Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për gratë e arta të Kosovës

15 Dhjetor, 2023

Prishtinë, 15 dhjetor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për gratë e arta të Kosovës, ngjarje kjo e organizuar nga kabineti i zëvendëskryeministres Rexhepi dhe NGO “Lady”.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se po nderojmë gra të jashtëzakonshme për përkushtimin e tyre të palëkundur, për të kremtuar arritjet dhe kontributin e 63 grave të shquara në fusha të ndryshme, nga komunitetet tona.

Duke theksuar mbështetjen e Qeverisë, kryeministri theksoi se për vajzat studente kemi ndarë mbi 4600 bursa në fushat STEM- Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, e cila ka bërë që pjesëmarrja e vajzave në këto fusha, të arrijë në 50% në Kosovë, ndërkohë që mesatarja në vendet e Bashkimit Evropian është 17%.

Gjithashtu, për herë të parë kemi ndarë shtesat për fëmijë dhe nënat e reja lehona. Deri më tani, kanë përfituar mbi 387 mijë fëmijë dhe 50 mijë nëna të reja. Falë masave konkrete të Qeverisë, janë punësuar mbi 9 mijë gra e vajza.

Ai përmendi dhe skemën “Qeveria për Familjet” dhe veçorinë e re të shtuar, që ka cak punësimin e të mbijetuarave të dhunës në familje.

Në përfundim, ai fuqizoi mesazhin se arritjet e grave janë një dëshmi e fuqisë së unitetit dhe potencialit të jashtëzakonshëm dhe se vlerësimi i merituar për këto arritje, duhet të na shërbejnë si kujtesë për atë që mund të arrijmë së bashku.

“Le të vazhdojmë të mbështesim njëri-tjetrin, sepse së bashku do të krijojmë një të ardhme më të drejtë për të gjithë. Historitë e juaja do të vazhdojnë të na frymëzojnë, për lartësi të reja në rrugën e barazisë dhe të progresit”, tha kryeministri.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Mirëdita të gjithave,
Dobar dan svima,
Good afternoon to all of you,
E nderuara znj. Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut
E nderuara znj. Sanija Murati, drejtoreshë e organizatës joqeveritare ‘’Lady’’
Të nderuara përfaqësuese të korit diplomatik, posaçërisht ju zonja ambasadore,
Të nderuar përfaqësues qeveritarë,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, z. Bekim Arifi dhe Enis Kervan,
E nderuara drejtore e USAID-it, Eileen Devitt,
E nderuara drejtore e NDI, Nancy Soderberg,
Gëzohem që po takohemi zonja dhe zotërinj,

Të nderuara të pranishme në këtë organizim të veçantë, po kremtojmë arritjen dhe kontributin e 63 grave të shquara në fusha të ndryshme, nga komunitetet tona.

Jemi mbledhur këtu për të nderuar gratë e jashtëzakonshme për përkushtimin e palëkundur.

E sotmja që përqendrohet te buja e të famshmëve mediatikë, na bën që shpesh të anashkalojmë heroinat e heronjtë e heshtur mes nesh. Gratë që nderojmë sot përfaqësojnë thelbin e vërtetë të progresit.

Ato punojnë shumë, larg nga qendra e vëmendjes, për të sjellë ndryshime domethënëse. Përkushtimi, pasioni dhe qëndrueshmëria juaj, nuk kanë kaluar pa u vënë re.

Shteti ynë është ndërtuar mbi parimet e diversitetit dhe gjithëpërfshirjes, e kontributi juaj i fuqizon këto principe. Puna juaj na kujton se secila e secili e ka potencialin për të formësuar të ardhmen, pavarësisht nga prejardhja e përkatësia.

Qeveria është këtu, me juve për të mbështetur këto parime. Për këtë ne kemi bërë studimet falas për të gjitha, pa dallim, e veçanërisht për vajzat kemi ndarë mbi 4600 bursa në fushat STEM- Shkencë, Teknologji, Inxhinieri e Matematikë. Kjo ka bërë që pjesëmarrja e vajzave në studimet STEM, të arrijë në 50% në Kosovë, ndërkohë që mesatarja në vendet e Bashkimit Evropian është 1796.

Për barazinë, në fillim të shtegut, jo barazi në fund, por në fillim të shtegut, jo aty ku arrin, po prej aty ku nisemi. Për herë të parë kemi ndarë shtesat për fëmijë dhe nënat e reja lehona. Deri më tani, kanë përfituar mbi 387 mijë fëmijë dhe 50 mijë nëna të reja. Falë masave konkrete të Qeverisë, janë punësuar mbi 9 mijë gra e vajza.

Me skemën “Qeveria për Familjet” secila familje në Kosovë ka një bazë të të ardhurave me qëllim rritjen e mirëqenies shoqërore dhe jetën e dinjitetshme private e publike. Nga kjo kanë përfituar rreth 2400 familje të cilat nuk e kishin askënd të punësuar. Kësaj skeme ia kemi shtuar një veçori të re, që ka cak punësimin e të mbijetuarave të dhunës në familje. Kjo vjen krahas përmirësimit të qasjes në shërbime sociale dhe rritjes së mbështetjes për strehimoret e të mbijetuarave të dhunës në familje.

Gratë që po nderojmë sot vijnë nga fusha të ndryshme, nga shëndetësia te arsimi, nga arti te teknologjia, nga biznesi te siguria. Ato kanë thyer tavanet e qelqit, duke mbrojtur kauza të zemrës dhe duke shtrirë dorën e ndihmës për ata që kanë nevojë. Përvojat tuaja të ndryshme pasurojnë shoqërinë tonë në mënyra të panumërta.

Përparimi të nderuar të pranishëm, është përpjekje kolektive, ndërtuar mbi themelin e bashkëpunimit, ndjeshmërisë dhe solidaritetit.

Arritjet tuaja janë një dëshmi e fuqisë së unitetit dhe potencialit të jashtëzakonshëm që qëndron brenda secilës prej jush. Vlerësimi i merituar për arritjet e juaja, le të na shërbejnë si kujtesë për atë që mund të arrijmë së bashku.

Si përfundim, dua të shpreh mirënjohjen time të përzemërt për secilën prej jush për angazhimin tuaj për ta bërë Kosovën një vend më të mirë që s’e lë asnjërin mbrapa.

Le të vazhdojmë të mbështesim njëri-tjetrin, sepse së bashku do të krijojmë një të ardhme më të drejtë për të gjithë. Historitë e juaja do të vazhdojnë të na frymëzojnë, për lartësi të reja në rrugën e barazisë dhe të progresit.

Kosova krenohet me ty, për të gjitha juve.
Kosovo se ponosi tobom, za sve vas.
Ju faleminderit!
Hvala!

Last modified: 15 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×