Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti, merr pjesë në hapjen e Odës Nordike: “NordiKo”, platformë që nxit bashkëpunimin, inovacionin dhe sipërmarrjen

26 Maj, 2023

Prishtinë, 26 maj 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në inaugurimin e Odës Nordike, dhomës së re biznesi Nordiko-Kosovare.

Duke folur për arritjet e dukshme të Qeverisë gjatë dy viteve të fundit, kryeministri Kurti përmendi raportet ndërkombëtare për Kosovën, duke përfshirë atë të BE-së, Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, Reporterëve pa Kufij dhe të tjera raporte që evidentojnë arritjet, përkushtimin dhe punën e Qeverisë për përparimin e vendit.

Kryeministri tha se një nga objektivat kryesore të “NordiKo” do të jetë mbështetja e investitorëve të mundshëm nga vendet nordike, për të eksploruar mundësitë e investimeve dhe shkëmbimit tregtar për dhe nga Kosova. Kjo dhomë biznesi do të shërbejë si një katalizator për përparimin, një platformë që nxit bashkëpunimin, inovacionin dhe sipërmarrjen.

Me këtë rast, ai tha se Kosova do të bëhet vendi më konkurrues në Ballkanin Perëndimor kur bëhet fjalë për Investimet e Huaja Direkte. Madje, për të treguar se sa të rëndësishme i konsiderojmë investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi, kryeministri tregoi se jemi në procesin e krijimit të Agjencisë së Investimeve dhe Eksportit në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe po punojmë me disa organizata partnere ndërkombëtare për të zhvilluar procese efektive, që mundësojnë rritjen e shpejtë e të qëndrueshme të investimeve të huaja dhe të orientuara drejt eksportit.

Para të pranishmëve, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e thellë për vendet nordike, që kanë luajtur një rol kaq të rëndësishëm në çlirimin dhe zhvillimin e Kosovës, duke theksuar se mbështetja e palëkundur e Danimarkës, Finlandës, Suedisë dhe Norvegjisë, ka qenë thelbësore në formësimin e rrugëtimit të kombit tonë drejt lirisë, paqes dhe përparimit.

Në fund të fjalës, ai uroi edhe njëherë për “NordiKo” dhe veçoi se Qeveria e Kosovës është e lumtur dhe e nderuar për përkushtimin dhe punën për ta bërë Odën Nordike një sukses tjetër të radhës.

Në ceremoninë e hapjes së Odës Nordike, të pranishëm ishin edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, Ambasadorit i Norvegjisë në Kosovë, Jens Grøndahl, si dhe Drejtoresha e Bordit, Afërdita Pllana.

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti:

E nderuara znj. Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
Shkëlqesia juaj Matti Nissinen, Ambasador i Finlandës në Kosovë,
Shkëlqesia juaj Jonas Westerlund, Ambasador i Suedisë në Kosovë,
Shkëlqesia juaj Jens Grøndahl, Ambasador i Norvegjisë në Kosovë,
E nderuar znj. Afërdita Pllana, Drejtoreshë e Bordit / CEO,
Të nderuar të ftuar, zonja dhe zotërinj,

Qëndroj sot para jush në këtë rast të mirë, i mbushur me entuziazëm teksa po mblidhemi për të inauguruar hapjen e një dhome të re biznesi Nordiko-Kosovare, ose siç do ta quaja “NordiKo”!

Ky moment shënon një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e kombit tonë drejt prosperitetit dhe rritjes ekonomike. Dëshiroj të shpreh urimet e mia më të ngrohta për të gjithë individët dhe organizatat e përfshira në realizimin e kësaj sipërmarrjeje.

Si kosovarë ne shprehim mirënjohjen dhe vlerësimin tonë të thellë për vendet nordike që kanë luajtur një rol kaq të rëndësishëm në çlirimin dhe zhvillimin e Kosovës. Mbështetja e palëkundur e Danimarkës, Finlandës, Suedisë dhe Norvegjisë, ka qenë thelbësore në formësimin e rrugëtimit të kombit tonë drejt lirisë, paqes dhe përparimit. Gjithashtu, ne shprehim mirënjohjen tonë për këto vende për mbështetjen e vazhdueshme të rrugëtimit tonë drejt integrimit euroatlantik.

Gjatë dy viteve të fundit, vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në aspekte të ndryshme të qeverisjes, duke treguar progres dhe arritje të dukshme. Raporti i BE-së për Kosovën për vitin 2022 tregon se nuk ka fushë pa progres të theksuar dhe nuk ka fushë me regres të evidentuar. Transparency International/Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2021-2022 tregon se Kosova është ngritur 20 vende në dy vite. Kjo rritje është më e larta ndonjëherë në renditjen e 180 vendeve. Indeksi i Reporterëve pa Kufij/Liria e Medias 2022 tregon se Kosova është përmirësuar me 17 vende, që është gjithashtu një përmirësim rekord në një vit dhe renditja më e lartë në dekadën e fundit. E njëjta gjë vlen edhe për V-Dem Elektoral Democracy, Freedom House dhe World Justice Project.

