Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë hapëse të Olimpiada XVI Matematike e Kosovës

23 Dhjetor, 2023

Prishtinë, 23 dhjetor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në ceremoninë hapëse të Olimpiada XVI Matematike e Kosovës.

Në fillim të fjalës së tij, kryeministri tha se “Matematika, siç e dimë të gjithë, nuk është thjesht një lëndë mësimore, por është një gjuhë universale e cila i tejkalon kufijtë, kulturat dhe identitetet. Është një gjuhë e saktësisë, dhe vërtetësisë, por edhe e imagjinatës e mundësive të pakufizuara”.

Më tej, ai përmendi mbështetjen në fushën e arsimit, ku në vitin 2023, si Qeveri kemi ndarë 1,882 bursa për vajzat që studiojnë në fushat STEM, krahas 2748 bursave të tjera të ndara në dy vitet paraprake. Sivjet studentët i kemi mbështetur financiarisht me 3 milionë euro, në pesë skema të ndryshme të bursave, në të gjitha nivelet. Aktualisht në Republikën e Kosovës, gjysma e studentëve në STEM janë vajza, ndërkohë që mesatarja në Bashkimin Evropian është 17%.

Krahas mbështetjes së drejtpërdrejtë, përmirësimit të cilësisë dhe infrastrukturës në arsim po angazhohemi që nxënësit dhe studentët e të gjitha niveleve, të kenë kushtet optimale dhe të barabarta që të mund të mësojnë e shfaqin talentet e tyre.

Matematika është një mjet i jashtëzakonshëm që shërben si mjet për qenien njerëzore për të zgjidhur sfidat dhe problemet në rrugën e përditshme pavarësisht drejtimit. Ajo është vegla që na drejton drejt zgjidhjeve, duke na lejuar të eksplorojmë, të analizojmë dhe të gjejmë rrugëdalje në mënyra të ndryshme.

“Madje do të thosha që matematika si gjuhë universale, dhe gjuha e bukur shqipe, janë dy shinat e binarëve të ngritjes profesionale e intelektuale për secilin prej neve”, shtoi kryeministri.

Në përfundim, ai tha se “Përkushtimi ynë për të ofruar mbështetje pa rezervë për juve nxënës, për nxënësit tanë gjithandej e për fëmijët e Kosovës, do të jetë i vazhdueshëm. Unë i uroj secilit prej jush suksese këtu dhe në garat që do të vijnë më pas”.

Kujtojmë se nga kjo olimpiadë do të përzgjidhet ekipi prej gjashtë nxënësve që do ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 65-të Matematike Ndërkombëtare – IMO 2024, e cila do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, do të përzgjidhet ekipi prej katër vajzave që do të përfaqësojë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 13-të Evropiane të Matematikës për Vajza – EGMO 2024, e cila do të mbahet në Gjeorgji në vitin e ardhshëm si dhe do të përzgjidhen nxënësit që do të përfaqësojnë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 5-të Matematike Kosovë – Shqipëri, e cila do të mbahet në muajin korrik në vitin 2024.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Sa herë që vij këtu, e ndjej që po kthehem këtu, dhe mendoj se si duhet të vij më shpesh.

Të dashur nxënës dhe profesorë,

E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci,

I nderuari zëvendësministër, Taulant Kelmendi,

I nderuari Rektor i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi,

E nderuar kryetare e matematikanëve të Kosovës, Valdete Rexhëbeqaj Hamiti,

Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Isak Shabani,

Të dashur mësimdhënës, nxënës, pjesëmarrës në Olimpiadën e 16-të të Matematikës të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Matematika, siç e dimë të gjithë, nuk është thjesht një lëndë mësimore, por është një gjuhë universale e cila i tejkalon kufijtë, kulturat dhe identitetet. Është një gjuhë e saktësisë, dhe vërtetësisë, por edhe e imagjinatës e mundësive të pakufizuara. Dhe kur përdoret nga mendjet më të ndritura e të zgjuara, të cilat bëhen edhe më të ndritura e më të zgjuara pikërisht duke e përdorur matematikën, pa marrë parasysh gjininë ose prejardhjen, ajo shndërrohet në një mjet për inovacion dhe përparim.

Jam i lumtur që në ketë sallë gjendem mes shumë matematikanëve e matematikanëve të rinj, me mësimdhënës, prindër e pjesëmarrës që e duan matematikën. Arsyeja edhe pse jemi bashkë sot është pikërisht matematika, Olimpiada e 16-të matematike e Kosovës, e cila vjen pas garave rajonale në të cilat ishin pjesëmarrëse të gjitha komunat e Republikës tonë.

Dje bashkë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ishim në ceremoninë ku ndamë 88 shpërblime e mirënjohje për nxënësit fitues të garave të Kosovës e ato ndërkombëtare në fushat e shkencave natyrore. Numri i nxënësve fitues është dyfishuar në krahasim me vitin paraprak, dhe mbështetja financiare për ta është 34 mijë euro.

Ndërsa sot jemi bashkë në këtë olimpiadë, ku jam i bindur që do të dalin fitues të tjerë që do të na përfaqësojnë vendit tonë në garat me bashkëmoshatarë nga vendet e ndryshme të botës dhe do të sjellin edhe më shumë medalje.

