Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti merr pjesë në Samitin Global të ‘’Open Government Partnership’’, fillon rrugëtimi i Kosovës si anëtarja më e re e OGP-së

6 Shtator, 2023

 

Estoni, 6 shtator 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin Global të 8-të të Partneritet për Qeveri të Hapur (Open Government Partnership).

Në adresimin e tij, në sesionin hapës të samitit që këtë vit po organizohet nga Qeveria e Estonisë, duke iu drejtuar pjesëmarrësve, përfaqësues të shteteve anëtare, aktivistë të shoqërisë civile dhe mysafirë të ftuar, ai tha që ndjehet i nderuar që është në mesin e tyre sot, e veçanërisht krejt në fillim të rrugëtimit të Kosovës si anëtarja më e re e kësaj organizate ndërkombëtare.

Për Kosovën, anëtarësimi dhe pjesëmarrja në OGP paraqet një mundësi për të përmirësuar standardet tona të transparencës, pasi që inkurajon qeverinë të jetë më e hapur për aktivitetet e saj dhe proceset vendimmarrëse dhe po ashtu rrit besimin e publikut, u shpreh kryeministri.

“Të qenit pjesë e organizatës e vendosë Kosovën në skenën ndërkombëtare si një vend i përkushtuar ndaj parimeve të hapura të qeverisë, ndaj praktikave të mira të qeverisjes dhe është e gatshme të mbahet përgjegjëse për angazhimet e saj dhe të mësojë nga ata që kanë përmirësuar praktikat e qeverisjes së hapur”, shtoi kryeministri në adresimin e tij.

Ai vazhdoi duke thënë se nëpërmjet transformimit digjital synojmë të rrisim cilësinë e sistemit e arsimit, efikasitetin e sistemeve tona të kujdesit shëndetësor e drejtësisë, dhe të rrisim produktivitetin në ekonomi. Gjatë dy viteve të fundit kemi digjitalizuar me sukses më shumë se 150 shërbime, të cilat janë të qasshme përmes portalit qeveritar, eKosova, derisa aktualisht jemi në proces të pilotimit për ofrimin e shërbimeve në lidhje me lindjen e fëmijëve.

Gjithashtu, kryeministri Kurti foli edhe rrezikun me të cilin ballafaqohet çdo vend nga kërcënimet kibernetike. Ai veçoi rreziqet me të cilat ballafaqohet Kosova nga aleatët e Rusisë, të cilët përpiqen që të shtrembërojnë të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen.

“Në situata të ndjeshme, kur vendi ynë angazhohet në procesin e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha pakicave në proceset demokratike të vendit pa ndërhyrje të huaja, kërcënimet kibernetike të llojit të dezinformimit, ngacmimi kibernetik dhe forma të tjera janë veçanërisht të dëmshme”, theksoi kryeministri Kurti.

Prandaj, kjo është arsyeja pse angazhimi dhe pjesëmarrja jonë në këtë ngjarje janë më të rëndësishme se kurrë dhe se mezi presim të mësojmë nga të gjithë ju dhe me të gjithë ju, për një demokraci digjitale më të fortë për qytetarët tanë, tha kryeministri Kurti në përfundim të fjalës së tij.

Në Tallinn të Estonisë, kryeministri Kurti është shoqëruar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti. Republika e Kosovës u anëtarësua në Partneritetit për Qeveri të Hapur në muajin gusht. Ajo është tash në mesin e 75 vendeve anëtare. Samiti i sivjetmë i OGP-së po organizohet nga Qeveria e Estonisë. Përveç Kryeministrit Kurtit, pjesëmarrësve iu drejtuan edhe Kryeministrja estoneze Kaja Kallas, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, Presidenti i Malawit, Lazarus Chakwera, Presidenti i Republikës Domenikane, Luis Abinader dhe Sekretari i OGP, Sanjay Pradhan.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në Samitin Global të Partneritetit për Qeveri të Hapur (Open Government Partnership):

E nderuara Kryeministre Kallas,
Të nderuar përfaqësues të shteteve anëtare të Partneritetit të Qeverisjes së Hapur,
Të nderuar aktivistë të shoqërisë civile nga e gjithë bota,
Të nderuar të pranishëm,

Jam i nderuar që jam mes jush sot, veçanërisht në fillim të rrugëtimit të Kosovës si anëtare e Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP). OGP luan një rol vendimtar në forcimin e parimit themelor demokratik se fati i një vendi qëndron tek njerëzit e tij. Duke u ofruar qytetarëve mjete më të mëdha për të marrë pjesë, OGP nxit ndjenjën e pronësisë dhe përgjegjësisë mes qytetarëve.

Është një kënaqësi e veçantë të jem në Estoni duke folur për këtë temë. Estonia ka vendosur standardin e artë për demokracinë digjitale. Megjithëse përparimet digjitale kanë bërë të mundur lehtësinë e madhe me të cilën qytetarët depozitojnë taksat e tyre dhe bizneset inkorporojnë dokumentet e tyre, historia e suksesit digjital të Estonisë nuk ka të bëjë vetëm me komoditetin; në thelb ka të bëjë me besimin. Angazhimi i palëkundur i vendit për sigurinë dhe privatësinë e të dhënave ka vendosur një shembull për botën që duhet ndjekur, duke siguruar që të dhënat personale të individëve të trajtohen me kujdes, transparencë dhe siguri. Në dritën e kërcënimeve aktuale të sigurisë kibernetike, kjo është një fushë që meriton të gjithë vëmendjen tonë.

