Prishtinë, 26 dhjetor 2024
Së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, si dhe zëvendësministren, Daulina Osmani, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Fillimvitin e 2024-ës të kinematografisë së Kosovës, Kryeministri Kurti e konsideroi shumë të mirë, duke përmendur fitimin e vendit të parë të Tiger Short Competition në festivalin e filmit të Rotterdamit nga Ilir Hasanaj, çmimin e parë për dokumentarin më të mirë të shkurt nga festivali i ri në Sarajevë me “Si e verdhë e Sëmurë” të Norita Sefas, si dhe pjesëmarrjen e Samir Karahoda në festivalin e filmit të Kanës me filmin e shkurtë ”Rrugës”.
“Shumë filma të tjerë të metrazheve të ndryshme morën pjesë në festivale gjithandej botës, edhe sollën çmime me vete në vendlindjen e tyre në Kosovë. Përfaqësimi ndërkombëtar me kinematografinë tonë nuk ka munguar as këtë vit”, deklaroi kryeministri.
Ai veçoi si prej arritjeve më të mëdha kinematografike në gjithë historinë e filmit të Kosovës, hyrjen në fuqi e incentivës së rabatit, kërkesë e kahmotshme e industrisë sonë të filmit. Me të synohet që Kosova të bëhet pikë fokale e rajonit për tërheqjen e investimeve për realizimin e prodhimeve kinematografike dhe të video lojërave, me 30% të kthimit të shpenzimeve të lejueshme brenda ekonomisë vendore.
Me këtë rast, kryeministri deklaroi se nëpërmjet buxhetit më të lartë që ka pasur ndonjëherë kinematografia e Kosovës, janë mbështetur 35 projekte filmike, derisa është hapur edhe një thirrje e re rishtazi për filmin e metrazhit të gjatë.
“Jemi duke punuar në përmirësimin e infrastrukturës së kinemave publike në vend, për t’u siguruar që prodhimet tona filmike bashkë me të tjerat, përfundojnë duke u shfaqur edhe për publikun tonë, në kinematë tona publike”.
Në kuadër të bashkëpunimeve ndërkombëtare, kryeministri përmendi marrëveshjen ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës për bashkëprodhime filmike të arritur në tetor, si dhe njoftoi nënshkrimin e momerandum bashkëpunimit më 14 shkurt të vitit të ardhshëm, ndërmjet QKK-së dhe Institutit Austriak të Filmit.
Duke e uruar komunitetin artistik për vitin e ri, kryeministri përmbylli fjalën duke theksuar nevojën e prodhimit të filmave gjithnjë e më të mirë në sasi dhe cilësi, pasi vendi ynë ka pa numër tregime të jashtëzakonshme që duhet të depërtojnë brenda brezash e jashtë vendit.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Blerta Zeqiri, Drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës,
E nderuara znj. Liza Gashi, Zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
E nderuara znj. Vlora Matoshi, deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar anëtarë të Bordit të Qendrës Kinematografike të Kosovës,
Të nderuar të pranishëm dhe aq të dashur komunitet artistikë,
Zonja dhe zotërinj,
Vit shumë i mirë 2024-shi për filmin e shkurtër, ku në fillim vit, më saktësisht në janar, Ilir Hasanaj nisi mbarë duke fituar vendin e parë në Tiger Short Competition, në festivalin e filmit të Rotterdamit me filmin “Krahët e punëtorëve”. E në gusht, Norita Sefa e solli nga Sarajeva çmimin e parë për dokumentarin më të mirë të shkurt nga festivali i ri në Sarajevë me “Si e verdhë e Sëmurë”.
Kurse në maj, Samir Karahoda mori përsëri pjesë në festivalin e filmit të Kanës me filmin e shkurtë ”Rrugës”, si pjesë e garës kryesore të festivalit për filmin e shkurtë. Të tre këta filma natyrisht i kam pa edhe unë. Shumë filma të tjerë të metrazheve të ndryshme morën pjesë në festivale gjithandej botës, edhe sollën çmime me vete në vendlindjen e tyre në Kosovë. Përfaqësimi ndërkombëtar me kinematografinë tonë nuk ka munguar as këtë vit.
Padyshim që njëra ndër arritjet më të mëdha kinematografike jo vetëm të këtij viti por në gjithë historinë e filmit të Kosovës, është hyrja në fuqi e incentivës së rabatit. Si një kërkesë e kahmotshme e industrisë sonë, me këtë edhe shtysë edhe nxitje, synojmë që Kosova të bëhet pikë fokale e rajonit për tërheqjen e investimeve për realizimin e prodhimeve kinematografike dhe të videolojërave, me 30% të kthimit të shpenzimeve të lejueshme brenda ekonomisë vendore. Sonte besoj që është arsye që të festojmë edhe për këtë arritje të përbashkët.
Kinematografia në Kosovë, sot ka buxhetin më të madh që ka pasur ndonjëherë, e që vazhdon të rritet përvit e më shumë. Sivjet janë mbështetur 35 projekte filmike, është hapur edhe një thirrje e re tash rishtazi për filmin e metrazhit të gjatë. Jemi duke punuar në përmirësimin e infrastrukturës së kinemave publike në vend, për t’u siguruar që prodhimet tona filmike bashkë me të tjerat, përfundojnë duke u shfaqur edhe për publikun tonë, në kinematë tona publike.
Në tetor, në Prishtinë u nënshkrua marrëveshja ndërshtetërore e bashkëprodhimit kinematografik me Bullgarinë. Si një ndër shtetet me të cilin bashkëpunojmë shumë në fushën e filmit, urojmë që kjo marrëveshje të përshpejtoj, e të shtojë e lehtësojë edhe më tutje prodhimet e përbashkëta filmike. Kam kënaqësinë që sonte t’ju njoftoj, që gjatë Berlinales në shkurtin e vitit të ardhshëm, pesë ditë pas ditës së madhe në të cilën kalojmë të gjithë, pra me 14 shkurt për Ditën e Shën Valentinit, do të nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit mes Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Institutit Austriak të Filmit me qëllim të zhvillimit të bashkëprodhimeve mes Kosovës dhe Austrisë.
E nga arritjet individuale, dua të uroj edhe zonjën Sevdije Kastrati për anëtarësimin në American Society of Cinematographetrs, krahas drejtorëve më të suksesshëm të fotografisë në industrinë e filmit. Jemi krenarë për këtë arritje të jashtëzakonshme që padyshim do t’i kontribuoj vazhdimit të promovimit të kinematografisë vendore ndërkombëtarish, dhe krijimin e lidhjeve të reja e cilësore e profesionale.
Shpresoj që në vitin 2025 do të vazhdojmë të shohim gjithnjë e më shumë filma më të mirë dhe të prodhojmë më shumë sesa në të kaluarën edhe më shumë sasi edhe më shumë cilësi, sepse vendi ynë ka pa numër tregime të jashtëzakonshme që kanë nevojë t’i dinë edhe jashtë vendit, por qe besa edhe brezi ynë e sidomos brezat më të rinj.
Gëzuar 2025 e shumë suksese e shëndet për të gjithë ju!
Last modified: 26 Dhjetor, 2024