Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mirëpriti dhe diskutoi me anëtarët e ekipit ndërinstitucional për promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

28 Maj, 2024

 

Prishtinë, 28 maj 2024

Në Ndërtesën e Qeverisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot anëtarët e ekipit ndërinstitucional për promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, me të cilët diskutoi bashkë për punën e rezultatet e deritanishme të ekipit ndërinstitucional, por edhe sfidat me të cilat janë ballafaquar rrugës. 

Ekipi ndërinstitucional, i formuar në vitin 2022 me vendim të qeverisë e i përbërë nga përfaqësues të institucioneve qendrore dhe organizatave të shoqërisë civile, është angazhuar në vazhdimësi në promovimin e punësimit te këto komunitete duke arritur rezultatet pozitive. Në nëntor të vitit të kaluar, ky ekip organizoi Ditën e parë vjetore të Hapur në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike për 100 të rinj nga komunitetet joshumicë dhe siguroi pjesëmarrjen e 500 të rinjve nga këto komunitete në Ditën e FSK-së. Qëllimi i këtyre organizimeve ishte që të rritet informimi dhe interesimi i komuniteteve joshumicë që të aplikojnë në institucionet publike të sigurisë. Si rezultat, në gjeneratën e 59-të të Policisë e cila diplomoi në prill të këtij viti, 20% e pjesëtarëve të rinj ishin nga radhët e komuniteteve joshumicë, prej tyre 17 egjiptianë, ashkali e rom; përkundër vetëm 1 polici nga këto komunitete në gjeneratën e vitit 2022. Në përgjithësi, sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit në vitin 2023 numri i punëkërkuesve nga radhët e këtyre komuniteteve që kanë gjetur punë është rritur për 1/3 në krahasim me vitin pararendës, pra 2022. 

Ky ekip gjithashtu po trajton braktisjen e shkollimit nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Në këtë drejtim, krahas bursave të shumta për studentë dhe nxënës të shkollave të mesme, në vitin 2022 dhe 2023 Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kishte ndarë 200,000 euro për qendrat mësimore për fëmijët e këtyre komuniteteve, kurse këtë vit ka ndarë 50,000 euro më shumë. 

Kryeministri i përgëzoi për arritjet dhe rezultatet e arrira dhe ua konfirmoi vullnetin dhe përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për progres shoqëror të gjithmbarshëm dhe avancim të mëtejmë të komuniteteve joshumicë përmes mbështetjes dhe politikave qeveritare.

Last modified: 28 Maj, 2024

Comments are closed.