Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në ditën hapëse të “Panairit të Shkencës dhe Kulturës” në gjimnazin “Xhevdet Doda”

2 Maj, 2024

 

Prishtinë, 2 maj 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë pasdites vizitoi Shkollën e Mesme, “Xhevdet Doda” në Prishtinë, me rastin e organizimit të edicionit të 5-të, të “Panairit të Shkencës dhe Kulturës”, i cili po mbahet në ambientet e kësaj shkolle.

I mirëpritur nga Drejtori i Shkollës, Bardhyl Kabashi dhe stafi i tij, kryeministri Kurti, shprehu mirënjohjen për punën dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në arsimimin dhe edukimin brezave të rinj, teksa i uroi për organizimin  e Panairit. Ndërkaq, nxënësit i përgëzoi për idetë, projektet dhe punimet e tyre, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë interesimin për shkencën, kulturën e teknologjinë dhe të ushqejnë në vazhdimësi kuriozitetin prej shkencëtari.

“Panairi i Shkencës dhe Kulturës”, ka për qëllim kryesor që të rejat e të rinjtë të shprehin dijen e tyre, të shfaqin kreativitetin dhe aftësitë e fituara, në fushat e shkencës, teknologjisë, artit, dhe kulturës.

Me moton “Shkenca e së sotmes është teknologjia e së ardhmes”, panairi ofron një platformë për nxënësit për të shfaqur idetë e tyre inovative dhe eksperimentet shkencore.

Ai mbahet me datë 2 dhe 3 maj. Gjatë këtyre dy ditëve në Panair ekspozohen punime të nxënësve nga lëndët shkollore si matematika, biologjia, fizika, astronomia, teknologjia, kimia, historia, psikologjia, filozofia, për të përfunduar te këndi i kulturës tradicionale dhe këndi i lojërave interaktive.

Last modified: 2 Maj, 2024

Comments are closed.