Prishtinë, 30 nëntor 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të selisë qendrore të SPEEEX dhe lansimit të platformës digjitale inovative EEEXPLORE Kosova.
Duke shprehur urimet më të përzemërta për udhëheqjen dhe stafin e kompanisë SPEEEX për rezultatet e jashtëzakonshme që kanë arritur, kryeministri tha se udhëtimi i kompanisë është një dëshmi e fuqisë së përkushtimit dhe punës së palodhur.
Ky rast, jo vetëm që shënon një hap të rëndësishëm për SPEEEX, por është tregues i qartë për ndikimin e mërgatës, në veçanti për fuqinë dhe ndikimin ekonomik të mërgatës tonë në Zvicër dhe nga Zvicra këtu në Kosovë.
“Kosova është me fat që ka një mërgatë të tillë, njëkohësisht është me fat që një shtet mik si Zvicra ka krijuar hapësira dhe mundësi për integrimin e popullit tonë atje”, tha kryeministri.
Ai shtoi se kjo ngjarje simbolizon rezultatet e prekshme të këmbënguljes, vizioneve dhe mundësive pikërisht këtu në vendin tonë. Kjo ngjarje na përkujton se vendi ynë, edhe pse i vogël në hapësirë, është vend për arritje dhe mundësi të jashtëzakonshme. Mundësitë në Kosovë, kombinuar me përvojat e Zvicrës bëjnë të mundur diçka të tillë.
Me këtë rast, ai tha se ndihet krenar që nëpërmjet forcimit të shtetit ligjor, i cili e rrit parashikueshmërinë e të bërit biznes dhe e mundëson investimin dhe riinvestimin, ne si qeveri mund të kontribuojmë për një ambient më të qëndrueshëm për bizneset dhe qytetarët tanë.
Në fund të fjalës, ai shprehu mirënjohjen e sinqertë ndaj gjithë atyre që kontribuan në këtë projekt të jashtëzakonshëm, duke thënë se puna dhe përkushtimi i palodhur jo vetëm që e kanë çuar SPEEEX-in në lartësi të reja, por kanë ngritur edhe profilin e vendit tonë në skenën globale.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Ishte kënaqësi e veçantë kur ngjiteshim kateve të kësaj ndërtese dhe Fikreti më tregonte dy gjëra: e para që Zvicra është zgjidhja dhe ne e kemi ditur këtë gjithë prej fillimit, por nuk e di se çfarë bëri ndërkohë. Kjo është pyetja.
Dhe e dyta, që në këtë ndërtesë janë 890 ulëse pune. Jetojmë në shekullin 21, ku punojmë ulur e pushojmë në këmbë, andaj shpresoj që në këtë mbrëmje të jashtëzakonshme të kemi edhe pushim e argëtim të jashtëzakonshëm.
Faleminderit e Gëzuar!
E nderuara ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari,
Shkëlqesia juaj ambasador i Gjermanisë, Jorn Rohde,
I nderuari zëvendës ambasador i Zvicrës, z. Christoph Fuchs,
I nderuari Fikret Murati, drejtor menaxhues i SPEEEX,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Këtu, në katin e 11-të të këtij kubi prej xhami mbresëlënës jemi bashkë për ta inauguruar selinë e re të kompanisë SPEEEX.
Unë ju shpreh urimet e mia të përzemërta për udhëheqjen dhe stafin e kompanisë SPEEEX për rezultatet e jashtëzakonshme që tashmë i keni arritur. Udhëtimi i kompanisë suaj është dëshmi e fuqisë së përkushtimit dhe e punës së pandalshme. Dëshmi e ëndrrave që i keni bërë realitet.
Ky rast jo vetëm që shënon një hap të rëndësishëm për SPEEEX, por është tregues i qartë për ndikimin e mërgatës, bashkatdhetarëve tanë, në veçanti për fuqinë dhe ndikimin ekonomik të saj nga Zvicra e këtu në Kosovë. Kosova është me fat që e ka një mërgatë të tillë, njëkohësisht është me fat që një shtet mik si Zvicra ka krijuar hapësira dhe mundësi për integrimin e popullit tonë atje.
Andaj, këtë ngjarje sonte e kuptojmë më shumë se sa thjesht një festë e një ndërtese të re. Kjo ngjarje simbolizon rezultatet e prekshme të këmbënguljes, të vizionit të mundësive pikërisht këtu në vendin tonë. Kjo ngjarje na përkujton se vendi ynë Kosova, ndonëse me territor e vogël, është vend për arritje dhe mundësi të jashtëzakonshme. Mundësitë në Kosovë, kombinuar me përvojat e Zvicrës bëjnë të mundur diçka të tillë.
