Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar akademik Eshref Ademajt

17 Korrik, 2024

Prishtinë, 17 korrik 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, mori pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar veprës dhe jetës së akademik Eshref Ademaj, me rastin e 30-vjetorit të ndarjes nga jeta.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti rikujtoi se Profesor Ademaj shpenzoi gjithë potencialin e tij në avancimin e punës shkencore në Universitetin e Prishtinës dhe në mbrojtjen e autonomisë së tij, ku përveç se profesor, ai ishte një aktivist i devotshëm i të drejtave të njeriut dhe i çështjes sonë kombëtare.

“Kontributi i tij ishte tejet i rëndësishëm në kohën kur shteti okupator serb, me tërë fuqinë e tij, kishte vendosur për zhbërjen e shkollës shqipe në përgjithësi e veçanërisht të Universitetit të Prishtinës. Pas aplikimit të masave të dhunshme administrative në universitet, profesor Eshrefi ishte ndër ideatorët kryesorë të vazhdimit institucional dhe legal të punës së universitetit nëpër objekte private, e madje ai dha në dispozicion edhe shtëpinë e tij”, tha kryeministri.

Kësisoj, ai shtoi se përgatitja e profesorit dhe aftësitë e jashtëzakonshme organizative e nxorën në ballë të çdo organizimi që ishte në interes të shkollës shqipe dhe të popullit shqiptar të Kosovës.

“Te profili i Prof. Ademajt mund të lexohet një angazhim dhe aktivizëm aq i balancuar prej matematikani e studiuesi, prej profesori e ligjëruesi, prej prodekani, dekani dhe prorektori, por edhe prej një aktivisti të të drejtave të njeriut, një ndërmjetësuesi e pajtuesi të gjaqeve e të ngatërresave dhe prej një intelektuali të angazhuar deri në ditën e fundit të jetës së tij”.

Kryeministri përmendi edhe rezultatet shkencore të Profesor Ademajt të publikuara në revista serioze ndërkombëtare. Veçoi faktin që ai themeloi revistën e parë shkencore në fushën e matematikës, të titulluar “Punime Matematike”, ku botoheshin artikuj shkencorë të matematikanëve dhe shkencëtarëve nga e gjithë bota. Ndërkaq, brenda pak vitesh arriti ta indeksojë revistën në të dy institucionet më kredibile shkencore ndërkombëtare: Mathematical Reviews dhe Zentralblatt.

“Kontributi i tij u konkretizua siç u tha edhe më herët me publikimin e librit “Kosova Viktimë” në bashkautorësi me Zvonimir Sheparoviqin, një viktimolog i njohur ndërkombëtarisht. Ndërkaq, si anëtar i KMDLNJ-së në Prishtinë, ai kontribuoi në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive individuale, si dhe të drejtave kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve”, përmbylli kryeministri Kurti duke shtuar se kujtimi për Akademik Eshref Ademaj do të jetë i përjetshëm dhe roli i tij në historinë e Kosovës do të mbetet gjithmonë i dukshëm dhe i nderuar.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Donika Gërvalla-Schwarz, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës,
E nderuara znj. Rexhbije Ademaj dhe anëtarë të familjes Ademaj,
I nderuari President, z. Fatmir Sejdiu,
I nderuari z. Elver Bajrami, Shef i Departamentit të Matematikës,
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar profesorë, mësimdhënës, studentë, dashamirë të matematikës e të profesorit Eshref,
Zonja dhe zotërinj,

Jemi mbledhur për të nderuar figurën e intelektualit të shquar akademik Eshref Ademaj, i cili të gjithë potencialin e tij e shpenzoi në avancimin e punës shkencore në Universitetin e Prishtinës dhe në mbrojtjen e autonomisë së tij. Përgatitja e tij profesionale dhe aftësitë e jashtëzakonshme organizative e nxorën në ballë të çdo organizimi që ishte në interes të shkollës shqipe dhe të popullit shqiptar të Kosovës.

Kontributi i tij ishte tejet i rëndësishëm në kohën kur shteti okupator serb, me tërë fuqinë e tij, kishte vendosur për zhbërjen e shkollës shqipe në përgjithësi e veçanërisht të Universitetit të Prishtinës. Pas aplikimit të masave të dhunshme administrative në universitet, profesor Eshrefi ishte ndër ideatorët kryesorë të vazhdimit institucional dhe legal të punës së universitetit nëpër objekte private, e madje ai dha në dispozicion edhe shtëpinë e tij.

Aq e kudondodhur është matematika në univers, në natyrë dhe gjithandej në përditshmërinë tonë, sa që ajo shkon e bëhet e pavrejtshme. Gjithëprania e bën matematikën të padukshme. Matematika është sikur ajri e ajri ka edhe puhi e freski, po ka edhe stuhi e furtuna veçse në rastin e matematikës këto freskitë dhe furtunat ndjehen më fuqishëm në shkencat natyrore rrotull se sa në vet matematikën.

