Balkan Sunflowers Kosova,
I nderuari z. Rand Engel, themelues dhe ish-drejtor i Balkan Sunflowers,
E nderuara znj. Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
I nderuari z. Tomas Szunyog, Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë,
E nderuara znj. Nancy Soderberg, Drejtore e Institutit Demokratik Kombëtar,
E nderuara znj. Veronika Vashchenko, Drejtore e UNICEF në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare,
Të dashur pjesëmarrës, anëtarë të Balkan Sunflowers,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,
Është kënaqësi të jem këtu bashkë me juve në shënimin e këtij përvjetori të rëndësishëm, jubilar, 25 vjetorit të Balkan Sunflowers Kosova. Ky jubile flet për përkushtimin e kësaj organizate në ndihmë ndaj komuniteteve.
Në vitin 2003, unë isha i ftuar si mysafir në një trajnim multietnik dhe pjesë e disa aktiviteteve të Balkan Sunflowers. Aty e kam takuar për herë të parë z. Rand Engel, dhe kam parë nga afër energjinë pozitive, punën e palodhur, durimin, disiplinën dhe idetë pozitive e progresiste për të drejtat e njeriut dhe barazinë sociale.
Ja ku jemi sot këtu, për të festuar për këtë organizatë dhe angazhimin, suksesin dhe ndryshimin që ajo e ka sjellë. Siç ka thënë Aristoteli: “Ne jemi ajo që bëjmë në mënyrë të përsëritur. Prandaj, përsosmëria nuk është akt, por zakon.” Ky citim besoj që përmbledh përkushtimin e madh të këtij çerek shekulli të Balkan Sunflowers.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka dëshmuar vazhdimisht që organizatat joqeveritare i trajtojmë dhe i konsiderojmë si partnerë. Duke njohur dhe vlerësuar kontributin e organizatave, gjatë viteve kemi pasur thirrje të hapura për të mbështetur projekte e aktivitete të ndryshme.
Gëzohem që qendrat mësimore të Balkan Sunflowers të licensuara nga MAShTI janë përkrahur me fonde nga Ministria edhe sivjet me një shumë prej 56 mijë eurove. Kjo ndihmon edhe në prioritetet e Strategjive tona, në parandalimin e braktisjes së shkollës si dhe në parandalimin e martesave të hershme.
Përmes bashkëpunimit mund të arrijmë objektivat tona për një shoqëri më të drejtë e më të barabartë, siç e tha edhe drejtorja Ferdane Asllani. Organizatat, sikurse Balkan Sunflowers, vazhdimisht kanë luajtur rol në këtë aspekt. Andaj, unë ju falënderoj për punën, angazhimin, rolin, kontributin tuaj dhe gëzuar 25 vjetorin!
Ju dëshiroj edhe shumë ditëlindje të tjera, edhe shumë dekada të tjera, edhe shumë çerekshekuj të tjerë.
Faleminderit për gjithçka që keni bërë dhe bëni.
Last modified: 22 Korrik, 2024