Prishtinë, 13 qershor 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot mori pjesë në lansimin e projektit “Gender Equality Facility”, partneritet ndërmjet Bashkimit Evropian, UN Women, Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Në kuadër të hapave të anëtarësimit në Bashkimi Evropian, kryeministri Kurti ritheksoi nevojën e përafrimit të mëtejmë të kornizës sonë ligjore me atë të Bashkimit Evropian, andaj pikërisht projekti “Gender Equality Facility” sipas tij është një hap i drejtë pasi ka për qëllim përafrimin e mëtejmë të politikave tona me direktivat e Bashkimi Evropian për barazi gjinore.
“Si Qeveri angazhohemi me punën tonë, që në shoqërinë tonë të gjithë t’i kemi edhe mundësitë e barabarta. Pra, jo vetëm të drejtat e barabarta por edhe mundësitë e barabarta”, deklaroi kryeministri Kurti, duke potencuar se po ndërmarrim hapa konkret për një Kosovë sa më barazimtare mes grave dhe burrave.
Pasi që edukimi është fusha e cila mundëson fuqizimin e grave, si Qeveri kemi theksuar rëndësinë e bursave në kuadër të programit STEM, për të eleminuar një hendek social në tregun e punës.
Në anën tjetër, kryeministri tregoi se nga 37,350 vende pune të reja, 50.3% janë gra, e madje edhe nga programi “SuperPuna” më shumë se sa gjysma e atyre që kanë përfituar, po ashtu janë gra. Programi “Qeveria për familje”, ka mundësuar që 603 janë gra të jenë përfituese, përderisa edhe janë mbështetur mbi 34,000 gra lehona, me ç’rast edhe 90 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë.
Kësisoj, kryeministri Kurti shpalosi faktin se brenda dy viteve të zbatimit, kemi arritur 18 nga 34 caqet e Programit të Kosovës për Barazi Gjinore, përfshirë edhe miratimin e Koncept Dokumentit për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor.
Në fund, kryeministri bëri thirrje për fuqizimin e grave dhe vajzave përbrenda familjes, derisa qeverisja jonë mbetet e përkushtuar për shtyerjen përpara të agjendës për barazi gjinore në Republikën e Kosovës.
Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti:
I nderuar zotëri Johannes Stenbaek Madsen, Udhëheqës i Zyrës për Bashkëpunim në Bashkimin Evropian,
E nderuar Koordinatore e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, zonja Arnhild Spence,
E nderuara shefe e UN Women, Vlora Nushi,
Të nderuar kryetarë të komunave,
Të nderuar drejtues e përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare,
Të nderuara aktiviste, mbrojtëse të të drejtave të grave,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Në fund të vitit që e lamë pas, më saktësisht në mes të dhjetorit, isha në Pragë me përkushtim të palëkundur të Kosovës në vlerat fondamentale të Bashkimit Evropian. Atje dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian me bindjen e plotë se Kosova e ka vendin në këtë bashkim dhe se aty do të na gjejë e ardhmja.
Aplikimi në vetvete është një hap i madh historik, por hapat drejt anëtarësimit janë të shumtë. Janë puna dhe përkushtimi i përditshëm bazuar në vlerat demokratike evropiane, në të cilat ne besojmë dhe i kultivojmë si: dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. Qeveria jonë po punon për një shoqëri me diversitet, gjithëpërfshirje dhe me mundësi të barabarta për të gjithë. Po punojmë për përafrimin e mëtejmë të kornizës sonë ligjore me atë të Bashkimit Evropian, që të mos kemi asnjë pengesë drejt anëtarësimit, e për më tepër që anëtarësimi të mos na gjejë assesi me pabarazi të theksuara.
Një hap drejt barazisë, është edhe ky projekt që na ka mbledhur sot. Andaj, kam kënaqësinë të ju drejtohem sot në lansimin e Gender Equality Facility, i cili ka për qëllim përafrimin e mëtejmë të politikave tona me direktivat e Bashkimi Evropian për barazi gjinore.
Me këtë partneritet ndërmjet Bashkimit Evropian, UN Women, Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, jam optimist se do të arrihet të përbrendësohet perspektiva gjinore në të gjitha proceset e planifikimit dhe politikëbërjes që do të adresohen nevojat e grave dhe vajzave me gjithë shumëllojshmërinë e situatave të tyre në shoqëri, që politikat dhe planet të na shpiejnë drejt një shoqërie të barabartë, ku gratë dhe burrat, përfitojnë dhe gjithashtu kontribuojnë në mirëqenie, zhvillim ekonomik, paqe dhe siguri në vend.
