Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në forumin e diskutimit “Ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën e Jugosllavisë”

12 Maj, 2025

 
Prishtinë, 12 maj 2025
 

Nën organizimin e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në kuadër të serisë së forumeve publike të këtij instituti, “Za n’kujtesë”, sot u mbajt forum diskutimi me temën “Ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën e Jugosllavisë”, në të cilën mori pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

“Jemi bashkë këtu sot në Bibliotekën Kombëtare, në këtë forum diskutimi për ushtarët e vrarë shqiptarë në Armatën e Jugosllavisë. Kjo dëshmon që institucionet shtetërore dhe shoqëria jonë nuk e harrojnë asnjë kategori të krimeve të kryera nga Serbia ndaj shqiptarëve, dhe asnjë periudhë të historisë që na ka sjellë deri këtu ku jemi sot. Vrasja e djemve të rinj shqiptarë në Armatën e Jugosllavisë, teksa po e kryenin shërbimin ushtarak të obligueshëm, është një kapitull krejt i veçantë i krimeve të kryera nga Jugosllavia e veçanërisht nga Serbia ndaj shqiptarëve”, u shpreh kryeministri Kurti në krye të herës.

Ai përmendi rastin e parë i vrasjes së një ushtari shqiptar në ushtrinë e Jugosllavisë, që ishte në korrik të vitit 1951, në një kazermë ushtarake në Vishegrad në Bosnje të Hercegovinës, ku autoritetet ushtarake jugosllave e vranë Ramadan Xhelil Gashin, pasi kishin dështuar ta bindnin të rekrutohej në shërbimin e fshehtë ushtarak. Ramadan Gashi ishte me origjinë nga fshati Vërboc i Drenasit, dhe ishte vetëm 20 vjeçar kur e vranë. Nga atëherë kanë kaluar 74 vjet, por as sot e kësaj dite familja Gashi nuk e ka marrë trupin e Ramadanit, siç nuk kanë marrë as një shpjegim për rrethanat e vdekjes.

Gjatë fjalim kryeministri gjithashtu veçoi raste tjera të vrasjeve të ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave nga vitin 1951 deri në vitin 1993, gjatë të cilës periudhë u vranë të paktën 135 ushtarë shqiptarë, në mesin e tyre, Idriz Krasniqi nga Zhilivoda e Vushtrrisë; Halil Hajrullahu nga Banulla e Lipjanit; Shefqet Jashari nga Prekazi i Skenderajt; Yzeir Sadiku nga Rahovica e Preshevës; Enver Elezi nga Shkupi; Beqir Sahiti nga Stublla e Vitisë; Malik Azizi nga Korita e Gostivarit; Rexhep Blakaj nga Jabllanica e Pejës; Fadil Gashi nga Dobërdoli i Podujevës; Besim Fazliu nga Prishtina; Sherif Kashtanjeva nga Nerodimja e Ferizajt; Vesel Duraku nga Demjani i Gjakovës; Haki Morina nga Gllareva e Klinës; Elmi Popaj nga Bellacërka e Rahovecit; Enver Aliaj nga Sallagrazhda e Suharekës; dhe shumë e shumë të tjerë.

“Këta janë vetëm disa nga emrat e ushtarëve të vrarë, që i përmenda për të treguar që institucionet e Kosovës dhe shoqëria jonë i njeh ata me emër dhe me mbiemër, e jo vetëm si numër, dhe ua njeh historitë e rasteve të tyre dhe do t’i fiksojë si në historinë e Kosovës ashtu edhe në dosjet e krimeve të kryera nga shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve, për të cilat do të kërkohet drejtësi”, tha kryeministri.

Në kuadër të këtij diskutimi të sotëm, të pranishëm ishin edhe disa familjarë të ushtarë të vrarë të cilët ndanë historinë e rasteve që kanë përjetuar ata.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:I nderuar Drejtor i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, z. Atdhe Hetemi,
I nderuari Rektor i Universitetit të Prishtinës, Profesor Arben Hajrullahu,
E nderuar Drejtore e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, znj. Blerina Rogova Gaxha,
I nderuar z. Riza Xhakli, ish i burgosur politik,
I nderuar z. Gani Morina, përfaqësues i Këshillit të Familjarëve të Ushtarëve të Vrarë në Armatën Jugosllave,
I nderuar z. Cen Desku, përfaqësues i familjes së Jetullah Deskut,
Fatkeqësisht për shkaqe shëndetësore nuk ka arritur të na bashkëngjitet sot edhe Mihane Krasniqi, nëna e ushtarit të vrarë, Abedin Krasniqi,
I nderuari Ambasador i Republikës së Shqipërisë, z. Petrit Malaj,
Të nderuar familjarë të ushtarëve të vrarë në Armatën e Jugosllave,
Të nderuar invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Përfaqësues e udhëheqës të institucioneve shtetërore,
Të nderuar profesorë e akademikë,
Zonja dhe zotërinj,

Jemi bashkë këtu sot në Bibliotekën Kombëtare, në këtë forum diskutimi për ushtarët e vrarë shqiptarë në Armatën e Jugosllavisë. Kjo dëshmon që institucionet shtetërore dhe shoqëria jonë nuk e harrojnë asnjë kategori të krimeve të kryera nga Serbia ndaj shqiptarëve, dhe asnjë periudhë të historisë që na ka sjellë deri këtu ku jemi sot.

Vrasja e djemve të rinj shqiptarë në Armatën e Jugosllavisë, teksa po e kryenin shërbimin ushtarak të obligueshëm, është një kapitull krejt i veçantë i krimeve të kryera nga Jugosllavia e veçanërisht nga Serbia ndaj shqiptarëve. Kjo histori është e shtrirë në një periudhë mbi 40 vjeçare, që nga viti 1951, kur kanë ndodhur dy vrasjet e para të tilla.

