Prishtinë, 17 maj 2023
Me ftesë të Ambasadës Norvegjeze në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në festimin e 209- vjetorit të miratimit dhe nënshkrimit të Kushtetutës së Norvegjisë.
Në fjalën e tij për nder të kësaj dite, kryeministri tha se kjo Kushtetutë konsiderohet gjerësisht si një nga kushtetutat më liberale dhe demokratike në botë dhe e cila mbush shoqërinë dhe institucionet norvegjeze me bindjet themelore të demokracisë, të lirisë së bazuar në barazi dhe të drejtat e njeriut.
Derisa vuri në dukje praninë e mbi pesëmbëdhjetë mijë qytetarëve kosovarë në Norvegji të cilët u larguan nga Kosova për të krijuar një të ardhme më të mirë duke e arritur këtë, për kryeministrin Kurti ky komunitet i rëndësishëm i diasporës, ka bërë jetesën, ka krijuar familje dhe komunitete, ata marrin pjesë në zgjedhje, organizojnë turne dhe festivale futbolli, shkruajnë rekomandime për politika dhe shkëlqejnë në të gjitha profesionet.
‘’Sot, fëmijët e tyre po i bashkohen gjithashtu paradës së fëmijëve në Oslo dhe festimeve në të gjithë Norvegjinë. Ata janë bërë pjesë integrale e shoqërisë norvegjeze dhe kanë mbetur integrale edhe për Kosovën. Ata janë një urë lidhëse e paçmuar mes dy vendeve tona. Ato i bëjnë demokracitë tona më të forta dhe kontribuojnë në rritjen e shkëmbimeve kulturore dhe ekonomike’’ u shpreh ai.
Kryeministri veçoi se Norvegjia luajti një rol kyç njëzet e katër vjet më parë kur Kosova u kërcënua nga gjenocidi dhe ka vazhduar të jetë një partnere e qëndrueshme dhe e besueshme teksa ne ndërtojmë një shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Fjalën e tij kryeministri e përfundoi duke cituar dramaturgun e mirënjohur Henrik Ibsen, se “Shtylla e së vërtetës dhe shtylla e lirisë, janë shtyllat e shoqërisë”, duke thënë se ne gjejmë një të përbashkët në partneritetin tonë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar anëtarë të trupit diplomatik, anëtarë dhe përfaqësues të Kuvendit, Qeverisë, shoqërisë civile, biznesit dhe mediave,
I nderuar ambasador Grondal,
Miq,
Kushtetuta e Norvegjisë mbush 209 vjet këtë vit. Konsiderohet gjerësisht si një nga kushtetutat më liberale dhe demokratike në botë dhe ofron shkak për mbledhjen tonë sot. Është një kushtetutë që mbush shoqërinë dhe institucionet norvegjeze me bindjet themelore të demokracisë, të lirisë së bazuar në barazi dhe të drejtat e njeriut.
Prandaj, me shumë lehtësi dhe bindje përgëzoj miqtë tanë norvegjezë dhe kremtoj vetëvendosjen e tyre të vazhdueshme dhe këmbëngulëse në avancimin e demokracisë së tyre. Kosova ndan këtë bindje: një përkushtim ndaj të drejtave të njeriut, një rend të bazuar në rregulla dhe një partneritet për paqe dhe stabilitet në kontinentin tonë dhe në botë.
Rastësisht, vetëm javën e kaluar, një nga institucionet më të shquara të të drejtave të njeriut në botë, Qendra Nobel e Paqes në Oslo, zbuloi instalimin e një vepre arti shumë të rëndësishme. Një prodhim i përbashkët i artistit kosovar Petrit Halilaj dhe Urbano Alvaro nga Spanja, vepra ‘Mos më harro’ tashmë është vendosur në Qendër në një ekspozitë të përhershme. Tani është gjithashtu pjesë e Koleksionit Kombëtar të Artit Publik të Norvegjisë. E njohur për audiencën kosovare në një interpretim të ndryshëm, nga Manifesta e vitit të kaluar, kjo vepër mbresëlënëse artistike tani zbukuron një nga institucionet më të rëndësishme të të drejtave të njeriut në botë. Veçanërisht krenarë na bën që një pjesë e shprehjes artistike kosovare është pjesë e këtij institucioni përkatës dhe do të shënojë përvojën e vizitorëve të panumërt në të ardhmen. Mesazhi i tij është universal, aq sa është i veçantë. Nëpërmjet kujdesit për njëri-tjetrin, ndjeshmëria pavarësisht vështirësive, historitë personale dhe kolektive përdoren për të imazhuar të ardhmen.
Siç mund ta dini, ka mbi pesëmbëdhjetë mijë qytetarë tanë në Norvegji. Shumica u larguan nga Kosova për të krijuar një të ardhme më të mirë dhe e bënë këtë. Ky komunitet i rëndësishëm i diasporës, ka bërë jetesën, ka krijuar familje dhe komunitete, ata marrin pjesë në zgjedhje, organizojnë turne dhe festivale futbolli, shkruajnë rekomandime për politika dhe shkëlqejnë në të gjitha profesionet. Sot, fëmijët e tyre po i bashkohen gjithashtu paradës së fëmijëve në Oslo dhe festimeve në të gjithë Norvegjinë. Ata janë bërë pjesë integrale e shoqërisë norvegjeze dhe kanë mbetur integrale edhe për Kosovën. Ato janë një urë lidhëse e paçmuar mes dy vendeve tona. Ato i bëjnë demokracitë tona më të forta dhe kontribuojnë në rritjen e shkëmbimeve kulturore dhe ekonomike.
Edhe pse kjo do të jetë festa e fundit e 17 majit në Kosovë para mbylljes së Ambasadës këtë verë, jam i sigurt se nuk do të jetë festa e fundit zyrtare që do të kemi. Marrëdhëniet norvegjeze-kosovare janë rritur dhe forcuar ndër vite. Norvegjia luajti një rol kyç njëzet e katër vjet më parë kur Kosova u kërcënua nga gjenocidi dhe ka vazhduar të jetë një partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm ndërsa ne ndërtojmë një shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Sot, në mënyrë të ngjashme, kur siguria e të gjithë Evropës dhe veçanërisht e Ballkanit Perëndimor është e kërcënuar, aktualisht nga pushtimi brutal i Ukrainës nga Rusia, Norvegjia po luan një rol të domosdoshëm në lidhjen e sigurisë energjetike dhe kërcënimet e paraqitura nga autoritarizmi i prapambetur dhe në rritje i demokracive.
Kosova është një partner i qëndrueshëm në këtë shqetësim të përbashkët. Ne kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë përparim të madh në krijimin e arkitekturës ligjore, politike dhe sociale që ka gjeneruar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, reforma të lidhura me BE-në, mundësi për avancim social përmes arsimit dhe përfshirjes dhe mbrojtjes. Ne kemi dëshmuar se Kosova mund dhe ka kontribuar vetëm për paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.
Me fjalët e dramaturgut të mirënjohur Henrik Ibsen, “Shtylla e së vërtetës dhe shtylla e lirisë, ato janë shtyllat e shoqërisë”, ne gjejmë një të përbashkët për partneritetin tonë.
Gëzuar ditën e Kushtetutës!
Gratulerer med dagen.
Last modified: 18 Maj, 2023