Prishtinë, 27 mars 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe deputeten e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Duda Balje, mirëpriti sot Kryetarin e Komunës së Linzit në Austri, Klauk Luger, që po shoqërohej nga zëvendësambasadori i Austrisë në Kosovë, Martin Schaller.
Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje kryetarit Luger dhe falënderoi për raportet shumë të mira me komunitetin e shqiptarëve në komunën që ai drejton.
Në takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit, me theks në fushën e ekonomisë, teknologjisë dhe edukimit, veçanërisht nëpërmjet mërgatës sonë në Austri. Kryeministri Kurti e njoftoi kryetarin Luger për rezultatet dhe arritjet e qeverisjes dyvjeçare, për indikatorët ekonomikë në eksport dhe investime të huaja, dhe për progresin në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Kryetari i Komunës austriake, Luger po qëndron në Kosovë në një vizitë dyditore, dhe krahas takimeve me përfaqësues të institucioneve, po viziton edhe disa kompani të ndryshme private. Në vitin 2021 Komuna e Podujevës dhe Komuna e Linzit kishin nënshkruar marrëveshje të binjakëzimit.
Last modified: 27 Mars, 2023