Rasti i parë i vrasjes së një ushtari shqiptar në ushtrinë e Jugosllavisë, ishte në korrik të vitit 1951, në një kazermë ushtarake në Vishegrad në Bosnje të Hercegovinës. Aty, pasi kishin dështuar ta bindnin të rekrutohej në shërbimin e fshehtë ushtarak, autoritetet ushtarake jugosllave e vranë Ramadan Xhelil Gashin. Me origjinë nga fshati Vërboc i Drenasit, Ramadan Gashi, aso kohe ishte vetëm 20 vjeçar kur e vranë. Nga atëherë kanë kaluar 74 vjet, por as sot e kësaj dite familja Gashi nuk e ka marrë trupin e Ramadanit, siç nuk kanë marrë as një shpjegim për rrethanat e vdekjes.

Në të njëjtin vit, pra 1951 dhe sërish në Bosnje e Hercegovinë, por në kazermën e Bihaçit, u vra 22-vjeçari Ibrahim Emini. Prindërve të tij, babait Eminit dhe nënës Nazifes, nga fshati Gllamnik i Podujevës, nuk ua dhanë kurrë në dorëzim kufomën e djalit të tyre dhe as ndonjë shpjegim zyrtar se si u vra ai.

Vrasjet e ushtarëve shqiptarë vazhduan edhe gjatë viteve të ’60-ta dhe deri në fund të viteve të ’70-ta, kur gjithsej u vranë 16 ushtarë shqiptarë. Pas demonstratave të vitit 1981, në kuadër të politikave shtypëse të Jugosllavisë ndaj shqiptarëve, vrasja e ushtarëve shqiptarë gjatë shërbimit ushtarak, u kthye në një nga format e terrorit shtetëror. Kështu, vetëm gjatë vitit 1981, u vranë shtatë, ndërsa në vitin pasues më 1982 u vranë edhe 10 ushtarë shqiptarë.

Që nga viti 1981 dhe deri në vitin 1993, vit pas vit vazhduan të vriteshin ushtarë shqiptarë: herë nga katër të vrarë, si më 1983, ’84, ’86 dhe ’88, e herë më shumë, sikurse në 1987 kur u vranë 12 ushtarë shqiptarë. Më së shumti shqiptarë të vrarë në ushtrinë e Jugosllavisë pati më 1991, vit ky kur u vranë gjithsej 49 ushtarë shqiptarë. Ndërkaq në tërësi, që nga viti 1951 e deri më 1993, në Armatën e Jugosllavisë janë vrarë të paktën 135 ushtarë shqiptarë.

Mes tyre, Idriz Krasniqi nga Zhilivoda e Vushtrrisë; Halil Hajrullahu nga Banulla e Lipjanit; Shefqet Jashari nga Prekazi i Skenderajt; Yzeir Sadiku nga Rahovica e Preshevës; Enver Elezi nga Shkupi; Beqir Sahiti nga Stublla e Vitisë; Malik Azizi nga Korita e Gostivarit; Rexhep Blakaj nga Jabllanica e Pejës; Fadil Gashi nga Dobërdoli i Podujevës; Besim Fazliu nga Prishtina; Sherif Kashtanjeva nga Nerodimja e Ferizajt; Vesel Duraku nga Demjani i Gjakovës; Haki Morina nga Gllareva e Klinës; Elmi Popaj nga Bellacërka e Rahovecit; Enver Aliaj nga Sallagrazhda e Suharekës; dhe shumë e shumë të tjerë.

Këta janë vetëm disa nga emrat e ushtarëve të vrarë, që i përmenda për të treguar që institucionet e Kosovës dhe shoqëria jonë i njeh ata me emër dhe me mbiemër, e jo vetëm si numër, dhe ua njeh historitë e rasteve të tyre dhe do t’i fiksojë si në historinë e Kosovës ashtu edhe në dosjet e krimeve të kryera nga shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve, për të cilat do të kërkohet drejtësi.

Sot, këtu do të flitet edhe për raste specifike, sikurse për rastin e Jetullah Deskut nga Siçeva e Klinës. Andaj, unë do të doja ta shquaj edhe një rast specifik. Më 1 shkurt 1990, eprori ushtarak serb Lubisha Vishnjevac nga Peja, e kishte vrarë në Podujevë një djalë të ri, me emrin Fadil Talla. Duke dashur t’i shpëtonte dënimit për këtë vepër, ai kishte kërkuar ndihmë nga kapiteni shqiptar Hamit Haxhiu, por ai i kishte refuzuar duke kërkuar t’i tregonte urdhërdhënësin. Pas kësaj, gjyqi ushtarak e dënoi Lubisha Vishnjevacin me tetë vjet burg. Në qershor 1990, kur Hamit Haxhiu shkoi në kuzhinën e kazermës për të pirë ujë, atij i dhanë një birrë me helm, duke e helmuar rëndë. Pas tre javësh në spital, Hamit Haxhiu vdiq më 11 korrik 1990.

Janë mbi 135 raste me histori të këtilla, disa prej të cilave do t’i dëgjojmë edhe sot në këtë forum. Por përtej kësaj, të gjitha këto raste dhe secili prej tyre, do të hulumtohet, do të evidentohet dhe do ta ketë dosjen e tij në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Kjo është edhe një nga arsyet përse e kemi themeluar këtë institut.

I përhershëm qoftë kujtimi për ushtarët shqiptarë të vrarë në armatën e Jugosllavisë.

Për ta do të kërkohet drejtësi dhe ata do të jenë në histori!

Ju falemnderit.

Last modified: 12 Maj, 2025

Comments are closed.