Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në konferencën për publikimin e raportit mbi pasojat afatgjata të përdhunimeve të luftës në Kosovë, “Unë nuk kam faj për atë që më ka ndodhur”

12 Shtator, 2024

 

Prishtinë, 12 shtator 2024

U mbajt konferenca e lansimit të raportit mbi pasojat afatgjata të përdhunimeve të luftës në Kosovë, “Unë nuk kam faj për atë që më ka ndodhur”, aktivitet i përbashkët i shoqatës së grave, “Medica Gjakova” dhe shoqatës “Medica Mondiale”.

Studimi dokumenton pasojat e thella dhe afatgjata psikologjike, fizike dhe sociale të dhunës seksuale të luftës, duke filluar nga çrregullimet komplekse të stresit post-traumatik dhe depresionit, dhimbja e kokës dhe lodhja, deri te mosbesimi dhe rritja e frikës, duke formësuar kështu jetën e atyre që janë prekur edhe 25 vjet pas përvojës së dhunës.

Në këtë ngjarje të një rëndësie të veçantë, pjesëmarrës ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili tha se në Kosovë, gjatë viteve 1998 – ‘99, dhuna seksuale është përdorur si armë lufte nga Serbia. Një mjet lufte që ka lënë pasoja të thella e të gjëra, te individi, familja dhe mbarë populli e shoqëria, andaj, edhe na përket të gjithëve adresimi i këtyre krimeve të luftës, që të mund të ndërprejmë efektin shkatërrues të kësaj arme në shoqëri.

Për ndarjen e historive dhe përvojat e tyre në raportin që u lansua sot, kryeministri Kurti shprehu një falënderim të përzemërt për të mbijetuarat e të mbijetuarit, duke thënë se u jemi thellësisht mirënjohës për qëndresën dhe guximin e tyre përgjatë këtyre 25 vjetëve nga përfundimi i luftës. Republika e Kosovës qëndron në krah të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, e përkushtuar për mbështetje institucionale, për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Në përpjekjet tona për të adresuar plagët e së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë për të gjithë qytetarët tanë, bashkë po hedhim hapa përpara. Për herë të parë pas përfundimit të luftës, Republika e Kosovës ka Strategji për Drejtësi Tranzicionale’’, theksoi kryeministri.

Në vazhdim të fjalës së tij, ai tha se jemi të përkushtuar për ta trajtuar me profesionalizëm, integritet e ndjeshmëri procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës, duke bërë të ditur se tashmë kemi funksonalizuar Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, që ka qasje me ndjeshmëri gjinore në metodologjinë e dokumentimit e të hulumtimit.

“Duke ua njohur dhimbjen dhe vuajtjet e pamatshme grave dhe vajzave, djemve dhe burrave, të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, 14 prillin e kemi shpallur Ditë memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tha më tej ai.

Në përmbyllje të adresimit të tij në këtë konferencë, kryeministri falënderoi organizatat, “Medica Gjakovës” dhe “Medica Mondiale” për rekomandimet e përmbledhura në këtë raport studimor aq të rëndësishëm për ndikimet afatgjata të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Jemi bashkë në qëllimin dhe përkushtimin tonë për një shoqëri ku të gjitha të mbijetuarat e të mbijetuarit të mund të gjejnë drejtësi, shërim dhe paqe”, shtoi si.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara Ministre e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, znj.Albulena Haxhiu,
E nderuara znj.Monika Hauser, themeluese dhe kryesuese e Bordit Medica Mondiale,
E nderuara znj.Mirlinda Sada, Drejtore Ekzekutive e Medica Gjakova,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe të organizatave të shoqërisë civile,
Të dashura të mbijetuara e të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës,
Të nderuar aktivistë e aktiviste të drejtave të njeriut,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm

Luftërat e viteve të ‘99-ta në ish-Jugosllavi lanë pas shumë shkatërrim e vuajtje. Një nga krimet më tronditëse dhe çnjerëzore ishte përdorimi i dhunës seksuale si strategji e qëllimshme, për të poshtëruar e frikësuar dhe për të ndarë familjet e komunitetet. Në heshtje e përjashtim shoqëror, të mbijetuarat e këtyre krimeve u bënë forca lëvizëse për ndryshime të rëndësishme në drejtësinë ndërkombëtare, për njohjen dhe dënimin e këtij krimi të luftës.