Nga kjo olimpiadë do të përzgjidhet ekipi prej gjashtë nxënësve që do ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 65-të Matematike Ndërkombëtare – IMO 2024, e cila do të mbahet, siç e tha dhe profesoresha Valdete në Mbretërinë e Bashkuar e do të përzgjidhet ekipi prej katër vajzave që do të përfaqësojë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 13-të Evropiane të Matematikës për Vajza – EGMO 2024, që do të mbahet në Gjeorgji në vitin e ardhshëm dhe do të përzgjidhen nxënësit që do të përfaqësojnë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 5-të Matematike Kosovë – Shqipëri, që mbahet në korrik të vitit që vjen.

Në vitin 2023, si Qeveri e Republikës së Kosovës, kemi ndarë 1,882 bursa për vajzat që studiojnë në fushat STEM, pra shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, krahas 2748 bursave të tjera në STEM të ndara në dy vitet paraprake. Sivjet studentët i kemi mbështetur financiarisht me 3 milionë euro, në pesë skema të ndryshme të bursave, në të gjitha nivelet. Kjo mbështetje do të rritet çdo vit sepse e kemi vërejtur se efektet e kësaj mbështetje po kthehen në rezultate të suksesshme.

Aktualisht në Republikës e Kosovës, gjysma e studentëve në STEM janë vajza, ndërkohë që mesatarja në Bashkimin Evropian është 17%. Kjo tregon çfarë kthimi i madh në investim është bursa për vajzat studente në STEM.

Krahas mbështetjes së drejtpërdrejtë, përmirësimit të cilësisë dhe infrastrukturës në arsim po angazhohemi që nxënësit dhe studentët e të gjitha niveleve, t’i kenë kushtet optimale dhe të barabarta që të mund të mësojnë e ta shfaqin talentet e tyre.

Matematika është një mjet i jashtëzakonshëm që shërben si mjet për qenien njerëzore për të zgjidhur sfidat dhe problemet në rrugën e përditshme pavarësisht drejtimit që merr secili nga ne. Ajo është vegla që na drejton drejt zgjidhjeve, duke na lejuar të hulumtojmë, të analizojmë dhe të gjejmë rrugëdalje të ndryshme të paparamenduara edhe nga vetë ne inicialisht që i kërkojmë ato. Ajo na bën të mundur të krijojmë njohuri të reja dhe të gjejmë mënyra kreative për të zgjidhur sfidat komplekse, gjithnjë e më komplekse të botës sonë. Andaj, matematika nuk është vetëm dije, inteligjencë e mprehtë, por edhe kuriozitet e imagjinatë.

Madje do të thosha që matematika si gjuhë universale, dhe gjuha e bukur shqipe, janë dy shinat e binarëve të ngritjes profesionale e intelektuale për secilin prej neve. Pra: matematika si gjuhë universale dhe gjuha e jonë e bukur shqipe! Unë jam prej atyre që besojnë që logjikën nuk e përdorim dot, nuk e kuptojmë dot, nuk e shpjegojmë dot, nuk e përshkruajmë aspak, pa matematikë. Dhe më gjerë se kaq, përveçse matematika si gjuhë universale, dhe gjuha e bukur shqipe, do të mund të themi që dy shinat për të gjithë popujt, për të gjithë njerëzit, përgjatë të gjithë historisë, në fakt, janë: logjika dhe linguistika, që japin edhe marrin me njëra-tjetrën. Por, ashtu qysh nuk mundemi vetëm të mendojmë për gjuhën por edhe mendojmë nëpërmjet gjuhës, krejtësisht njësoj, nuk mundemi vetëm të mendojmë për matematikën por edhe mendojmë nëpërmjet matematikës. Andaj, jeni me fat që keni këtë detyrë, të jeni në majat e matematikës të vendit tonë e ju uroj edhe të garave ndërkombëtare ku do të merrni pjesë shumë prej jush.

Të gjitha këto ide, qasjet tuaja, do t’i mund t’i shprehni përmes numrave, ekuacioneve e funksioneve pas fjalimeve tona kur edhe fillon Olimpiada. Zelli që ju shtyn përpara në zgjidhjen e atyre ekuacioneve, kam bindjen që ashtu do të kthehet edhe në zell pune, kur të zhvilloheni edhe më tej në angazhimet tuaja në të ardhmen në zgjidhjen e problemeve që nuk është e thënë të jenë vetëm matematikore.

Përkushtimi ynë për të ofruar mbështetje pa rezervë për juve nxënës, për nxënësit tanë gjithandej e për fëmijët e Kosovës, do të jetë i vazhdueshëm.

Unë i uroj secilit prej jush suksese këtu dhe në garat që do të vijnë më pas. Paçi të arritura e suksese gjithmonë. E di se çfarë do të thotë ethet para garës, se kam qenë edhe vetë në gara matematike, por më lejoni të përfundoj fjalën time, duke ju uruar e duke ju thënë gëzuar festën e Vitit të Ri, festat e fundvitit dhe gjithë të mirat e të mbarat në 2024.

Faleminderit.

Last modified: 23 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×