Të gjithë ne besojmë që duhet të gëzojmë të drejtat e barabarta, por ne si Qeveri angazhohemi me punën tonë, që në shoqërinë tonë të gjithë t’i kemi edhe mundësitë e barabarta. Pra, jo vetëm të drejtat e barabarta por edhe mundësitë e barabarta.
Kornizën ligjore krahas avancimit po e shoqërojmë me politika të duhura publike, rritje të cilësisë së shërbimeve publike, pavarësi ekonomike e financim të qëndrueshëm. Po ndërmarrim hapa konkret për një Kosovë sa më barazimtare mes grave dhe burrave.
Në përgjithësi çdo studim tregon që vajzat janë studente më të mira se djemtë nëpër fakultete të universiteteve tona. Mirëpo më pas, pas përfundimit të studimeve, duke pas parasysh që djemtë po paguhen më lart në vende të ndryshme të punës, ne kemi theksuar rëndësinë e bursave në kuadër të programit STEM, pra shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, në mënyrë që të mos kemi një hendek social në tregun e punës ku vajzat dhe gratë janë studente më të mira, po më pastaj janë djemtë dhe burrat që paguhen më shumë e më mirë. Pra, edukimi është një fushë në të cilën duhet të fuqizojmë gratë ashtu që t’i kenë mundësitë e barabarta po njëkohësisht edhe të mos marrin më pak në fund përkundër përpjekjeve më të mëdha në proces.
Jemi të lumtur gjithashtu që brenda dy viteve të zbatimit, kemi arritur 18 nga 34 caqet e Programit të Kosovës për Barazi Gjinore. Për planifikim dhe zbatim të rregullt vjetor të buxhetimit gjinor në nivel vendi, kemi miratuar Koncept Dokumentin për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor. Për të zvogëluar pabarazitë dhe hendeqet në zhvillim, nevojitet rritje e përfshirjes dhe pjesëmarrjes aktive të grave dhe vajzave në kontrollin dhe shpërndarjen e burimeve financiare, si dhe të rritjes së qasjes në fonde publike.
Gjatë 21 muajve, prej marsit të vitit 2021 deri në dhjetorin e vitit 2022, kemi pasur gjithsej 37,350 vende pune të reja përfshirë edhe një pjesë të tyre të formalizuara ku 50.3% janë gra. Gjithashtu edhe nga programi “SuperPuna” më shumë se sa gjysma e atyre që kanë përfituar, po ashtu janë gra. Nga 1500 përfitues të programit “Qeveria për familje”, të mos kemi asnjë familje pa dikë të punësuar, 603 janë gra. Janë mbështetur mbi 34,000 gra lehona, gjithsej mbi 351 mijë fëmijë, pra nën moshën 16 vjeçare, me shtesa për fëmijë dhe të gjitha këto i kemi bërë në emër të nënës. Pra mbështetje financiare në emër të nënës, me ç’rast edhe 90 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë.
Tash ne që jemi burra në familje e dimë që paratë është më mirë me i mbajt gruaja, prandaj edhe është treguar shumë e sukesshëm që fuqizimi financiar i gruas të jetë edhe në bizneset e tyre që ne i mbështesim, edhe në punësimin e tyre në tregun e punës, edhe në edukimin e tyre në mënyrë që të mos kenë paga më të ulëta për punën e njëjtë, por edhe fuqizimin të grave në vet familje.
Jashtë orarit të punës dhe jashtë profesionit, jemi në familje edhe aty duhet të forcohen gratë edhe vajzat. Shkollimi dhe punësimi i grave dha vajzave janë matësi i zhvillimit ekonomik e i progresit shoqëror. Për këtë edhe e kemi bërë arsimin publik falas për të studentët në nivelin baçelor dhe master. Qeverisja jonë mbetet e përkushtuar ndaj politikave demokratike e sociale, për një shoqëri që është e drejtë, e barabartë dhe përparimtare.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Qeveria jonë mbetet e përkushtuar për politikat demokratike dhe sociale, për një shoqëri që është e drejtë, dhe e barabartë pra, me të drejta të barabarta por edhe me mundësi të barabarta.
Andaj, me përgjegjësi institucionale, bashkëpunim me organizatat e partnerët vendor e ndërkombëtarë, me përfshirje e pjesëmarrje të qytetarëve, gra e burra, vajza e djemë, së bashku do të shtyjmë përpara agjendën për barazi gjinore në Republikën e Kosovës.
Ju falemnderit!
Last modified: 13 Qershor, 2023