Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mirëpriti profesorët Susan Morgan dhe Andy Hamilton nga Ulster University

13 Qershor, 2024

Prishtinë, 13 qershor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti profesorët Susan Morgan dhe Andy Hamilton nga Ulster University bashkë me Adrian Davies dhe Dorina Gllogjani nga organizata joqeveritare rinore YMCA në Kosovë.

Ai u uroi mirësëardhje në Kosovë mysafirëve nga Irlanda Veriore, teksa solli në kujtesë takimin që ka pasur me Dr. Morgan gjatë vizitës së tij në Belfast në muajin shkurt. Gjatë asaj vizite, Kryeministri kishte pasur mundësi që, ndër të tjera, të njihet më shumë edhe me nismat e Universitetit të Ulsterit për angazhimin e grupeve të margjinalizuara.

Në lidhje me këtë, kryeministri i njoftoi për veprimet dhe nismat e qeverisë për avancimin e arsimimit në mesin e komuniteteve joshumicë, duke veçuar këtu bursat për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, dhe financimin e kolegjit IBCM në Mitrovicë si kolegji i parë publik në Kosovë – 27% të studentëve të të cilit janë nga komunitetet joshumicë.

Bashkë me Kryeministrin ishte edhe Dr Edona Maloku nga Queen’s University Belfast që udhëheq me nismën për Arsim të Përbashkët në Kosovë sipas modelit të Irlandës Veriore. Një ekip ekspertësh nga Irlanda Veriore së fundmi ishin në Kosovë, përkatësisht në Komunën e Kamenicës ku realizuan një seminar pune me komunitetet shkollore të kësaj komune për të hulumtuar potencialin e bashkëpunimit të sistemeve të ndara arsimore.

Sa i përket punës me komunitetet nga aspekti i shoqërisë civile ka folur Adrian Davies, Drejtori i YMCA në Kosovë. Ai prezentoi punën e organizatës së tij në arsim joformal me mijëra të rinj në pesë komuna të Kosovës.

Gjatë takimit u diskutuan dhe trajtuan mundësi të ndyshme për bashkëpunim.

 

Last modified: 13 Qershor, 2024

Comments are closed.