Misioni i OGP-së rezonon me mua personalisht. Si dikush, fillimi i të cilit në politikë, dhe një pjesë thelbësore e jetës sime politike, ka qenë si aktivist, rrugëtimi im nga aktivizmi social te lidershipi institucional ka përforcuar ndikimin e thellë që qytetarët e angazhuar mund të kenë në formësimin e kursit të kombit tonë. Aktivizmi më mësoi se fuqia e ndryshimit është në duart e njerëzve dhe është përgjegjësia ime si udhëheqëse të siguroj që zërat e tyre jo vetëm të dëgjohen, por edhe të kërkohen aktivisht. Mençuria, kreativiteti dhe pasioni i qytetarëve tanë janë pasuri të paçmueshme që, kur shfrytëzohen, mund të na çojnë drejt zgjidhjeve inovative, politikave të përmirësuara dhe një shoqërie më gjithëpërfshirëse.

Për Kosovën, një demokraci relativisht e re dhe në zhvillim, pjesëmarrja në OGP paraqet një mundësi për të përmirësuar standardet tona të transparencës. Inkurajon qeverinë të jetë më e hapur për aktivitetet e saj dhe proceset vendimmarrëse, të cilat, nga ana tjetër, do të reduktojnë mundësitë për korrupsion dhe do të përmirësojnë besimin e publikut. Transparenca më e madhe dhe lufta kundër korrupsionit kanë qenë gurët e themelit të qeverisë sonë. Ne i kemi vënë theks të madh luftimit të krimit brenda institucioneve publike. Ndikimi i prekshëm i përpjekjeve tona është pranuar nga institucione të njohura ndërkombëtare. Për shembull, renditja e Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International është përmirësuar me 20 vende në dy vitet e fundit. OGP gjithashtu inkurajon qeveritë që të kërkojnë dhe të marrin në konsideratë kontributin e publikut, i cili është thelbësor për ndërtimin e një shteti me në qendër qytetarin. Anëtarësimi në OGP na lejon të ecim përpara me demokracitë e tjera. Të qenit pjesë e organizatës e vendos Kosovën në skenën ndërkombëtare si një vend i përkushtuar ndaj parimeve të hapura të qeverisë dhe për këtë arsye i sinjalizon komunitetit global se Kosova është e përkushtuar ndaj praktikave të mira të qeverisjes dhe është e gatshme të mbahet përgjegjëse për angazhimet e saj dhe të mësojë nga ata që kanë përmirësuar praktikat e qeverisjes së hapur.

Epoka digjitale ka qenë transformuese për qytetarët tanë. Gjatë një kohe kur Kosova e gjen veten në buzë të Evropës, digjitalizimi ka bërë të mundur lidhjen. Me aksesin në internet që shtrihet në të gjithë vendin tonë dhe me arritjen e këtij momenti historik këtë vit, qytetarët tanë kanë qenë në gjendje të marrin pjesë në ekonomitë globale dhe të mësojnë nga demokracitë kryesore. Duke njohur potencialin e jashtëzakonshëm, qeveria jonë është e përkushtuar të shfrytëzojë transformimin digjital si një katalizator për një rishikim gjithëpërfshirës të administratës sonë publike. Nëpërmjet këtij transformimi ne synojmë gjithashtu të rrisim cilësinë e sistemit tonë arsimor, të rrisim efikasitetin e sistemeve tona të kujdesit shëndetësor dhe drejtësisë dhe të rrisim produktivitetin në të gjithë ekonominë tonë. Gjatë dy viteve të fundit, ne kemi digjitalizuar me sukses më shumë se 150 shërbime, të cilat janë të aksesueshme përmes portalit tonë qeveritar, eKosova.
Aktualisht, ne jemi në procesin e pilotimit të “qasjes së ngjarjeve të jetës” për ofrimin e shërbimeve në lidhje me lindjen e një fëmije. Kjo qasje qëndron si gurthemeli i nismës sonë ambicioze për reformën e administratës publike, me synimin kryesor për ofrimin e shërbimeve thellësisht të përqendruara te qytetari, të personalizuara dhe gjithëpërfshirëse.

Por mundësitë e mëdha vijnë së bashku me përgjegjësitë e mëdha. Çdo vend i përfaqësuar në këtë dhomë dhe qytetarët e tij janë në rrezik të kërcënimeve kibernetike. Vendet që janë më në kundërshtim me regjimet e huaja autoritare e dinë se si duken këto kërcënime nga dora e parë. Në Kosovë, përpjekjet e aleatëve rusë për të shtrembëruar të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen janë të dukshme dhe intensifikohen. Në kohë të ndjeshme, kur vendi ynë angazhohet për procesin e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha pakicave në proceset demokratike të vendit pa ndërhyrje të huaja, këto kërcënimet kibernetike si dezinformimi, ngacmimi kibernetik dhe forma të tjera janë veçanërisht të dëmshme.

Kjo është arsyeja pse angazhimi dhe pjesëmarrja jonë në këtë ngjarje janë më të rëndësishme se kurrë. Ne mezi presim të mësojmë nga të gjithë ju dhe me të gjithë ju, për një demokraci digjitale më të fortë për qytetarët tanë.

Faleminderit shumë!

Last modified: 6 Shtator, 2023

Comments are closed.