Fillimisht, kryeministri Kurti dhe kryetari Gashi zhvilluan një takim tête-à-tête, që u përcoll pastaj me një takim bilateral ndërmjet dy delegacioneve.
Gjatë takimit bilateral të delegacioneve u diskutua për domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërmjet dy kuvendeve respektive, dhe për mundësinë e mbështetjes nga ana e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ndaj Kosovës në forume dhe takime ku Kosova nuk është e pranishme apo e përfaqësuar. Kryeministri veçoi nevojën e ratifikimit në afat optimal të të gjitha marrëveshjeve që dalin nga bashkëpunimi bilateral, përfshirë edhe ato të Procesit të Berlinit. U theksua gjithashtu vlera e shtuar e protokollit dhe dy memorandumeve të mirëkuptimit që Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut nënshkruan në mbledhjen e dytë të përbashkët, e cila u mbajt më 18 nëntor në Prishtinë, si dhe intensifikimi i punës në realizimin e projekteve infrastrukturore që lidhin dy vendet.
Kryeministri falënderoi kryetarin Gashi për vizitën dhe tha se bashkëpunimi parlamentar ndihmon në rritjen dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Last modified: 25 Nëntor, 2024