Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të festivalit NewBorn Kosova

13 Gusht, 2024

Prishtinë, 13 gusht 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë ditën e sotme në ceremoninë përmbyllëse të festivalit NewBorn Kosova. Gjatë fjalës së tij, kryeministri shprehu falënderimin për organizatorët dhe pjesëmarrësit në edicionin e këtij viti të festivalit, i cili zhvillohet për herë të tretë dhe u mbajt përgjatë katër ditëve të fundit, nga data 9 deri më 13 gusht.

“Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të talentit dhe shkëmbimit kulturor mes rreth 350 interpretuesve nga mbi 10 vende të ndryshme, duke përfshirë Ukrainën, Meksikën, Spanjën, Kroacinë, Italinë, Maqedoninë e Veriut, Panamanë e kështu me radhë, të cilët kanë sjellë në Kosovë trashëgiminë dhe pasurinë e tyre kulturore përmes këngëve dhe valleve. Ky festival është më shumë se një garë – është një mundësi për t’u lidhur me njëri-tjetrin përtej politikës, për t’u bashkuar dhe për të treguar fuqinë e artit dhe diversitetit kulturor”, tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se ky festival ndërkombëtar është mundësi e mirë për pjesëmarrësit që të njihen më gjerë me shtetin tonë, i cili edhe botërisht njihet për talentet e ndryshme nga sporti dhe muzika, por edhe po bën hapa e përpjekje në anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare.

“Që nga janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës janë të lirë të udhëtojnë nëpër Evropë pa kufizime, pasi që kemi liberalizimin e vizave në zonën Shengen. Ky hap ka qenë veçanërisht i rëndësishëm për artistët tanë, të cilët nuk duhet të presin më në radhë të gjata për viza për të marrë pjesë në evente të ngjashme me Festivalin NewBorn. Shpresojmë dhe besojmë se lidhjet që po krijoni me artistët vendas do të thellohen përmes vizitave të ndërsjella në të ardhmen”, tha kryeministri.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të nderuar organizatorë,
Të nderuar pjesëmarrës të Festivalit të NewBorn,
Të nderuar të pranishëm,

Së pari, dua të përgëzoj drejtuesit e Festivalit NewBorn për organizimin e shkëlqyer të edicionit të tretë të këtij eventi madhështor. Jam i nderuar të jem i pranishëm këtu sot së bashku me ju në natën përmbyllëse të një festivali që jo vetëm promovon kulturën dhe artin e Kosovës, por edhe sjell qindra artistë të ndryshëm ndërkombëtarë këtu në Kosovë. Mirë se vini përsëri dhe ka qenë një kënaqësi dhe nder i madh që ju kemi këtu gjatë këtyre katër ditëve.

Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të talentit dhe shkëmbimit kulturor mes rreth 350 interpretuesve nga mbi 10 vende të ndryshme, duke përfshirë Ukrainën, Meksikën, Spanjën, Kroacinë, Italinë, Maqedoninë e Veriut, Panamanë e kështu me radhë, të cilët kanë sjellë në Kosovë trashëgiminë dhe pasurinë e tyre kulturore përmes këngë dhe valle. Ky festival është më shumë se një konkurs – është një mundësi për t’u lidhur me njëri-tjetrin përtej politikës, për t’u bashkuar dhe për të treguar fuqinë e artit dhe diversitetit kulturor.

Shpresoj që të gjithë ju që keni pasur rastin të vizitoni qytete të ndryshme të Kosovës, të shijoni ushqimet tona tradicionale dhe të mësoni për historinë tonë të lashtë dhe të re, të keni marrë me vete kujtime të bukura. Duke qenë pjesë e këtij festivali jeni bërë edhe ju pjesë e historisë sonë. Kosova po njihet gjithnjë e më shumë në mbarë botën si një vend që prodhon artistë dhe sportistë të njohur ndërkombëtarisht, pasi që sapo kemi ndjekur Lojërat Olimpike në Paris 2024. Nga Dua Lipa dhe Rita Ora te Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, Kosova ka demonstruar se është një qendër për kulturën dhe sportin në Evropë dhe më gjerë.

Gjithashtu ne vazhdimisht po bëjmë hapa drejt anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare. Që nga janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës janë të lirë të udhëtojnë nëpër Evropë pa kufizime, pasi që kemi liberalizimin e vizave në zonën Shengen. Ky hap ka qenë veçanërisht i rëndësishëm për artistët tanë, të cilët nuk duhet të presin më në radhë të gjata për viza për të marrë pjesë në evente të ngjashme me Festivalin e NewBorn. Shpresojmë dhe besojmë se lidhjet që po krijoni me artistët vendas do të thellohen vetëm përmes vizitave të ndërsjella në të ardhmen.

Sot që jemi mbledhur për t’ju nderuar, le të festojmë edhe shkëmbimin kulturor që përfaqëson ky festival. Pavarësisht çmimeve dhe trofeve, shpresoj që të gjithë të largoheni nga Kosova me ndjenjën se keni kontribuar për diçka vërtet të veçantë dhe me dëshirën për t’u kthyer sa më shpejt.

Ndërsa mbyllim Festivalin New Born, dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë interpretuesit, organizatorët dhe mbështetësit që bënë të mundur këtë ngjarje. Secili prej jush ka luajtur një rol në shfaqjen e pasurisë kulturore dhe potencialit të kulturave tona përkatëse.

Faleminderit që ndani talentet tuaja me ne. Faleminderit që jeni pjesë e festimeve tona. Dhe faleminderit që sollët një pjesë të botës në Kosovë. Shpresoj që së shpejti të kemi rastin të takohemi sërish në një ngjarje tjetër që bashkon Kosovën dhe miqtë e saj ndërkombëtarë, nën flamurin e shkëmbimeve kulturore dhe artistike. Ju uroj suksese të gjithëve!

 

 

Last modified: 14 Gusht, 2024

Comments are closed.