Këto arritje flasin për pjesën e ‘drejtësisë’ të ‘punëve dhe drejtësisë’ tonë. Punë dhe drejtësi është slogani me të cilin fituam duke iu zotuar njerëzve se do të jemi të përkushtuar dhe do të punojmë shumë për përparimin e këtij vendi. Dhe për sa i përket pjesës së rritjes ekonomike dhe të vendeve të punës, ne gjithashtu kemi shënuar një progres mbresëlënës. Me një rritje mesatare prej 7% të PBB-së gjatë dy viteve të fundit, ne kemi shënuar rritjen më të madhe të përqindjes në rajon. Kemi pasur gjithashtu një rritje prej 23% të eksporteve dhe 44% rritje të IHD-ve në vitin 2022, në krahasim me vitin 2021. Por kjo është një rritje e vazhdueshme, sepse ka pasur progres edhe në vitin 2021 në krahasim me vitin 2020.

Pra, mund të them me siguri: Kosova është një pretendente e madhe për t’u konsideruar si destinacioni i ardhshëm i investimeve të rajonit nordik!

Një nga objektivat kryesore të NordiKo do të jetë mbështetja e investitorëve të mundshëm nga vendet nordike për të eksploruar mundësitë e investimeve dhe shkëmbimit tregtar për dhe nga Kosova. Një dhomë biznesi shërben si një katalizator për përparimin, një platformë që nxit bashkëpunimin, inovacionin dhe sipërmarrjen.

Kemi shikuar të dhënat e Regjistrit të Biznesit dhe Administratës Tatimore dhe zbuluam se janë rreth 70 investitorë të huaj direkt nga rajoni nordik. Nga shifrat/të dhënat e qarta që kemi analizuar, ka shumë mundësi për shkëmbim tregtar dhe IHD me vendet nordike. Rajoni nordik në tërësi ka importuar rreth 457 miliardë euro mallra në vitin 2021, ndërsa i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor ka eksportuar rreth 51 miliardë euro mallra në të njëjtin vit. Një ushtrim i thjeshtë matematikor do të na tregojë se mundësitë janë të mëdha!

Dhe këtu janë disa arsye të mira pse Kosova do të bëhet vendi më konkurrues në Ballkanin Perëndimor kur bëhet fjalë për IHD, BPO, afërsi apo siç i referohen në ditët e sotme – friendly-shoring, pasi ne po kuptojmë se vlerat dhe zhvillimi ekonomik nuk mund të shkëputen.

Së pari, ne jemi shumë të qëndrueshëm nga pikëpamja fiskale, me një borxh të vendit prej vetëm 23% të PBB-së tonë. Barra jonë tatimore është ndër më konkurrueset në Evropë, me taksën tonë të korporatës vetëm 10%, dhe tatimin mbi dividentin, zero!

Kosova gjeografikisht është e pozicionuar në mënyrë unike në qendër të të ashtuquajturit rajoni EMENA, zonë ku takohen Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore. Kjo zonë përfshin një nga përqendrimet më të pasura të mundësive të rritjes në botë.

Ne po zgjerojmë në mënyrë të qëndrueshme infrastrukturën tonë të transportit dhe ndërlidhjen në rajon. Projektet e reja do të përfshijnë autostrada dhe hekurudha drejt çdo drejtimi të vendit dhe ne po planifikojmë mbi 80 projekte publike mjedisore, infrastrukturore/transporti dhe energjetike me vlerë mbi 6 miliardë euro, duke përfshirë 1,400 MW energji të rinovueshme të erës dhe diellit.

Kosova është një vend i ri dinamik dhe i gjallë, me popullsinë më të madhe të re në Evropë, të cilët kanë njohuri teknologjike dhe flasin rrjedhshëm gjuhën angleze. Ne kemi një sistem mjaft gjithëpërfshirës dhe konkurrues të AAP-së, për shkak të investimeve të konsiderueshme dhe bashkëpunimit me organizatat donatore përkatëse, përfshirë ato nordike. Norvegjia ka ndihmuar me dashamirësi në ndërtimin e disa qendrave të kompetencës së AAP-së. Ky mjedis që është rritur gjatë dy dekadave – dhe është intensifikuar në dy vitet e fundit – ka mundësuar krijimin e një grupi të mirë të fuqisë punëtore të kualifikuar.

Së fundi, kursimi i kostos gjithashtu duhet të jetë një nga arsyet pse duhet të konsideroni investimin ose kontraktimin në Kosovë.

Për të treguar se sa të rëndësishme i konsiderojmë IHD-të dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi, tani jemi në procesin e krijimit të Agjencisë së Investimeve dhe Eksportit në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe po punojmë me disa organizata partnere ndërkombëtare për të zhvilluar sisteme dhe procese efektive, për të mundësuar rritjen e shpejtë të investimeve të huaja direkte të qëndrueshme dhe të orientuara drejt eksportit në vendin tonë. Pra, miqtë e mi, ditë të mira, shumë të mira na presin!

Urime edhe një herë NordiKo. Ne, Qeveria e Kosovës, do të jemi të lumtur dhe të nderuar që përkushtimin, punën dhe devotshmërinë tuaj ta përputhim me përkushtimin, punën dhe devotshmërinë tonë – për ta bërë NordiKo-n një sukses.

Dhe kur të shihni dritat veriore në të dy anët e çdo folësi këtu sot, sigurohuni që ne do të sjellim së bashku bukurinë dhe përsosmërinë.

Ju faleminderit shumë.

Last modified: 31 Maj, 2023

Comments are closed.