Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mirëpriti ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair

10 Qershor, 2024

 

Prishtinë, 10 qershor 2024 

Në ditën e 25-vjetorit të përfundimit të fushatës së NATO-s që ndali spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe në kuadër të nisjes së aktiviteteve në shënimin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor 1999, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, i cili po viziton vendin tonë. Para këtij takimi, ish-kryeministri Blair u mirëprit në një seancë solemne në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

Fillimisht, kryeministri e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar dhe z. Blair për ndihmën dhe kontributin në çlirimin e Kosovës, rolin e tij të rëndësishëm dhe mbështetjen e palëkundur gjatë luftës në Kosovë, e cila çoi në çlirimin e vendit nga pushtuesit serb dhe përkrahjen në etapat e shtetndërtimit të vendit tonë.

Kryeministri shtoi se është i nderuar të mirëpresë Tony Blair sot, ku shtoi se udhëheqja dhe vendosmëria e tij ishin vendimtare në mbledhjen e mbështetjes ndërkombëtare dhe për të siguruar që drejtësia dhe paqja të mbizotërojnë. “Populli i Kosovës do ta kujtojë dhe do të jetë mirënjohës përherë për përkushtimin tuaj për drejtësi dhe paqe”, u shpreh kryeministri.

Së bashku, ata kujtuan ngjarjet e rëndësishme që kulmuan me lirinë e Kosovës, duke diskutuar vendimet dhe veprimet kritike të marra gjatë ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, të cilat ishin kyçe në përfundimin e luftës dhe sigurimin e paqes.

Në takim u bisedua edhe për zhvillimet aktuale me ç’rast Kryeministri e njoftoi me progresin e arritur, duke theksuar se Kosova është demokracia më e përparuar e rajonit dhe me rritjen më të madhe ekonomike.

Last modified: 11 Qershor, 2024

Comments are closed.