Në Kosovë, gjatë viteve 1998 – ‘99, dhuna seksuale është përdorur si armë lufte nga Serbia. Një mjet lufte që ka lënë pasoja të thella e të gjëra, te individi, familja dhe mbarë populli e shoqëria.

Andaj, edhe na përket të gjithëve adresimi i këtyre krimeve të luftës, që të mund të ndërprejmë efektin shkatërrues të kësaj arme në shoqëri.
Në vazhdimësi, qoftë publikisht apo në anonimitet, të mbijetuarat edhe tani po shtyjnë përpara ndryshimet e po formësojnë mbështetjen për të gjitha ato gra e burra, zëri i të cilëve nuk dëgjohet.

Një falënderim i përzemërt për të mbijetuarat e të mbijetuarit që kanë ndarë historitë dhe përvojat e tyre në raportin që u lansua sot. U jemi thellësisht mirënjohës për qëndresën dhe guximin e tyre përgjatë këtyre 25 viteve nga përfundimi i luftës.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Republika e Kosovës qëndron në krah të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, e përkushtuar për mbështetje institucionale, për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në përpjekjet tona për të adresuar plagët e së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë për të gjithë qytetarët tanë, bashkë po hedhim hapa përpara. Për herë të parë pas përfundimit të luftës, Republika e Kosovës ka Strategji për Drejtësi Tranzicionale.

Zbatimi i kësaj strategjie kërkon mbështetje nga të gjithë ne. Andaj shpreh mirënjohjen për kontributin e të gjithëve në procesin e hartimit dhe të konsultimeve, dhe mirëpres bashkëpunimin në këtë proces shumë të rëndësishëm për të gjithë ne në të tashmen por edhe për të ardhmen e vendit tonë.

Jemi të përkushtuar për ta trajtuar me profesionalizëm, integritet e ndjeshmëri procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës. Tashmë kemi funksionalizuar Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, që ka qasje me ndjeshmëri gjinore në metodologjinë e dokumentimit e të hulumtimit.

Duke ua njohur dhimbjen dhe vuajtjet e pamatshme grave dhe vajzave, djemve dhe burrave, të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, 14 Prillin e kemi shpallur Ditë Memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

I gëzohemi bashkëpunimit të organizatave të autorizuara me Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Qeveria do të vazhdojë mbështetjen financiare për katër organizatat, për të lehtësuar sa më shumë procesin e aplikimit të të mbijetuarave për njohjen e statusit.

Jemi mirënjohës për bashkëpunimin në këtë proces kaq kompleks e tejet të ndjeshëm, për të pasur gjithmonë viktimën në qendër. Faleminderit “Medica Gjakovës” dhe “Medica Mondiale” për rekomandimet e përmbledhura në këtë raport studimor aq të rëndësishëm për ndikimet afatgjata të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Mes tjerash, ky studim shtjellon rëndësinë e mbështetjes së familjes, organizatave, mediave dhe institucioneve. Nga këtu, sërish bëjmë thirrje për solidaritet nga familjet dhe shoqëria. Është detyrim i yni i përbashkët t’i përkrahim të mbijetuarat. T’i inkurajojnë që të thyejnë heshtjen për këtë krim lufte. Të jemi përherë zë i fuqishëm e krah i fortë i tyre, për drejtësinë e merituar.

Përkrahja e pakushtëzuar institucionale dhe shoqërore është e domosdoshme për të larguar heshtjen që mveshë këtë krim.
Jemi bashkë në qëllimin dhe përkushtimin tonë për një shoqëri ku të gjitha të mbijetuarat e të mbijetuarit të mund të gjejnë drejtësi, shërim dhe paqe.

Ju falemnderit.

Last modified: 13 Shtator, 2024

Comments are closed.