Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në iftarin e shtruar në xhaminë “Prof. Dr. Bedri A. Kamberi” në Prishtinë

17 Prill, 2023

 

Prishtinë, 17 prill 2023

Kryeministri i Republikës se Kosovës, Albin Kurti, në mbrëmjen e sotme, me ftesë të hoxhës Labinot Maliqi, ishte i ftuar në iftarin e shtruar në xhaminë “Prof. Dr. Bedri A. Kamberi” në Prishtinë.

Kryeministri Kurti tha se ishte kënaqësi dhe nder të qenit sonte në iftar, në këtë Muaj të Ramazanit që siç tha ai, është muaj i sakrificës i cili na mëson që të përkushtohemi tek ana shpirtërore e njeriut.

Derisa ka uruar për pranim të lutjeve gjatë këtij muaji për agjëruesit, kryeministri tha se Qeveria e Republikës se Kosovës, dhe ai si Kryeministër, gjithmonë i mbështesin qytetarët kur bëhen bashkë, kur për të mirë ata punojnë bashkë, organizohen dhe tregohen solidarë.

Në këtë iftar të pranishëm ishin edhe ambasadorë e zëvendësambasadorë të shteteve të QUINT-it, Bashkimit Evropian, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si dhe përfaqësues të KFOR-it, krahas qytetarëve dhe besimtarëve që frekuentojnë këtë xhami.

Fjalë e plotë e Kryeministrit:

Faleminderit shumë hoxhë Labinot e mirëmbrëma të gjithëve, 

zonja dhe zotërinj,

motra dhe vëllezër,

Është kënaqësi dhe nder për mua që jam bashkë me juve sonte në këtë iftar në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Siç e dimë të gjithë është edhe nata e Kadrit e cila përtej peshës historike dhe religjioze, është vlerë e veçantë sa i përket besimit, përkushtimit pra devocionit por gjithashtu edhe besimit e paqes. Unë uroj që zoti të pranojë lutjet edhe agjërimin tuaj dhe mirësia, kontributi që keni dhënë e po jepni për familjet tuaja, për shoqërinë, për shtetin, për kombin mbarë, të jetë i vlerësuar nga të gjithë dhe secili. Qeveria e Republikës se Kosovës, unë si Kryeministër, gjithmonë i mbështesim qytetarët kur bëhen bashkë, kur për të mirë ata punojnë bashkë, organizohen dhe tregohen solidarë. Muaji i Ramazanit është muaj i sakrificës e cila na mëson që të përkushtohemi tek ana shpirtërore e njeriut.

Andaj të gjithëve ju dëshiroj agjërim të lehtë dhe në këto tri ditë të mbetura. Sivjet Bajrami, Bajrami i Madh siç i themi, i bie të premten në xhuma dhe të gjithë juve lutjet dhe agjërimi ju pranoftë nga i madhi Zot.

Faleminderit shumë!

Last modified: 17 Prill, 2023

Comments are closed.