Made in Kosova – mbi 2.000 të rinj, mbi 2.000 talente që punojnë për kompani evropiane nga Vushtrria, Ferizaj, Prizreni dhe Prishtina.
Teksa qëndrojmë këtu së bashku, le të reflektojmë mbi avantazhet e Business Process Outsourcing, një sektor në të cilin SPEEEX po shkëlqen. Sektori i BPO na sjell përfitime të rëndësishme ekonomike, duke përfshirë krijimin e vendeve cilësore të punës dhe zhvillimin e aftësive profesionale, të cilat janë jetike për një vend në zhvillim si ky i yni. BPO vepron si një katalizator për përparim teknologjik, duke e pozicionuar Kosovën jo vetëm si pjesëmarrëse, por edhe si lidere potenciale në ekonominë globale digjitale. Për më tepër, BPO nxit partneritete ndërkombëtare, duke rritur praninë dhe reputacionin tonë global.
E një kontribut të rëndësishëm ne kemi dhënë pikërisht sot si Qeveri. Kemi ndarë 1882 bursa për vajzat studente në STEM- Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë. Pra, për këtë vit akademik nga 1 mijë euro bursa për 1882 vajza, me ç’rast jemi shumë krenar që në fakultetet dhe universitetet tona, në shkencat kompjuterike, në programim, në sektorin e teknologjisë dhe informacionit në përgjithësi dhe komunikimit, 50% të studentëve janë vajza e gra. Mesatarja e Bashkimit Evropian është 17%. Në Kosovë është 50%. Mbase duke qenë jashtë Bashkimit Evropian po bëjmë garë me Zvicrën.
Bashkëpunimi midis SPEEEX dhe kompanive si gjigandi zviceran i telekomunikacionit Sunrise është një shembull i mirë. Sunrise, i njohur si një nga pionierët 5G në Evropë, sjell një pasuri të ekspertizës dhe inovacionit. Prania e tyre në qytetin tonë nuk është vetëm një sipërmarrje biznesi; është një urë që lidh Kosovën me pararojën e përparimit teknologjik global.
Teksa hyja në këtë ndërtesë, nuk mund të mos i vija re tri vajza astronaute në katin përdhesë që paralajmëronin këtë program të Vedat Bajramit, i cili ishte jo vetëm i veshur, por edhe fluturonte porsi një astronaut. Është më shumë se thjesht një imazh. Është simbol i aspiratave tona. Më në fund një baner në këtë qytet që na pëlqen, ama bash të gjithëve e secilit.
E për të mbetur në këtë temë, të të qenurit të jashtëzakonshëm, më lejoni të theksoj se gjatë viteve të fundit, Republika e Kosovës ka qenë dëshmitare e një transformimi të madh. Në vitin 2019, qarkullimi i ekonomisë tonë u vlerësua në rreth 12.56 miliardë euro, ndërsa vetëm tre vite më pas, regjistruam një shifër mahnitëse prej 18.15 miliardë euro. Kjo rritje është e paprecedentë dhe reflekton punën e kompanive të suksesshme të vendit tonë.
Njëkohësisht jemi të motivuar dhe krenar që nëpërmjet forcimit të shtetit ligjor, i cili e rrit parashikueshmërinë e të bërit biznes dhe e mundëson investimin e riinvestimin, ne si qeveri mund të kontribuojmë për një ambient më të qëndrueshëm si për biznesmenët ashtu edhe për qytetarët tanë.
Si përfundim, dua t’ua shpreh mirënjohjen time të sinqertë kujtdo që kontribuoi në këtë projekt të jashtëzakonshëm. Puna dhe përkushtimi juaj i palodhur jo vetëm që e kanë çuar SPEEEX-in në lartësi të reja, por kanë ngritur edhe profilin e vendit tonë në skenën globale.
Uroj që SPEEEX dhe të gjithë partnerët e saj të vazhdojnë suksesin, arritjet, fitoret e reja dhe punën e mbarë e të mirë. Le të ecim përpara me të njëjtën frymë pasioni dhe bashkëpunimi, duke krijuar një të ardhme më të ndritur për Kosovën dhe sidomos për rininë e saj të mrekullueshme.
Faleminderit, urime, gëzuar!
Last modified: 30 Nëntor, 2023