Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në shënim të 18- vjetorit të vdekjes së ish-Presidentit, Dr. Ibrahim Rugova

21 Janar, 2024

Gjilan, 21 janar 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në shënim të 18-vjetorit të vdekjes së ish-Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, që u mbajt në Gjilan, nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Në këtë akademi, ku të pranishëm ishin krerët më të lartë të shtetit, zëvendëskryeministra, ministra, deputetë, kryetarë të komunave, familjarë të presidentit Rugova, përfaqësues të partive politike, e personalitete të tjera, u vlerësua lartë figura politike e presidentit Ibrahim Rugova për kontributin historik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për qasjen humaniste, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kombëtarizimin e rezistencës civile.

Nga të pranishmit, në këtë akademi, u theksua se Presidenti Rugova ishte i pareshtur e i palodhur në punën dhe angazhimin e tij në të mirën e vendit.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, duke folur në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, tha se Ibrahim Rugova ishte prijësi i shqiptarëve, luftëtar për liri, demokraci dhe pavarësinë e Kosovës, mendimtar, intelektual, shkrimtar, kritik, veprimtar e humanist i madh, e mbi të gjitha ishte intelektuali që mori përsipër udhëheqjen e lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës.

Në këtë akademi fjalë rasti mbajtën edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu.

Last modified: 21 Janar, 2024

Comments are closed.

×