Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e edicionit të 9-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë “Burbuqe Berisha”

20 Maj, 2025

Prishtinë, 20 maj 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në ceremoninë hapëse të edicionit të 9-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë “Burbuqe Berisha”, e cila u mbajt në hapësirat e Teatrit “Faruk Begolli”, në Kolegjin AAB.

“Ky festival nuk është vetëm një ngjarje arti, ai është një urë e gjallë që lidh kultura, e gjuhë dhe zemra nga e gjithë bota. Është dëshmi se arti flet në një gjuhë universale e cila i tejkalon kufijtë, dallimet dhe kohën. Është një vendtakim ku shpirtrat komunikojnë përtej fjalëve, dhe ku përmes skenës hapen rrugët që shpesh politika i ka të mbyllura”, u shpreh kryeministri në fjalën e tij të rastit.

Ai veçoi praninë e artistëve dhe përfaqësuesve nga Bosnja dhe Hercegovina në festival, të cilët i falënderoj për pjesëmarrjen e tyre dhe për guximin dhe për angazhimin për të ndërtuar ura aty ku historia e politika kanë lënë plagë.

“Republika e Kosovës e sheh të ardhmen e saj të lidhur me paqe të qëndrueshme, me fqinjësi të mirë dhe me bashkëpunim të ndërsjellë. Me Bosnjën dhe Hercegovinën na ndajnë kufij, por na bashkojnë përvojat, sfidat dhe sidomos nevoja për t’u njohur më mirë përmes artit dhe kulturës”, tha ai ndër të tjera.

Duke i uruar mirëseardhje të gjithëve në Prishtinë, kryeministri Kurti bëri thirrje që ky festival le të jetë një fillim i ri për bashkëpunime të guximshme dhe për histori të reja që do të ndahen mbi skenë, e do të jetojnë përtej saj.

Nga sonte e deri të shtunën, përgjatë këtij festivali do të performohen gjashtë shfaqje, një nga Franca, një nga Greqia, një nga Izraeli, një nga Bosnjë e Hercegovina dhe dy nga Kosova, me gjithsej 42 aktorë profesionistë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari Kryetar i Kuvendit i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca,
I nderuari profesor Zijad Mehić, drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë – Prishtina International Theatre Festival 2025,
I nderuari z. Blerim Olluri, Rektor i Kolegjit AAB,
I nderuari z. Ilir Tafa, aktor dhe themelues i Kolegjit AAB,
I nderuari z. Lulzim Tafa, poet i mirënjohur dhe ndër nga figurat kyçe në zhvillimin kulturor e artistik të institucionit,
I nderuari z. Enver Petrovci, ikonë e teatrit tonë, mjeshtër i skenës dhe ndër zërat më të fuqishëm të kulturës ndër vite – ju falënderojmë për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm,
Të nderuar ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës, të Francës, Izraelit dhe Malit të Zi, z. Olivier Guerot, znj. Tamara Ziv, z. Bernard Çobaj,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve kulturore,
Të nderuar artistë dhe artdashës, profesorë, mësimdhënës dhe studentë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Është nder i veçantë për mua sonte, që në emër të Republikës së Kosovës, të jem këtu bashkë me juve për të hapur siparin e një ngjarjeje të madhe kulturore – edicionin e nëntë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë “Burbuqe Berisha”.

Teatri, që nga lashtësia, ka qenë pasqyrë e shoqërisë, vend ku njeriu sheh vetveten, ku shfaqet e vërteta, ku lind shqyrtimi dhe ku shpërthen emocioni. Në skenë, ne e njohim më mirë botën, por edhe vetveten.

Kosova, njëmend është ende shtet realisht i ri, por me popull e shpirt të lashtë dhe me zemër e mendje të hapur. Dhe sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të kultivojmë artin, të mbështesim kulturën dhe të krijojmë hapësira si kjo, në të cilat krijimtaria estetike, liria e shprehjes dhe bashkëpunimi ndërkombëtar jetojnë dhe lulëzojnë.

