Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mirëpriti dhe bashkëbisedoi me gjeneratën e dytë të Programit për Diplomaci Qytetare

27 Dhjetor, 2023

Prishtinë, 27 dhjetor 2023

I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz dhe zëvendësministrja, Liza Gashi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti në takim gjeneratën e dytë të Programit për Diplomaci Qytetare.

Në këtë bashkëbisedim me pjesëmarrësit, kryeministri Kurti theksoi se përvoja e këtij programi do të na shërbejë të gjithëve që të kemi sa më shumë suksese në afirmimin e Republikës së Kosovës, të drejtësisë dhe sukseseve të saj, por gjithashtu dhe në përmirësimin e imazhit tonë ndërkombëtar, ku rol të rëndësishëm luan dhe mërgata.

“Si në aspektin akademik e të ndërmarrësisë, po ashtu edhe në atë kulturor e shoqëror. Andaj jemi këtu për t’i ndihmuar njëri tjetrit, në mënyrë që Programi për Diplomaci Qytetare të jetë nga viti në vit gjithnjë e me suksese më të mëdha, me të arritura të reja”, shtoi kryeministri.

Ai potencoi dhe mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur të qeverisë ndaj këtij programi e pjesëmarrësve të tij.

“E bashkatdhetarët tanë ne nuk i shohim në një raport le të themi që lëkundet midis nostalgjikes edhe folklorikes, por i shohim si pjesë vitale e kombit shqiptar, si shans i madh për vendin tonë, qoftë në kuptimin e progresit socio-ekonomik, po ashtu edhe atë të kulturës, të arsimit, dhe të diturisë, që ajo e ka në vendin ku është, e na nevojitet edhe këtu në vendin prej nga ata vijnë” tha kryeministri Kurti.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, shprehu kënaqësinë e saj të vazhdimit të programit dhe praninë e pjesëmarrësve kaq të përgatitur, bashkë me këtë dinamikë të jashtëzakonshme, e cila nga janari do vijojë dhe me zbatimin e projekteve të ndryshme, jo vetëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, por edhe në ministri të tjera.

Në vijim, kryeministri dëgjoi historitë, përvojat, sukseset dhe arsyet e aplikimit të pjesëmarrësve, pjesë e diasporës sonë në Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më gjerë, të diplomuar në art, kulturë, politikë të jashtme e të tjera.

Ne e çmojmë shumë vullnetin e tyre për të kontribuar për vendin dhe sjellur këtu përvojën e akumuluar.

Kujtojmë se ky program synon të forcojë lidhjen e diasporës me institucionet e Republikës së Kosovës, duke u krijuar atyre mundësi që të përfshihen drejtpërdrejt në institucionet publike në vendin tonë përmes angazhimit profesional, sjelljes së përvojës së tyre dhe kontributit.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Mirëmbrëma të gjithëve e faleminderit shumë që e keni ndarë kohën të gjithë për këtë bashkëbisedim të hapur, në një kohë të rëndësishme për Kosovën, për shkak se viti 2024 është viti kur qeverisja aktuale e ka vitin e fundit të mandatit, por në të njëjtën kohë edhe priten të arritura dhe rezultate të reja. Si në aspektin e brendshëm shtetëror, po ashtu dhe në atë të jashtëm ndërkombëtar.

Ne e kemi përvojën me ata të cilët kanë qenë para juve, por kanë qenë më pak se gjysma e juaj për nga numri, andaj dhe besoj se kjo do të na shërbejë edhe juve edhe neve që të kemi sa më shumë suksese në afirmimin e Republikës së Kosovës, të drejtësisë edhe të sukseseve të saj, por gjithashtu edhe në përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit tonë ndërkombëtar, ku rol të rëndësishëm luan mërgata jonë, bashkatdhetarët tanë, prej nga vini dhe ju. Si në aspektin akademik e të ndërmarrësisë, po ashtu edhe në atë kulturor e shoqëror. Andaj jemi këtu për t’i ndihmuar njëri tjetrit, në mënyrë që Programi për Diplomaci Qytetare të jetë nga viti në vit gjithnjë e me suksese më të mëdha, me të arritura të reja.

Prandaj, ne llogarisim në juve e plotësisht ngjashëm llogaritni edhe ju në neve. Unë jam bashkë me zëvendësen time, Donika Gërvalla Schwarz, që është njëkohësisht edhe ministre e Punëve të Jashtme, edhe me Liza Gashin e cila është zëvendësministre e Punëve të Jashtme, edhe e cila e njeh tejet mirë mërgatën tonë apo diasporën tonë. Unë nuk njoh njeri që e njeh më mirë mërgatën tonë se Liza, ndoshta ka, por unë nuk njoh, andaj edhe nga pozita e kryeministrit, e kemi ndihmuar Lizën me krejt çfarë kemi ditur e kemi mundur. Por në anën tjetër edhe ajo e ka ndihmu shumë qeverisjen, në mënyrë që në politikën tonë të jashtme të lidhemi sa më mirë dhe ngushtë me bashkatdhetarët tanë.

E bashkatdhetarët tanë ne nuk i shohim në një raport le të themi që lëkundet midis nostalgjikes edhe folklorikes, por i shohim si pjesë vitale e kombit shqiptar, si shans i madh për vendin tonë, qoftë në kuptimin e progresit socio-ekonomik, po ashtu edhe atë të kulturës, të arsimit, dhe të diturisë, që ajo e ka në vendin ku është, e na nevojitet edhe këtu në vendin prej nga ata vijnë. Unë nuk po e zgjas më shumë për shkak se jam i interesuar të dëgjoj pak më shumë prej juve, çka mendoni se ju mund të na thoni që ne të bëjmë bashkërisht, edhe më mirë, edhe më shumë.

Last modified: 28 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×