Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mirëpriti kryetarin e Komunës së Baden bei Wien në Austri

27 Gusht, 2024

Prishtinë, 27 gusht 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në zyrën e tij kryetarin e Komunës së Baden bei Wien në Austri, z. Stefan Szirucsek, i cili u shoqërua nga anëtari i këshillit të qytetit, z. Nusret Bujari.

Kryeministri Kurti e uroi kryetarin Szirucsek për binjakëzimin e suksesshëm të komunave Baden dhe Suharekë, duke shprehur krenarinë e tij për integrimin e mirë të shqiptarëve të Kosovës në Baden dhe rolin e rëndësishëm të shoqatës “17 Shkurt” në këtë drejtim.

Gjatë takimit, Kryeministri falënderoi kryetarin Szirucsek për mbështetjen që Austria i ka dhënë Kosovës, veçanërisht gjatë dhe pas luftës, dhe për njohjen e diplomave nga Kosova. Ai theksoi marrëdhëniet shumë të mira kulturore, politike dhe historike ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Gjithashtu, Kryeministri Kurti falënderoi z. Nusret Bujari për punën e tij si anëtar i këshillit të qytetit në Baden dhe për rolin e tij si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Baden.

Nga ana e tij, kryetari Szirucsek vlerësoi praninë e sipërmarrësve nga Kosova në Baden dhe përmendi trashëgiminë botërore të qytetit të tij, duke shprehur dëshirën për të forcuar më tej marrëdhëniet, veçanërisht në fushën e turizmit, ku ka pasur një rritje prej 50% të netëve të kaluara në Kosovë gjatë vitit të kaluar.

Kryeministri Kurti përmendi rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat e Baden dhe diskutoi mundësitë për ta vendosur atë në institucionet arsimore të qytetit. Ai gjithashtu theksoi pjesëmarrjen e kompanive nga Baden në forumin e ardhshëm ekonomik Austri-Kosovë, që do të mbahet në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Last modified: 27 Gusht, 2024

Comments are closed.