Ky festival nuk është vetëm një ngjarje arti, ai është një urë e gjallë që lidh kultura, e gjuhë dhe zemra nga e gjithë bota. Është dëshmi se arti flet në një gjuhë universale e cila i tejkalon kufijtë, dallimet dhe kohën. Është një vendtakim ku shpirtrat komunikojnë përtej fjalëve, dhe ku përmes skenës hapen rrugët që shpesh politika i ka të mbyllura.

Me këtë rast, dua të ndalem në një moment të posaçëm, prania e artistëve dhe përfaqësuesve nga Bosnje dhe Hercegovina. I falënderoj për pjesëmarrjen e tyre dhe për guximin dhe për angazhimin për të ndërtuar ura aty ku historia e politika kanë lënë plagë.

Republika e Kosovës e sheh të ardhmen e saj të lidhur me paqe të qëndrueshme, me fqinjësi të mirë dhe me bashkëpunim të ndërsjellë. Me Bosnje dhe Hercegovinën na ndajnë kufij, por na bashkojnë përvojat, sfidat dhe sidomos nevoja për t’u njohur më mirë përmes artit dhe kulturës.

Ne besojmë se kultura është rruga më e sigurt për respektin e ndërsjellë. Atë që institucionet politike nganjëherë e vonojnë, arti mund ta paraprijë. Dhe sot, ky festival është konfirmim i kësaj: se njerëzit e të dy vendeve tona mund të ulen në të njëjtën sallë, të ndajnë ndjenja, të qeshin e të mendohen bashkë, dhe – mbi të gjitha – të përjetojnë njerëzoren universale e cila i bashkon.

Teatri është vendi ku asgjë nuk fshihet dhe gjithçka vihet në dritë. Është pasqyrë dhe ëndërr njëkohësisht. Na mëson se ndryshimi nis me përpjekjen e të kuptuarit të tjetrit. Dhe këtë të vërtetë duam ta ndajmë edhe me miqtë tanë nga Bosnja dhe Hercegovina: se përkundër pengesave politike, ekziston një dëshirë e zjarrtë për dialog të sinqertë dhe për ndërtimin e marrëdhënieve të reja mes popujve tanë për dobinë e shumanshme.

Le të jetë ky festival një festë e ndërlidhjes shoqërore, e frymëzimit estetik, përmes fuqisë së teatrit.

Sonte, festivali hapet me shfaqjen nga Franca “On the Heart of the Rose”, që sjell në skenë historinë e jashtëzakonshme të dashurisë mes Antoine dhe Consuelo de Saint-Exupéry, duke ndriçuar figurën e kësaj gruaje të jashtëzakonshme – Consuelo Suncin Sandoval – një artiste dhe aktiviste me ndikim të thellë në artin dhe historinë e shekullit XX.

Kjo shfaqje shënon fillimin e një jave të mbushur me vepra nga Kosova, Evropa dhe më gjerë. Nga sonte e deri të shtunën do të performohen gjashtë shfaqje, një nga Franca, një nga Greqia, një nga Izraeli, një nga Bosnjë e Hercegovina dhe dy nga Kosova, me gjithsej 42 aktorë profesionistë. Nga Greqia në Izrael dhe Bosnje ky program është shprehje e pasurisë dhe e diversitetit kulturor që ky festival përfaqëson.

Të dashur pjesëmarrës,

Ju uroj mirëseardhje në Prishtinë, një kryeqytet ndoshta edhe jo aq i madh në përmasa, por gjithsesi i madh në mikpritje sociale dhe në dashurinë për bukurinë. Le të jetë ky festival një fillim i ri për bashkëpunime të guximshme dhe për histori të reja që do të ndahen mbi skenë, e do të jetojnë përtej saj.

Ju falemnderit!

Mirë se erdhët!

Last modified: 20 Maj, 2025

Comments are closed.