Ata që matematikën e kanë profesion por edhe interes akademik sikur Profesor Eshref Ademaj, natyrshëm dhe pashmangshëm e shndërrojnë atë në një lloj perspektive ndaj botës dhe në një qasje ndaj jetës; e kthejnë matematikën në një lloj logjike të të vepruarit por edhe në një filozofi të të jetuarit. E kjo vërehet te jeta përkatësisht te vepra publike e Prof. Eshref Ademajt.

Si një studiues, përveçse ligjërues edhe i fushave të algjebrës, Profesor Eshref Ademaj e dinte fare mirë, prandaj me sa duket ai i aplikoi rregullat e algjebrës edhe në jetën e tij të përditshme. Kjo kuptohet pra nga profili publik i tij, të cilën e ngriti pa kursim, pa rezervë në çdo situatë e tërë kohën, e që i tejkalon përmasat e një profesori universitar dhe një shkencëtari të matematikës. Te profili i Prof. Ademajt mund të lexohet një angazhim dhe aktivizëm aq i balancuar prej matematikani e studiuesi, prej profesori e ligjëruesi, prej prodekani, dekani dhe prorektori, por edhe prej një aktivisti të të drejtave të njeriut, një ndërmjetësuesi e pajtuesi të gjaqeve e të ngatërresave dhe prej një intelektuali të angazhuar deri në ditën e fundit të jetës së tij.

Rezultatet e tij shkencore ishin të shumta dhe të publikuara në revista serioze ndërkombëtare. Bashkëpunoi me emra të shquar të kohës duke prodhuar vepra të rëndësishme shkencore të cilat e afirmuan Universitetin e Prishtinës nëpërmjet Kosovës dhe Kosovën nëpërmjet Universitetit të Prishtinës. Ai themeloi revistën e parë shkencore në fushën e matematikës, të titulluar “Punime Matematike”. Në këtë revistë shkruanin artikuj shkencorë matematikanë dhe shkencëtarë nga e gjithë bota. Brenda pak vitesh arriti ta indeksojë revistën në të dy institucionet më kredibile shkencore ndërkombëtare: Mathematical Reviews dhe Zentralblatt.

Shkencëtarët e mëdhenj duket që vazhdojnë të shkruajnë artikuj shkencorë edhe pas vdekjes së tyre, për shkak të rrjetit të gjerë të bashkëpunëtorëve. Ndër më të njohurit është matematikani hungarez Paul Erdős, i cili kishte mbi 500 bashkëpunëtorë shkencorë dhe pas vdekjes së tij në vitin 1996 ka publikuar mbi 150 artikuj shkencorë të cilët janë konkretizuar nga bashkëpunëtorët e tij.

Për kuriozitet, punimi i fundit i profesorit Eshref Ademaj rezulton të jetë i vitit 2004, pra 10 vjet pas vdekjes së tij, i publikuar në revistën kroate Mathematical Communications në bashkëautorësi me profesorin kroat Mario Essert.

Përveç kontributit të tij si shkencëtar dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, ai ishte një aktivist i devotshëm i të drejtave të njeriut dhe i çështjes sonë kombëtare. Gjatë pjesëmarrjes së tij në simpoziume ndërkombëtare shkencore por edhe ato politike e sociale ai prezantoi në mënyrë të guximshme dhunën dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Pra, edhe në politikë ishte shkencëtar mirëpo asnjëherë nuk e ndante shkencën nga konteksti sociopolitik, ku jeton, e gjallon, e mbijeton një popull.

Kontributi i tij u konkretizua siç u tha edhe më herët me publikimin e librit “Kosova Viktimë” në bashkautorësi me Zvonimir Sheparoviqin, një viktimolog i njohur ndërkombëtarisht. Ndërkaq, si anëtar i KMDLNJ-së në Prishtinë, ai kontribuoi në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive individuale, si dhe të drejtave kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve.

Unë do të kisha pasur shumë dëshirë ta kisha njohur e të kisha bashkëbiseduar me të për shkak se edhe unë në jetën time jam i formuar shumë le të themi prej matematikës e mbase në veçanti prej algjebrës e cila besoj që i ka dy këmbë, i ka ekuacionet dhe formulat e problemet reale në jetë shndërrohen në ekuacione matematikore që më pastaj zgjidhen. Është interesant që problemet reale dhe ekuacionet matematikore kanë emërtime të ndryshme, por antidoti i tyre e ka të njëjtën fjalë që është zgjidhja. Pra zgjidhje për problemet reale dhe zgjidhje për ekuacionet matematikore. E kjo ka shumë rëndësi për njeriun se si frymon në jetë për shkak se siç thashë më herët matematika është si ajri.

Unë po e përmbyll fjalimin tim duke e cituar profesorin e ndjerë Rektorin Ejup Statovci, i cili në mbledhjen komemorative kushtuar akademik Eshref Ademajt, më 7 gusht të vitit 1994, mes tjerash tha, po citoj: “Vepra e tërësishme e Eshref Ademajt është madhore dhe si e tillë përherë do t’i japë dritë mendimit të Universitetit dhe çështjes sonë kombëtare”.

Kujtimi për Akademik Eshref Ademaj le të jetë i përjetshëm dhe roli i tij në historinë e Kosovës le të mbetet gjithmonë i dukshëm dhe i nderuar.

Ju falemnderit!

Last modified: 22 Korrik, 2024

Comments are closed.