Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mirëpriti kryetaren e qytetit të Johnston në Iowa të ShBA-ve, Paula Dierenfeld

10 Dhjetor, 2024

Prishtinë, 10 dhjetor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim kryetaren e qytetit të Johnston në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Paula Dierenfeld.

Së bashku biseduan për marrëdhëniet e mira mes Iowa-s dhe Kosovës dhe miqësisë sonë, gjersa trajtuan mundësitë për thellim të bashkëpunimit në fusha si agrikultura, arsimi, mbrojtja dhe sporti.

Kryeministri Kurti e njoftoi për zhvillimin ekonomik e progresin demokratik të vendit në katër vitet e fundit, duke veçuar dhe investimet e avancimet në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes.

Shtoi se Kosova është edhe shtëpi e organizimeve të rëndësishme sportive, gjersa po përgatitemi për mbajtjen e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe ndërkohë që në korrik të vitit të ardhshëm do mirëpresim Kampionatin Evropian në volejboll për grupmoshat U16 të vajzave së bashku me Shqipërinë.

Përgjatë takimit, kryeministri Kurti theksoi dhe bashkëpunimin, partneritetin e aleancën e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndër projektet e përbashkëta madhore është edhe programi Kompakt i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, MCC, si investim në energjinë e ripërtërishme përmes baterive për ruajtjen e energjisë, në vlerën prej 236.7 milionë dollarësh.

Last modified: 10 Dhjetor, 2024

Comments are closed.